Kuqezinjtë ndodhen në vazon e katërt, por shanset për të kaluar për në vazon tjetër janë të mëdha
Tashmë që ëndrra për të marrë pjesë në një kampionat evropian është bërë realitet për kombëtaren kuqezi, vëmendja shkon te shorti i Euro 2016-ës që do të hidhet në Paris në datën 12 dhjetor. Ende nuk janë përcaktuar 4 vazot me nga 6 skuadra, pasi UEFA e bën këtë ndarje vetëm pasi të kenë përfunduar eliminatoret, përfshirë këtu edhe fazën play-off, por sido që të shkojë, Shqipëria ka një koeficient të ulët në renditjen e UEFA-s për kombëtare dhe do të jetë në vazon e 4-t, atë të skuadrave më pak favorite. Gjasat që kuqezinjtë e Gianni De Biasit të shortohen në një grup shumë të vështirë janë të mëdha. Gjithsesi, Shqipëria shpreson që të paktën nga vazoja e tretë të peshkojë një skuadër të kalueshme për të pretenduar kualifikimin në raundin e 1/8-ave si një nga 4 skuadrat më të mira të renditura në vendin e tretë. Sigurisht që ky është vetëm një parashikim, pasi kjo kombëtare ka treguar se e pamundura nuk ekziston dhe kur bëhet fjalë për një sport si futbolli, gjithçka mund të ndodhë. Nëse përpara fillimit të eliminatoreve ëndrra e të gjithëve ishte të kualifikoheshim për herë të parë në një kampionat evropian, tashmë dëshira e një populli të tërë dhe e futbollistëve të kombëtares është të përballemi me përfaqësuese të mëdha si Gjermania, Spanja, Anglia apo Italia në finalet një kampionati evropian. Diçka e tillë është më se e mundur, sepse në shortin që do të hidhet në Pallatin e Kongreseve në Paris 12 dhjetorin e ardhshëm, Shqipëria do të jetë në vazon e 4-t bashkë me përfaqësuese të tilla si Uellsi, Islanda dhe Irlanda e Veriut dhe pritet të ketë në grup minimalisht dy kombëtare shumë të forta. Në short do të marrin pjesë 24 ekipe dhe 6 skuadrat me koeficientin më të lartë në klasifikimin e UEFA-s për kombëtare do të jenë pjesë e vazos së parë. Për momentin praninë në këtë vazo e kanë siguruar Franca si vend organizator dhe Spanja si kampionia në fuqi e Evropës. Gjithsesi, pjesë e vazos së skuadrave favorite pritet të jenë edhe Gjermania, Anglia, Portugalia dhe një mes Italisë e Rusisë. Edhe në vazon e dytë do të ketë shumë përfaqësuese me emër, me Belgjikën, Zvicrën, Suedinë e Ukrainën, nëse kualifikohen, që spikatin më shumë se të tjerat. Në vazon e tretë e sigurt është prania e Rumanisë, Austrisë dhe Hungarisë, skuadra këto që mund të jenë më se të kalueshme për Shqipërinë. Me pak fjalë, për përfaqësuesen kuqezi parashikohet një short shumë i vështirë, kjo për vetë madhështinë e eventit në të cilin Shqipëria do të marrë pjesë, megjithatë për këtë kombëtare asgjë nuk është e pamundur dhe duke qenë se kualifikohen në raundin e dytë edhe 4 skuadrat më të mira të renditura në vendin e tretë nga të 6 grupet, kualifikimi për më tej mund të mos jetë një mision i paarritshëm për të besuarit e Gianni De Biasit.
Mundësi për të kaluar grupin me një fitore
Kombëtarja shqiptare mund ta kalojë grupin në Euro 2016 edhe me një fitore të vetme. Çdo ekip pjesëmarrës ka plot 66.6% shanse që të kalojë në raundin e 1/16-ave të Kampionatit Evropian. Kjo, për shkak se nga 24 ekipe pjesëmarrëse, vetëm tetë prej tyre do të eliminohen që në grupe. Sipas formatit të ri, dy ekipet e para kualifikohen direkt, ndërsa katër të tretat më të mira nga gjashtë grupet sigurojnë gjithashtu një “biletë” për në raundin tjetër. Me shumë mundësi do të mjaftojë vetëm një fitore për t’ia dalë mbanë që të sigurohet kualifikimi për në raundin pasardhës.




