Ish-deputeti i PS-së u përball sërish dje në Gjykatën e Lartë me avokatin e deputetit Spartak Braho në seancën e radhës së procesit të hapur prej Doshit kundër kolegut të LSI-së. Avokatët e deputetit Doshi i thanë Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë se Spartak Braho ka shpifur me të vetmin qëllim manipulimin e opinionit dhe denigrimin e figurës së deputetit dhe cenimin e imazhit të tij. Avokatët thanë se i qëndrojnë padisë, duke kërkuar që togat e zeza të dënojnë deputetin Braho dhe ta detyrojnë atë të paguajë në formën e dëmshpërblimit shumën prej 1 euro të kërkuar nga deputeti. Këtë shpifje avokatët thonë se deputeti Braho e ka kryer duke shpifur në lidhje me raportin mjekësore që deputeti Doshi ka paraqitur në kryesinë e Kuvendit për të justifikuar mungesën e tij në mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Sipas avokatëve, deputeti i LSI-së vazhdon të shpifë në drejtim të deputetit Doshi, pasi vetëm pak ditë më parë ai ka nisur një letër kur akuzon deputetin për skenar destabilizimi në Shqipëri. Edhe në dalje të Gjykatës, deputeti Doshi tha se do të vazhdojë padinë. Vetë deputeti Braho nuk ishte paraqitur në sallën e gjyqit, ku avokati pretendoi se klienti i tij ka paraqitur vetëm fakte. Avokati Brahos tha se komentet dhe opinionet e tjera, që ka bërë deputeti i LSI-së Braho janë konstatime mbi bazën e dokumentacioneve të administruar.




