Studime
Buka është burimi kryesor i kripës për amerikanët. Këtë e bëri të ditur Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, e cila publikoi një liste me ushqime që janë burim kripe. Vetëm 44% e ushqimeve bazë furnizonin me kripë dietën e amerikanëve. Kripa është burimi primar i sodiumit që rrit tensionin e lartë. Buka thonë ekspertët nuk është më e kripur se ushqimet e tjera por njerëzit janë të prirë ta konsumojnë bukën në sasi të mëdha. Burim tjetër i kripës në organizëm janë mishi, sallamrat dhe picat. Sipas specialistëve kripa duhet të limitohet deri në një lugë çaji në ditë.
Zemra e lodhur dëmton trurin
Një zemër e lodhur dhe e thyer mund të çojë edhe në një dëmtim të trurit. Kjo pasi dështimi i zemrës në funksionet e saj kryesore shkakton një ulje të materies së hirtë në zonat nervore të rëndësishme për funksionin njohës dhe të kujtesës, duke kontribuar kështu në një rënie të efekteve njohës dhe të të mbajturit mend te pacientët që vuajnë prej goditjeve në zemër. Kjo është demonstruar nga hulumtimet e kryera në universitetin e Australisë Perëndimore, i cili i ka bërë testet dhe rezonancën magnetike të trurit në grupe të pacientëve me sëmundje të ndryshme. Më pas, pas këtyre hulumtimeve është konkluduar, në fund të tyre, se pacientët të cilët paraqesin probleme më të mëdha me memorien dhe funksionet njohëse në tërësi, janë ata që kanë pësuar goditje infarkti në zemër.
Stresi dobëson kujtesën
Sot nga njeriu kërkohet që të mbajë mend shumë, ndërsa stresi është gjithnjë e më i madh, kështu që nuk është për çudi që gjithnjë e më shumë persona kanë probleme me depresionin dhe ankthet. Studiuesit thonë se pikërisht stresi është njëri nga shkaktarët më të mëdhenj të kujtesës së dobët. Është dëshmuar se ekspozimi i gjatë ndaj stresit rezulton me kujtesë më të dobët. Edhe studimet e mëparshme kanë treguar se personat me nivel të lartë të kortizonit, i ashtuquajtur hormoni i stresit, kanë rezultate të dobëta në testet e kujtesës. Personat të cilët lëshohen në ekspozimin e vazhdueshëm të stresit gjatë një periudhe nga 3 deri 5-vjeçare me siguri se do të kenë probleme me kujtesën. Mirëpo, lajmi i mirë është se kujtesa mund të kthehet. Studiuesit këshillojnë stimulimin e trurit në atë mënyrë që njeriu fillon të mësojë diçka të re. Në këtë mënyrë rriten aftësitë e trurit dhe i ndihmohet kujtesës. Parakushti për këtë është që para kësaj të relaksoheni, sepse nën stres asgjë nga kjo nuk do të jetë e dobishme.





