Vlonjatët kanë shkatërruar pukianët me rezultatin 7-0, ndërsa durrsakët e kanë pasur të lehtë, duke fituar 3-0 ndaj ballshiotëve
Superliga Shqiptare ka luajtur edhe dy ndeshjet e fundit të javës së 5-të. Gola dhe supermaci kanë treguar vlonjatët dhe durrsakët ndaj pukianëve dhe mallakastriotëve. Flamurtari e kthen në goleadë. Shtatë gola në sfidën e javës së gjashtë të Kategorisë Superiore përballë Tërbunit. Një spektakël që fatkeqësisht nuk u shijua nga tifozët vlonjatë, sepse prej fushës së stadiumit që ende nuk është marrë në dorëzim, Flamurtari e zhvilloi ndeshjen si pritës në “Adush Muça” të Ballshit. Përballë Tërbunit, lojtarët kuqezi shënuan thuajse të gjithë. Shtatë gola që mbajnë po kaq autorë të ndryshëm. Nga rrjeta e minutës së 3-të, me autor Grecën. Mesfushori përfitoi nga gafa e pafalshme e portierit të Tërbunit, Ujka, që në debutimin në elitë i dhuroi rivalëve golin e avantazhit. Dominimi absolut i vlonjatëve sjell edhe golin e dytë, me autor Nexhipin. Në të 27-ën, fantazisti realizoi golin e parë me fanellën e Flamurtarit, pas një goditje potente me të majtën. Me kundërshtarët plotësisht të dorëzuar në fushë, skuadra e Levit nuk u kursye në fraksionin e dytë të lojës. Hair Zeqiri, i pashqetësuar në zonën pukjane, realizoi golin e tretë menjëherë pas pushimit ndërmjet pjesëve. Në të 54-ën erdhi edhe goli i katërt, me autor Tsakadadze, që e dërgoi topin në rrjetë pas aksionit individual të Morinës, i cili mposhti mbrojtësit rivalë. Minuta e 66-të, solli supergolin e Bruno Telushit, me një goditje të shkëlqyer nga distanca, që përfundoi në rrjetë. Pas çaste pas tij ishte radha e Morinës të shënonte emrin në listën e golashënuesve, duke realizuar golin e gjashtë, e megjithatë vlonjatët nuk e hoqën këmbën nga gazi. Në të 84-tën ishte radha e Fushtar të shënonte, duke vulosur shifrat finale në 7-0. Fitorja më e thellë e regjistruar në këtë sezon. Në vitet e fundit Flamurtari kishte bërë më mirë vetëm në sezonin 2010-2011, me suksesin 8-0 ndaj Elbasanit. Ndërsa Teuta është thjesht fantastike në “Niko Dovana”. Formacioni i Gugash Maganit mori fitoren e tretë në po kaq ndeshje në impiantin durrsak në këto gjashtë javë të para të Kategorisë Superiores. “Viktima” e radhës në shtëpinë e “djemve të detit” ishte Bylisi, që pësoi humbjen e radhës në transfertë dhe të pestën në kampionat me rezultatin e thellë 3-0. Kjo disfate ishte e papranueshme për trajnerin Agim Canaj i cili dha dorëheqjen e parevokueshme nga stoli. Takimi nisi vrullshëm për Teutën, që rrezikoi me Hilën në minutën e katërt, mirëpo goditja e mesfushorit elbasanas ishte e pasaktë. Dy minuta më pas 22-vjecari korrigjoi shënjestër me një parabël, duke e lënë të shtangur portierin Mushica. Vetëm pas çaste më pas Teuta arriti ta çonte sërish topin në rrjetë, por për gjyqtarin, kishte ndërhyrje të parregullt në momentin e fundit në dëm të Peposhit. Dominimi i Teutës u shpërblye me një tjetër gol në minutën e 24-t, me autor Mustën, i cili shfrytëzoi një pasim të saktë të Hilës brenda zonës. 10 minuta në vonë pas një aksioni nga e majta, Dita e pati të thjeshtë shumë pranë zonës së portierit për të shënuar golin e tretë. I pakënaqur nga skuadra e tij në fazën mbrojtëse, Canaj bëri dy ndërrime në fund të pjesës së parë, duke nxjerrë nga loja Shoshin dhe Adekulen. Pjesa e dytë nisi një tjetër rast për Teutën me protagonist Hysenin, i cili devijoi me majën e këpucës, por topi përfundoi jashtë. Rasti i parë në këtë sfidë për Bylisin u regjistrua në të 55-ën, por Orges Gava nuk arriti të koordinohej në goditje. Në minutat në vazhdim Teuta e uli ndjeshëm ritmin, duke u kushtuar më shumë vëmendje fazës mbrojtëse, e shtyrë edhe nga avantazhi i trefishtë. Gjithsesi, në të 69-ën Bylisi fitoi një 11-metërsh për prekje të topit me dorë të Ditës. Nga pika e bardhë goditi i një ish-i Teutës, Brunild Pepa, të cilit Mocka i kuptoi krahun. Në të 83-ën Musta humbi mundësinë për ta cuar në 4-0 sfidën, për të ardhur më pas te vërshëllima e fundit e gjyqtarit Kola, që sanksionoi fitoren e thellë të skuadrës durrsake. Ndërsa Bylisi me këtë disfatë konfirmohet bashkë me Vllazninë dhe Tërbunin kandidat për të rënë nga kategoria.





