Maqedoni /Fushata për qeveri teknike dhe për zgjedhjet e parakohshme

 

 

 

Maqedoni ParlamentiFushata parazgjedhore ka kohë që ka nisur nga partitë politike në Maqedoni veçanërisht nga ato në pushtet. Pikëpyetje e gjithë këtij aktiviteti është reklamimi i aktiviteteve të tyre me fonde të buxhetit të shtetit. Por, shpallja e konkurseve për punësime, rritja e pagave, e pensioneve, paralajmërimet për investime, subvencionet në bujqësi, ndërhyrjet në infrastrukturën rrugore, vendosja e gurthemeleve të objekteve të ndryshme, flasin qartë për intensitetin në rritje të aktiviteteve të drejtuesve të institucioneve. Analisti dhe drejtuesi i shoqatës Iniciativa Demokratike Albert Musliu u shpreh: “Unë pres që derisa të bëhet ndryshimi i Qeverisë, apo deri sa të formohet qeveria teknike, e cila duhet t’i përgatisë zgjedhjet, qeveria e tanishme do të përdorë çdo moment për fushatë. Ne, datën e zgjedhjeve të parakohshme e dimë dhe është e pritshme që të ketë aktivitete të tilla nga partitë, edhe pse shumë pjesë të marrëveshjes politike nuk janë realizuar. Kjo që ndodh gjithsesi se nuk është korrekte pasi e rëndojnë edhe imazhin e zgjedhjeve, por nuk është diçka, të cilën duhet të habitemi”. Ai vlerëson se veprimet e tilla janë në kundërshtim, jo vetëm me marrëveshjen politike, por edhe me Ligjin aktual mbi Kodin zgjedhor që parasheh qartë procedurat e nisjes së fushatës zgjedhore. Ndërsa njohësi për çështje politike Nenad Markoviq, tha se në fushatë parazgjedhore nuk është përfshirë vetëm se pushteti qendror, por edhe ai lokal, ndërsa sa i përket opozitës, ai thotë se edhe ajo bën përpjekje të tilla, por mundësitë i ka të kufizuara, andaj edhe përqendrohet më tepër në kritika për atë që bëjnë partitë në pushtet. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen më 26 prill të vitit të ardhshëm. Ato do të organizohen nga një qeveri kalimtare, e cila duhet të formohet në disa faza, por jo më larg se deri më 15 janar. Mbarëvajtja e këtyre zgjedhjeve vlerësohet si vendimtare për të ardhmen e Maqedonisë, e cila tani një kohë të gjatë është në krizë të thellë politike si pasojë e asaj që njihet si aferë e përgjimeve.

 

 

Share it :