Përgjegjësi i Tregjeve, Dervishi: Ky investim do të zgjasë 6 muaj, pazari do të kthehet me kushte standarde
Vojsava Sota
Pazari i Ri do të shndërrohet në një pedonale, sipas projektit që pritet të vihet në zbatim në datën 7 tetor. Kjo gjë ka ngjallur pakënaqësi të mëdha tek tregtarët, të cilët u shprehën tejet të indinjuar për këtë problem. “Si do t’ia bëjmë për mbulesën? Jemi në qiell të hapur, siç na shikoni edhe vetë. Në hall jemi si do na shkojë puna”, – u shprehën ata. Në kushtet kur tregu do të kthehet në pedonale, tregtarët janë të detyruar të zhvendosin tezgat e tyre në sheshin “Avni Rustemi”, derisa ky rikonstruksion të kthehet në normalitet. Lidhur me këtë çështje, përgjegjësi i Tregjeve Publike, Shkëlqim Dervishi, sqaroi se kjo situatë do të jetë provizorë dhe se projekti i Bashkisë synon t’i shndërrojë tregjet me standarde evropiane. Më tej ai tha se kushtet skandaloze në të cilat kanë punuar tregtarët duhen ndryshuar rrënjësisht. “Ky projekt do të bëhet pjesë-pjesë me idenë që njerëzit të mos i lëmë pa punë. Me të mbaruar pjesa nga merkatoja e mishit, banjot, Tregu i Mulletëve që ne e quajmë këtu dhe lapidari. Atëherë mbaron ajo, do spostojmë pjesën tjetër të tregut që quhet sheshi “Avni Rustemi”, edhe ato në ato kushte për aq kohë sa të mbarojë i gjithë projekti deri te sheshi “Avni Rustemi””, – pohoi ai në një intervistë për “Ora News”. Gjithashtu, Dervishi theksoi se pas rehabilitimit Pazari i Ri do të kthehet në një treg me standarde evropiane dhe larg kushteve skandaloze me të cilat jemi mësuar të shohim vitet e fundit. “Tregtarët shesin jashtë kushteve higjieno-sanitare. Pas këtij investimi, këtu do të ndryshojnë rrënjësisht edhe kushtet e tregtarëve privat, por edhe të atyre që i administrojmë ne si treg publik”- u shpreh Dervishi në fund të fjalës së tij. Punimet për rijetëzimin e Pazarit të Ri në kryeqytet do të zgjasin 6 muaj dhe inspektorët e Bashkisë së Tiranës kanë zbarkuar në terren për të kryer studimin. Por duke u kthyer në pedonale, një problem për këtë zonë do të jetë edhe trafiku, për evitimin e të cilit Veliajt kishte menduar kohë me parë të ndërtohej një nënkalim. Ndërkohë kjo situatë kaotike ka bërë që tregtarët të presin normalizimin e kushteve, për t’ia filluar punës nga e para.
——————————————




