Tekniku i korçarëve është shprehur se ndeshjet në Evropë janë shumë të rëndësishme, pasi është hera e parë që një skuadër shqiptare merr pjesë në një eveniment të tillë dhe është e rëndësishme të ketë një përfaqësim sa më të mirë
Skënderbeu po u jep dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e dytë të Europa League kundër Lokomotivës në transfertën e Moskës. Kampionët e Shqipërisë zhvilluan seancën e fundit stërvitore në Kavajë nën urdhrat e trajnerit Mirel Josa. Grupi në dispozicion të trajnerit ishte i plotë, përveç brazilianit Ademir, i cili nuk do të jetë i gatshëm për këtë sfidë. Fillimisht skuadra u bashkua rreth Josës për të marrë këshillat teknike të seancës stërvitore dhe më pas nisi ushtrimet fizike. Trajneri Mirel Josa e pranoi se bëhet fjalë për një ndeshje të vështirë, por shtoi se Skënderbeu do të luftojë deri në fund për të bërë një paraqitje sa më pozitive në këtë kompeticion. “Ndeshjet mes kampionatit dhe Evropës nuk janë të njëjta. Ne jemi të interesuar shumë për kampionatin që skuadrës të mos i mungojnë pikët por edhe në Europa League luajmë prestigjin e klubit që merr pjesë për herë të parë në evente të tilla. Duhet të jemi sa më të kujdesshëm dhe të bëjmë një përfaqësim sa më dinjitoz duke pasur parasysh edhe nivelin e kundërshtarëve”. Në vijim, ai shtoi se nuk ka marrë ende një vendim për formacionin, por nënvizoi se për shkak të kalendarit të ngjeshur gjendja fizike e skuadrës nuk është ideale dhe në këtë mënyrë do të punojë për të alternuar forcat e grupit aktual. Josa shtoi gjithashtu se Lokomotiva është skuadër e të njëjtit nivel me Beshiktashin, por me karakteristika të ndryshme, ndërsa qartësoi se ekipi i tij nuk do të shkojë në Moskë për turizëm. “Ne shkojmë për të bërë një përfaqësim dinjitoz si të lojtarëve ashtu edhe të skuadrës. Rezultati nuk është detyrim por sa më mirë të përfaqësohemi si klub aq më mirë do të jetë për futbollin shqiptar”. Skënderbeu do të niset drejt Moskës për transfertën e dytë të grupit H të mërkurën rreth mesditës. Me ndeshjen e parë jashtë fushe në Europa League, përveç lodhjes në fushë prej kalendarit të ngjeshur, Skënderbeu nis edhe udhëtimet e gjata nëpër Kontinentin e Vjetër. Distanca nga Korça, ku klubi ka selinë deri në Moskë për sfidën e së enjtes me Lokomotivën është plot 2100 kilometra. Kampionët e Shqipërisë fitojnë vetëm disa dhjetëra kilometra duke llogaritur grumbullohen në Resortin Tropikal në Durrës. Në pjesëmarrjen historike në grupet e Europa League, Skënderbeu duhet të përshkruajë 5340 kilometra, ku përveç Moskës do të udhëtojnë edhe në Stamboll për ndeshjen me Beshiktash dhe në Lisbonë për duelin me Sportingun. Distanca më e afërt për korçarët është në Turqi, ndërsa më e largëta ajo në Portugali, plot 2560 kilometra. Sporting nga ana e tij, është ekipi që do të udhëtojë më së shumti me mbi 9700 kilometra, ndërsa Grupi H kryeson për sa u takon largësive mes skuadrave pjesëmarrëse në Europa League me 28500 kilometra. Sipas statistikave zyrtare, Skënderbeu renditet i 29-ti për sa i takon klasifikimit special të distancave më të largëta për tu përshkuar nga 80 skuadrat pjesëmarrëse në Champions dhe Europa League. Në vendin e parë janë kazakët e Astanas, të ndjekur nga azerët e Karabakut ku luan Ansi Agolli dhe rusët e Rubin Kazan.




