Dopio gjashta

 

Darien Levani

 

Sot jemi të gjithë bashkëfajtorë….

 

-Ja mu në lule të ballit! Si Avni Rustemi tradhtarit! – thotë Conia duke hedhur një tresh-katër në tavolinë e duke i shkelur syrin Oltit që ka përballë. – Është e vërshtirë dominoja, Bardhyl djali, është lojë për burra.

Është një e martë mbasdite. Conia, pronar, banakier e kamerier i lokalit ka lënë dyert hapur për të luftuar sadopak vapën, por fryn vetëm një afsh i ngrohte, të cilin Conia e konsideron si puhizë deti për të kursyer ajrin e kondicionuar meqë ka nja dy muaj që ka filluar të paguajë dritat. Ortaku im, Fitimi, ngre njëherë sytë drejt berberhanes së tij për të parë se mos hyn njeri, pastaj më shikon në sy dhe mundohet të shpjegojë diçka. Psherëtin, ngre supet e qëllon nga ana tjetër me një dopio tresh që nuk e lëviz fare lojën. Si gjithmonë, kam ngelur me një dopio gjashtë e më duket se edhe këtë ndeshje do të ma zënë në dorë, atëhere hedh vështrimin nga Olti me njëfarë shprese se mos më hap pak lojën.

-Unë përgjigjem me katër-gjashtë,- thotë ai serioz, duke hequr një gur që e mbulon deri në momentin e fundit. Sapo fillon e më formohet një buzëqeshje, sepse më në fund loja po kthehet në favorin tim, Olti hap dorën e më tregon një tresh-dysh. Më shikon gjasme me keqardhje.- Bardhyl, të prisha gjë lojën? – e shpërthen në një të qeshur që ndiqet edhe nga Conia, i cili fshin mustaqet e dendura nga djersa.

-Mua jo, – shtirem i qetë. – Më duket se ai prishe ortakut tat, Çelo Picarit. Sa për mua…unë të bëj atë që s’ta pret mendja. E di ça të them unë?

-Ti thu: jepi se unë s’kom, – përgjigjet Conia, duke qeshur akoma. – E sa për musteqet e mia, Bardhyl, jon’ si dominotë mër jahu, jon’ për burra e jo për kalamoj.

-Unë them: Kalo edhe kësaj here ta marrim vesh, ku fle lepuri,- përgjigjem me qetësi.

-Kurse unë them që s’bohet stani me lepuj, – thotë Conia duke nxjerrë gurin e vetëm që kisha frikë, një katër-dysh që mbyll lojën.

“Tamam ky i mallkuar duhej ta kishte, s’mund ta kishte Fitimi atë gur?”

-Unë them që ta mbyllim këtu. – Pastaj shikon Oltin, gjasme si me frikë, por e ka me mua. – Avokat, se mos e ke ti atë të bekuarën, atë të madhen?

-Atë të madhen fare? – pyeti Olti. – Jo mo, unë kam frikë mos e ka Bardhyli, pa për mua…

Hedh dopio gjashtën në tavolinë e, edhe fitimi më shikon me inat, a thua se më ka hasëm të betuar prej shtatë brezash. Dreqi ta hajë, është vetëm një lojë domino, s’duhet ta marrë kaq seriozisht!

-E di ça problem ke ti, fitim? – thotë Conia. – Që ti e luan edhe mirë, gjynof me të thonë gjë…

-Po, edhe lojtari më i mirë s’ka ça t’i bëjë kur ka ortakë të dobët, – përfundon Olti, dumë parë i zbavitur. Conia heq një kalem që kishte vënë poshtë veshit dhe numëron pikët, që pastaj i shkruan në pjesën e pasme të një fature të lokalit.

-Na ka pru ministria makina të reja, – krenohet duke na treguar faturën për herë të tretë.- Që ia shtoftë Zoti inotin ishallah, janë të bardha fare, ke qejf më, shkruan pikët e dominosë e i var për qejf që t’i shofi gjithë dynjoja. N’mënyrë informale gjithmonë, kuptohet. Kshu e ka kjo punë, berbero, mund të kesh emrin Fitim, por humbet kur luan me ortak të dobët.

Ndërsa ata trazojnë gurët, unë gre sytë drejt babakut ku Conia, ka varur të gjitha ndeshjet e dominosë që kemi bërë muajt e fundit, duke rrethuar me të kuq ato ku kanë fituar. Në atë mori fletësh, kuptohet, dominon e kuqja ndërsa BF, që tregon mua dhe fitimin, është e rrallë sa dhjetat e mia në gjimnaz.

-Tetëdhjetë me njëzet e katër, – lexon Cnia me krenari fëmijërore. – Ne jemi ata që kanë njëzet e katër, avokat, mos e vrit mendjen.

-As e vras mendjen fare, o banakier, unë kam frikëne Bardhylit se mos na mërzitet e na bën ndonjë të pabërë, pa për mua… akoma s’i ka dalë flaka në qiell.

– Ashtu të lumtë! Çuna, ça doni? – pyet conia dy adoleshentë që sapo janë future e po ulen në një nga tavolinat e shumta boshe.

-Dy kafe!

-MIrë e ke ti që do kafe, po a e sheh që ne po luajmë? Si e ke hallin? Mos na bezdisni, ka locale plot Tirana.

Ata ngrenë supet e dalin duke sharë nëpër dhëmbë. Conia më sheh e krenohet.

-ça është ky brez muti? Të më shoshte mu’ barista ashtu, unë ia plasja tavllën ballit.

_Quhet brez i e dikuruar, ortak, – ndërhyn Olti që e urren arrogancën e Cones në raste të tilla. Dhe është shumë e paedukatë t’i trajtosh kështu klientët.

-A më thu edhe “I herë se e thoke bukur? – tallet Conia. – Sa bukur e thu’ mër avokat. Eh, klientët, ë? PO unë me dy kafet e atyre s’e hap fare lokalin. – Pastaj, për ta bërë më të qartë i fut edhe një të pështyrë përtokë e mbledh gurët. – Me ça do jetoj unë, me tetëqind leke kafe? Unë e hap lokalin vetëm për me bo noj lojë dominoje me ju, sa për të tjerat…

-S’kemi pasur rritje ekonomike, he? – e ngacmoj unë me shpresën që ta humbasë pak përqëndrimin e të bëjë ndonjë gabim në lojë.

Që ç’ke me të, s’e shef? Fanar ndriçues ishim atëhere, fanar ndriçues jemi edhe tashti. Bohet ç’bohet, ne fanar ndriçues ngelemi.

-Atë që e kemi e kemi, s’na e mohon dot njeri,- vazhdoj unë.

-E di ça kemi ne, Bardhyl?

-E di, po lëre se e prishe fare!

-E pra, nji ashtu të modh kemi, ta them unë!

Pastaj, duke ndryshuar komplet ton i drejtohet dikujt që unë, nga pozicioni ku jam, nuk e shikoj.

-Zonjushë, keni noj hall?

Edhe Fitimi që e ka mendjen vetëm te loja, ngre sytë e shtanget. Fakti që një femër është futur e vetmuar te lokali i Cones është shumë për të, është diçka që nuk e gëlltit dot. Atëhere dua s’dua e kthej kokën edhe unë. Një vajzë qëndron në këmbë, duke hezituar, sepse nuk e di nëse duhet të ecë para apo të kthehet e t’ia mbathë vrapit.

Është e trembur, por jo prej nesh. Është e trembur prej diçkaje që ka ndodhur e më kujton zogjtë e plagosur që tërhiqen zvarrë. Duhet të jetë rreth 30 vjeçe, me flokë të gjatë gështenjë e sy që prej këtej duken të zinj. Ka veshur një fustan jeshil që tregon format e këmbët e gjata brune prej javësh plazhi. Është e bukur e këtu është krejt jashtë vendi.

*Fragment nga romani i ri “Dopio gjashta”

 

 

Share it :