Universiteti “Kristal” vazhdon gjyqin me shtetin për licencën

kristalGjykata i lejoi regjistrimet në degët e tjera, vazhdon pezullimi për lëndët “Menaxhim Biznesi” dhe “Sociologji”. Jonida Ajazi, “kurbani” i vetëm i kësaj historie, edhe pse nuk ka qenë e punësuar në kohën kur u regjistrua apo iu vendosën notat dy italianëve

Tiranë

Universiteti “Kristal” vazhdon betejën ligjore në gjykata kundër vendimit të Këshillit të Ministrave që pezullon regjistrimet e këtij institucioni arsimor për disa degë të arsimit të lartë. Për shkak të regjistrimit të dy shtetasve italianë, të cilët nuk kishin hyrë asnjëherë në Shqipëri, ndërsa rezultonin se dispononin diploma të shkollës së lartë, të marra pranë Universitetit privat “Kristal”, Ministria e Arsimit kërkoi pezullimin e licencës, pasi konstatoi faktet gjatë inspektimit, Këshilli i Ministrave pranoi kërkesën, ndërsa organi i akuzës në kryeqytet nisi hetimet. Por, kurbani i vetëm i gjithë kësaj historie skandali doli një sekretare, e quajtur Jonida Ajazi, roli i të cilës shihet si mjaft i dyshimtë për të mbajtur këtë përgjegjësi mjaft të madhe, duke i vënë damkën një universiteti, deri në rrezikun e humbjes së licencës. Në vendimin e gjykatës thuhet se vajza nuk e ka pranuar fillimisht se e ka bërë ajo regjistrimin, madje jo vetëm ajo, por edhe kolege të saj. Maje, nga vendimi i gjykatës shihet qartësisht se kanë qenë sekretare të tjera ato që kanë punuar në kohën kur është regjistruar apo vlerësuar me nota Bossi dhe Moscaguiro. Krejt papritmas, vajza ndryshon rrjedhën e fakteve, duke pranuar që e ka bërë regjistrimin me kokën e saj, ndërsa dëshminë e pranimit të fajësisë vajza e jep përmes një deklarate noteriale. Dhe, duke pasur një fajtore tashmë, pra një sekretare që ka vepruar me kokë të saj, duke hedhur në erë punën e të gjithëve, universiteti privat Kristal vijon betejën gjyqësore në Gjykatën e Tiranës për rrëzimin e vendimit të Këshillit të Ministrave, ndërsa në shtator të vitit të kaluar pati në favor një vendim të Gjykatës së Apelit, i cili i lejonte regjistrimet e pezulluara në të gjitha degët, duke përjashtuar nga vijimi i regjistrimeve dy degët “Menaxhim Biznesi” dhe “Sociologji” ku janë diplomuar Renzo Bossi dhe Pierangelo Moscaguiro.

Rezultatet e diplomave

Një sekretare e thjeshtë, e cila në vitin 2010 kishte filluar punën në universitetin privat, mori përsipër gjithë përgjegjësinë dhe për këtë vepër penale u dënua me 1 vit e gjashtë muaj burg, masë që iu pezullua duke u dënuar me kusht. Gjykatës i rezultoi nga sekuestrimi i regjistrave të regjistrimit të notave dhe të tërheqjes së diplomave ka rezultuar se shtetasi Renzo Bossi i dtl. 8.9.1988 është regjistruar në Universitetin “Kristal”, në Fakultetin e Administrim-Biznesit, në programin e studimeve “DNP” në “Menaxhim Biznesi”, në vitin akademik 2007 – 2008, me numër amze 482 dhe është diplomuar për këtë degë në datën 29.9.2010, me numër diplome 272. Shtetasi Pierangelo Moscaguiro, i dtl. 6.11.1975 është regjistruar ne Universitetin “Kristal”, në Fakultetin e Shkencave Politike, në programin e studimit “bachelor” në degën “Sociologji”, në vitin akademik 2008 – 2009, me numër amze 310 dhe është diplomuar për këtë degë në datën 29.6.2011 me numër diplome 12. Ky shtetas figuron një nxënës mjaft i mirë, pavarësisht se nuk dinte asnjë fjalë shqip, me vlerësim 8, 9 dhe 10, ndërsa mbrojtja e diplomës me notën 9. Edhe shtetasi tjetër në regjistrin themeltar të Fakultetit të Shkencave Politike figuron i regjistruar me gjendje civile “i martuar”, me vendlindje “Itali”, me kombësi dhe shtetësi “i huaj”, me adresë vendbanimi “Itali”, me numër telefoni “0694543521”, me e-mail “pierangel87@hotmail.com”, me gjuhë te huaj “anglisht”, me shkollë të mesme “Instituto Profesionale”, me pasaportë/letërnjoftim/certifikatë “017519447”, me degë të regjistruar “Sociologji” dhe me datë regjistrimi “16.10.2008”. Të njëjtin vlerësim ka pasur edhe ky person dhe me mbrojtjen diplome notën 9. Dy shtetasve italianë u është tërhequr diploma nga i njëjti person, Anesti Deçka, i cili nuk dihet nëse është apo jo identiteti i vërtetë i tij.

 

Berat

Merr flakë banesa nga një furnelë elektrike, digjet rëndë kryefamiljarja

Një banesë e përfshirë nga flakët në orët e para të ditës së djeshme në qytetin e Beratit për pak i ka marrë jetën kryefamiljares, e cila ndodhej e vetme në të. Sipas burimeve zyrtare policore, shkak për rënien e zjarrit është bërë harresa e një pajisje për ngrohje. Po sipas të njëjtave burime, 45-vjeçarja Teuta Elezi, u dogj rëndë mëngjesin e djeshëm ndërkohë që dyshohet se fillimisht ajo është asfiksuar si pasojë e një zjarri që përfshiu dhomën e saj të gjumit. Banesa e familjes Elezi ku jetonte e vetme 45-vjeçarja është parë nga fqinjët të përfshihet nga flakët, ndërkohë që menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e zjarrfikëses dhe shpëtimit. Ndërhyrja e menjëhershme e zjarrfikësve ka bërë që jo vetëm të shpëtohet në kohë 45-vjeçarja, por dhe të eliminohet në kohë përhapja e zjarrit në apartamentet e tjera të këtij pallati të vjetër. Gruaja është gjetur e djegur, ndërsa ndodhej në shtratin e saj dhe menjëherë u dërgua për ndihmë mjekësore në spitalin e qytetit, ku ndodhet në terapi intensive. Drejt banesës së familjes Elezi, mbërritën më pas ekspertët e policisë, të cilët nisën hetimet në lidhje me këtë rast. Nga hetimet e para mësohet se shkak është bërë lënia ndezur e një pajisje për ngrohje me rezistencë, me të cilën gruaja ka qenë duke u ngrohur. Në banesë është shkrumbuar gjithçka, ndërsa ndodhej në mes të dhomës furnela elektrike, e cila dyshohet të ketë qenë shkaku i rënies së zjarrit në apartament.

 

Mat

Gjendet i mbytur në liqen 37-vjeçari, dyshohet vetëmbytja

Një 37-vjeçar gjendet i mbytur në liqenin e Klosit. Burime zyrtare policore bëjnë me dije se bëhet fjalë për shtetasin Nazmi Dika, i cili është gjetur i mbytur nga banorët e zonës. Policia sqaron se 37-vjeçari vuante nga sëmundja e epilepsisë, ndërkohë që po hetohen shkaqet e mbytjes së tij. Viktima, baba i një fëmije ishte nga fshati Bejn i Matit. Policia po heton në dy pista, atë të vetëmbytjes së viktimës, por nuk përjashtohet as ajo e vrasjes së tij.

 

Elbasan

Vetëvritet një i moshuar, gjendet në ullishte i pajetë

Një person i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në Elbasan. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në afërsi të ullishtave pas Shtëpisë së Pritjes, ku kalimtarë të rastit kanë gjetur të varur një person rreth të 60-ve, ende i paidentifikuar nga policia lokale. Paraprakisht mësohet se viktima është i seksit mashkull, rreth 1.70 m i gjatë, me flokë të shkurtra, ngjyrë gështenjë. Forcat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për identifikimin e viktimës, si dhe shkaqet që e kanë çuar në vetëflijim.

 

 

 

Share it :