Artistëve e aktivistëve ne mbrojtje te Teatrit Kombetar u janë bashkuar edhe eksponentë të kampit opozitar si Monika Kryemadhi, Gazment Bardhi dhe të tjerë ish-deputetë e përfaqësues të lartë politik.
Gjithashtu është shtuar edhe prezenca e efektivëve të policisë të cilët kanë krijuar kordon përreth godinave të ministrive në qebdër të Tiranës, pedonales dhe xhamisë.
Kryemadhi i tha gazetares së Fax News, Edona Haklajt se edhe dje kishin dhënë sinjalizime por nuk mbërritën, ndërkohë që pohoi se edhe sot do të qëndronte gjithë natën zgjuar në shesh dhe në këtë kontekst tha se, do të donte që edhe drejtësia shqiptare të ishte zgjuar për të parë se çfarë po ndodh.
“Edhe dje e kishin plan për të hyrë, nuk erdhën, ne këtu jemi. Informacionet të jenë si të duan, do të jemi këtu për të mos lejuar zbatimin e një vendimi të paligjshëm, do të rrimë zgjuar gjithë natën dhe do të donim të ishte zgjuar edhe drejtësia shqiptare për të parë se çfarë po ndodh”, tha Kryemadhi.
Edhe sekretari i përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi u prononcua për Fax News ku tha se, qeveria në vend që ta ketë mendjen tek qytetarët që nuk kanë me çfarë të ushqehen për shkak të pandemisë, e ka mendjen tek uzurpimi i pronës publike dhe dhunimi i qytetarëve.
“Ky është një tjetër shembull në një kohë kur qeveria duhet të jetë në këmbë për të ndihmuar shqiptarët që janë pa bukë. Mendjen e ka si të dhunojë qytetarët, si të pushtojë pronën publike. Ne do të jemi këtu në mbështetje të kauzës së Teatrit. Përfaqëson vlerat historike të artit shqiptar dhe për këtë do të ofrojmë edhe mbështetjen tonë politike sipas thirrjes së përfaqësuesve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit”, tha Bardhi.





