Barcelona mund të mos jetë më pjesë e La Ligës

Barcelona feston fitoren

 

Edhe pse një La Liga pa Barcelonën mund të duket si një utopi, rreziku që “blaugranat” të mos jenë më pjesë e kampionatit më të bukur në botë bëhet gjithnjë e më i madh për shkak të nismës së rajonit katalanas për t’u ndarë nga Spanja. Presidenti i Ligës së futbollit profesionist në Spanjë, Javier Tebas, deklaroi se Barcelona dhe Espanioli nuk do të mund të luajnë në La Liga, nëse Katalunja bëhet e pavarur nga Spanja. Zgjedhjet parlamentare zhvillohen në Katalunjë të dielën dhe procesi i pavarësisë përbën temën kryesore të axhendës për shumë nga votuesit. Ish-trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, është një mbështetës i flaktë i fushatës për ndarjen e Katalunjës nga Spanja, ndërsa lojtarë si Xavi dhe Gerard Pique besojnë se katalanasit duhet të lejohen të shprehen nëpërmjet një referendumi për këtë çështje. Në një kohë kur shumë personalitete nga Katalunja kanë pretenduar se Barça do të mund të vijojë të jetë pjesë e La Ligës, edhe nëse rajoni bëhet i pavarur, Tebas bëri të ditur nëpërmjet një postimi në Twitter. “Nëse Spanja ndahet, ndahet dhe La Liga. Le të shpresojmë që kurrë të mos arrijmë në këtë situatë absurde”. Edhe ministri spanjoll i Sportit, Miguel Cardenal, deklaroi më herët se Barcelona nuk do të mund të jetë pjesë e La Ligës, nëse Katalunja ndahet nga Spanja, ndërsa vetë presidenti i klubit “blaugrana”, Josep Maria Bartomeu, i intervistuar nga “Canal Plus”, deklaroi se klubi i Barcelonës nuk do të përfshihet në politikë para zgjedhjeve.

 

Share it :