Topalli: Ajo që quan Rama ‘era shtet’, quhet era tym hashashi

Jozefina Topalli

 

Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, akuzoi dje Kryeministrin Rama për përfshirjen në listat e deputetëve të personave me të kaluar të dyshuar kriminale, duke përmendur në këtë kontekst edhe raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për situatën në Shqipëri. “Në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit u thanë 3 gjëra. 1-E turpshme që në Parlament ka deputetë me të kaluar të dyshuar për trafik të qenieve njerëzore. 2-Çdo segment i qeverisjes aktuale është i afektuar nga një korrupsion i thellë. 3-Strukturat qeveritare nuk arrijnë as standardin minimal kundër trafiqeve”, – u shpreh deputetja demokrate”. Më tej Topalli listoi edhe gjërat për të cilat sipas saj do të mbahet mend Kryeministri Rama. “Kur të mos jesh më Kryeministër, do të mbahesh mend si Kryeministri që dëboi qytetarët e tij si refugjatë; Si udhëheqësi që burgosi numrin më të madh të qytetarëve të tij, pas Enver Hoxhës; si kryetari që rekrutoi personat me të kaluar të dyshuar; Si politikani që dështoi në çdo fushë; Si piktori që hapi ekspozitë për herë të parë për faktin se ishte Kryeministër”, – theksoi ish-kryetarja e Kuvendit. Po ashtu në fjalën e saj, Topalli tha se Rama duhet të mbajë përgjegjësi për imazhin e dëmtuar të shqiptarëve për shkak të “përfshirjes së mafies në administratë dhe politikë”. “Ajo që quan Kryeministri ‘era shtet’, quhet era tym hashashi. Çdo shifër false është vetëm për turpin e tyre, ndërkohë që populli ha burg”, – deklaroi deputetja demokrate.

 

 

Share it :