“Urgjent dekriminalizimi” / Basha, Ramës: Shkumëzove e djersite, bëj testin e drogës së bashku me Tahirin

 

basha konferencePas deklaratave të kryeministrit Rama dhe ministrit të Brendshëm Tahiri në konferencën kushtuar rezultateve të qeverisë kundër drogës, reagoi dje kreu i PD-së Lulzim Basha duke e cilësuar takimin si një shfaqje të mbushur vetëm me llafe. “I marri nuk ka brirë, thotë populli, por sot Edi Rama i shfaqi brirët e tij”, tha Basha në nisje të konferencës së tij në selinë blu, duke shtuar se kryeministri Rama nuk mund të shpëtojë nga akuzat për trafikun e lëndëve narkotike me shfaqje të kinemave verore.  “Por kur s’ke rezultate pozitive, kur nxin në rekordet e tua nga krimi, kur çdo raport në Berlin, Bruksel, Uashington, Londër apo Paris të përmend si përgjegjësin kryesor të inkriminimit të shtetit, të veshjesh me pushtet të trafikantëve, atëherë s’të mbetet gjë tjetër veçse të organizosh kinemanë verore e të thërrasësh me forcë 2000 policë në këtë kazermë. Nuk e zhbën dot të vërtetën, as me shfaqjen me regji qendrore, as me keqpërdorimin që u bëre sot ambasadorëve, duke thyer edhe kodin e lashtë të shqiptarëve, atë se ‘miku nuk tallet e nuk poshtërohet kur e fton në shtëpinë tënde’. Mos u bëj burracak dhe mos u fshih pas policisë. Mos u fshih në regji qendrore”, tha kreu i PD-së. Ndërkaq duke u kundërpërgjigjur për shifrat e dhëna nga shefi i qeverisë shqiptare, për vitet kur qeveriste e djathta dhe sot të mbjelljes së hashashit në vend, Basha deklaroi se rezultatet e demokratëve ishin të qarta. “Çfarë t’iu mërzis kot me atë që u bë, sepse shqiptarët e dinë se ç’u bë. Ishte Shqipëria në NATO, që nuk mund të futej në qoftë se Habilajt dhe Shullazët do të ishin lidhur me Lulin. Ishte gjithashtu heqja e vizave për qytetarët shqiptarë”, theksoi ai. Në këto kushte kryedemokrati tha se e vetmja zgjidhje është dekriminalizimi, ndërsa theksoi se për ta bërë këtë është mirë që kryeministri ta nisë me testin e drogës për vete dhe ministrin e Brendshëm. Edi Rama shkumëzonte dhe djersiste kundër opozitës dhe medias që i ka nxjerrë në shesh të palarat kutërbuese mbi lidhjet e kësaj qeverie me krimin dhe narkotrafikun. Zgjidhja e vetme për kreun e opozitës mbetet pastrimi i politikës. “Qytetarët, ndërkombëtarët dhe opozita duan dekriminalizimin. Nise me testin e drogës ndaj teje dhe ministrit tënd. Do të ishte një fillim i mbarë”.

 

Share it :