“Arsimi i lartë” dhe “Turizmi” / Mazhoranca rrëzon dekretet e Presidentit: Nuk i rishikojmë. PD: Do e çojmë në Kushtetuese

 

 

komisioni i veprimtariseDebati për arsimin në Kuvend, PD: Mësuesit po shkarkohen politikisht nga puna, emërimet mbi baza politike

Gëzim Saliu

Mazhoranca nuk i merr parasysh dekretet e kreut të shtetit Bujari Nishani për rishqyrtimin në Kuvend të projektligjit për Arsimin e Lartë dhe ai për Turizmin nuk u morën parasysh. Në të dyja komisionet parlamentare, deputetët e majtë votuan kundër dekretit duke pohuar se i qëndrojnë pik për pikë ligjit siç ishte formuluar nga qeveria. Sipas mazhorancës në këto dy ligje nuk ka asnjë pikë antikushtetuese. Ndërkohë opozita i cilësoi si të drejta konstatimet e Presidentit, ku lidhur me ligjin e arsimit theksoi se kufizohet e drejta kushtetuese për arsimim për shkak të tarifave të larta dhe cenohet autonomia e universiteteve. Ndërkaq demokratët kanë paralajmëruar prej kohësh dërgimin e ligjit në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë lidhur me ligjin e turizimt , shumica theksoi se argumentet e Presidentit nuk vërtetojnë se ligji bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjet ne fuqi. Më parë në kthimin e ligjit, kreu i shtetit argumentonte disa pika pse “turizmi” duhej kthyer për rishikim në Kuvend duke theksuar se,: “cënon parimin e decentralizimit të pushtetit vendor kur parashikon transferimin e pasurive të pushtetit lokal në zonat me përparësi turizmin, tek pushteti qendror dhe atë të sigurisë juridike, kur nuk përcakton kushtet e vënies së pasurive shtetërore në dispozicion të investitorëve për 99 vjet me kontratën simbolike 1 euro”

Debati

Komisioni i Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit rrëzoi dje dekretin e Presidenti mbi Ligjin e Turizmit, duke i hapur rrugën seancës parlamentare te shprehet me votë për këtë çështje. “Kemi dashur me kohë, por nuk kemi arritur dot sepse na ka penguar ligji i prokurimit, të bëjmë promovimin e Shqipërisë në disa televizione në Çeki, Poloni, Suedi, Danimarkë, Itali, Gjermani, Francë. E kemi të pamundur”, deklaroi ministri i Ekonomisë Ahmetaj. Por në reagimin e tij deputeti demokrat Genc Ruli theksoi se,: “A krijon ligji i prokurimit pengesë, vështirësi për atë që është investitor, në këtë rast enti shtetëror përkatës? Sigurisht! Është një e keqje e domosdoshme. Pse nuk ka ndryshuar ligji i prokurimit? Atje thuhet që ka përjashtim edhe për turizmin për këto lloje projektesh”. Ndërkohë sipas kreut të Komisionit, ligji i ri i Turizmit duhet te pasohet nga një sere aktesh nënligjore qe do ta bëjnë te vlefshëm dhe te aplikueshëm. “Gjithashtu duhet te adresohet shume shpejt edhe çështja e apartamenteve dhe vilave qe jepen me qera për turizëm, te cilat ky ligj nuk i kategorizon ne strukturat akomoduese”, tha ai. Po ashtu edhe deputetja e PD-së Mimoza Hajdarmata u shpreh ku ndër këtij ligji, ndërsa theksoi se ky sezon turistik pati dhe pasigurinë e rendit, ku incidenti më flagrant ishte vrasja e turistëve ceke, për të cilët ministri Ahmetaj nuk shprehu as ngushëllimet e rastit. “Shqetësues është dhe fenomeni i transferimit të tokave turistike në për interesat klanore të kompanive të qeverisë”, theksoi ajo. Ndërkaq edhe në komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, mazhoranca rrëzoi dekretin e Presidentit për kthimin për rishqyrtim të ligjit të arsimit të lartë. Por në debat e sipër në prezencën në Komision të ministres së Arsimit Nikolla, deputetët demokratë i kërkuan kësaj të fundit sqarime mbi pushimin masiv të mësuesve në Hotolisht, dhe ne vende të tjera, si një vendim arbitrar dhe i paligjshëm. “Mësuesit po lincohen dhe po shkarkohen politikisht nga puna, duke anashkaluar çdo procedurë ligjore”, tha deputeti i PD-së Luçiano Bocci.  Më tej deputetët e PD, theksuan se vetë ligji i ndryshuar nga mazhoranca në maj 2015 parashikon që emërimet e mësuesve bëhen nga drejtori i shkollës në bazë të një komisioni të ngritur, me konkurim të hapur, por emërimet kryhen mbi baza politike dhe aspak mbi meritat profesionale dhe procedurat ligjore.

 

 

Share it :