Rasti Prenga, Kukan: Ka herë që në Shqipëri, situata duket si në filma me kauboj. Fleckenstein: I gjithë sistemi i drejtësisë duhet të reformohet, depolitizim të institucioneve
Deputetët e Parlamentit Evropian shprehin kritika lidhur me zgjedhjet e fundit vendore në vend duke theksuar se ato nuk ishin as të lira dhe as të ndershme. Duke iu referuar edhe raportit përfundimtar të ODIHR, të paraqitur në diskutimet e komisionit të jashtëm të PE-së nga kryesuesja e misionit në Shqipëri Glover, eurodeputeti Kukan tha dje se Shqipëria nevojitet të ketë standarde më të larta në zgjedhje duke qenë se është një vend kandidat për në Bashkimin Evropian. “Duhet të shqetësohemi për sfidat, që janë edhe teknike dhe politike në zgjedhjet shqiptare. Në aspektin teknik shikoj probleme te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sa i përket afateve, udhëzimeve. Nga ana tjetër sfidat politike ishin të shumta në numër duke nisur nga politizimi i institucioneve shtetërore, që rrezikojnë administrimin e procesit elektoral, përdorimi i burimeve shtetërore për qëllime fushate, akuzat për blerje votash, mungesa e transparencës në financimet e fushatës. Këto janë probleme shumë serioze ku nevojitet përgjegjësi e qartë politike. Të gjitha këto çështje janë përmendur në raport dhe më japin përshtypjen se zgjedhjet e fundit lokale në Shqipëri nuk mund të përshkruhen si të lira dhe të ndershme”, pohoi ai. I pyetur nga abc news se pse raportuesi për Shqipërinë Knut Fleckenstein nuk ndante me të të njëjtin mendim për këtë pikë, Kukan theksoi se,: “Unë përmenda që raporti i OSBE/ODIHR është kritik. Unë thashë që kishte disa vlerësime pozitive dhe unë i përmenda ato, por kishte tepër shembuj parregullsish etj etj. Isha i gëzuar kur zonja Glover, shpjegoi se ata nuk e kanë përdorur këtë terminologji, sepse në fakt, në asnjë faqe të raportit nuk gjendet shprehja : “Zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme” Prandaj, unë e vura në pah. Por ajo shpjegoi, se OSBE/ODIHR ka disa rregulla dhe kritere që përdor në këtë rast dhe ndoshta për këtë arsye, kjo frazë nuk gjendej në raport. Unë desha të tregoj që është e rëndësishme të jemi objektivë. Mua më duket se ka tepër gjëra negative në raportin e OSBE/ODIHR”. Ndërkohë raportuesi Fleckenstein theksoi se,: “Ne në fakt jemi tërësisht dakort, vetëm që Kukan thotë gota është gjysëm plot, unë them që është gjysëm bosh. Pra, ne jemi dakort mbi gjysmën dhe që mbetet shumë punë për të bërë”.
Dekriminalizimi
Një tjetër çështje që shqetëson Parlamentin Evropian është ajo që lidhet me procesin e dekriminalizimit, ku sipas eurodeputetit Kukan kryerja e tij është një emergjencë për Shqipërinë. “Në Parlamentin Evropian kemi pritur që kjo çështje do të zgjidhej përpara zgjedhjeve lokale. Edhe pse këto zgjedhje ishin një shans për partitë politike reagimi ka qenë i paqartë. Dëgjojmë çdo ditë për deputetë me të shkuar kriminale, të cilët përpiqen të përdorin imunitetin. Rekomandimet e OSBE- ODIHR duhen zbatuar plotësisht”, u shpreh Kukan. I pyetur për rastin Prenga, Kukan tha se,: “ Ne kemi dëgjuar për akte kriminale nga deputetë shqiptarë. I fundit ishte zoti Prenga, që qëlloi mbi qytetarët. Kjo është e tmerrshme. Ka herë që në Shqipëri, situata duket si në filma me kauboj. Do më falni, më falni vërtet, por kështu duket. Është vërtet e rëndë të qëllosh mbi qytetarët dhe kjo e bën më urgjente zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe spastrimin e klasës politike, që të mos lejohen persona që kanë të shkuar kriminale që të marrin pjesë në jetën politike. Sa më shpejt që ky ligj të aprovohet, aq më mirë është për të gjithë”. Ndërkohë Fleckenstein tha se me rëndësi parësore është që i gjithë sistemi i drejtësisë të reformohet dhe të depolitizohet. “Depolitizimi i institucioneve është pika më rëndësishme për mua, sepse nëse qytetarët kanë besim te gjyqësori dhe nëse ata janë të vetëdijshëm që prokurorët dhe gjyqëtarët nuk janë të lidhur me politikën e kësaj apo asaj partie, ata do të guxojnë të denoncojnë raste në polici apo në prokurori”, deklaroi ai.




