Violeta Murati
Këto ditë gazeta “Standard”, duke marrë shkas nga botimi i librit “Netë moldave” të Mitrush Kutelit me materiale të botuara në vitet `43-`44 në libra ose në shtypin periodik të kohës, ku veç tregimeve, episodeve dhe përjetimeve në tokën e Ukrainës – u hap një trajtë debati që gati u quajt herezi. Bëhej fjalë për një temë delikate që rëndonte dy palë: së pari drejtpërdrejt shkrimtarin Mitrush Kuteli, sipas një të dhëne jo të konfirmuar, se ka qenë përfshirë në betejën e përgjakshme të Stalingradit, si oficer nazist; dhe së dyti këtë rëndesë apo të dhënë e ka përcjellë së fundi edhe shkrimtari Ismail Kadare në librin e tij “Mëngjeset në Kafe Rostand”. Por ky i fundit, siç shkruan për “Standard”, ka një pohim absolut se kjo është një pandehmë e treguar jo si e vërtetë e besueshme. Megjithatë trashëgimtarët e Mitrush Kutelit e kanë ndërtuar librin “Netë moldave” mbi një parathënie krejtësisht me synime rehabilitimi për këtë keqinformim, duke akuzuar drejtpërdrejt Kadarenë për të pavërteta e pasaktësi të jetës. Deri këtu është krejtësisht e drejta e familjarëve që të thonë mbi bazë letrash, faktesh e dokumentesh të lëna nga shkrimtari gjithë të vërtetat që lidhen me këtë personalitet. Ndërkohë, duhet thënë se askush deri më sot, as Akademi Shkencash dhe as Qendra Albanologjike nuk është marrë të ndërtojë një monografi mbi jetën e veprën e Kutelit. Në këtë hamulli sigurisht deri tani ka vlerë gjithçka e boton familja nga arkivi i shkrimtarit.
Ndërsa debati në fjalë prek përtej këtij organizmi arkivor nga familja. Kuteli për herë të parë vihet në diskutime për shkak se dënimi i tij ka plot njolla të errëta, po aq sa akuza dhe dosja e tij e hetimit. Si bankier, si shkrimtar, si publicist Kuteli mbetet figura e vetme emblemë me një jetë personale e letrare të stuhishme, të rrallë për nga natyra e përjetimeve dhe e historisë nëpër të cilën ka shkelur. Bankier në Rumani, i përfshirë dy herë në armatën rumune, ai ka sjellë në shqip kryeveprat ruse, po ashtu duke lënë një letërsi të shkruar, krijimtari të pakrahasueshme për nga stili letrar. Por ashtu si fati i Lasgushit, ndoshta më pa shkak i Kutelit, kjo krijimtari ka mbetur brenda mureve të Shqipërisë, e panjohur e paballafaquar me letërsinë evropiane. Arsyeja?! Ky debat hapur në “Standard” këtë ka kontekst, por edhe një nga momentet më të rëndësishme të jetës së Kutelit, dënimin e tij.
Trashëgimtarët thonë se akuza politike për “mobilizim” ka ardhur nga qarqet letrare dhe kjo është arsyeja, sipas tyre, e dënimit në `47-ën, kur Kuteli u dënua me pesë vite burg, por vuajti vetëm dy vjet dënim. Nga ana tjetër, një version që e mohojnë si duket totalisht familjarët, por i theksuar nga një pjesë e mirë e njerëzve të letrave sot, është çështja e Kosovës, e pikërisht “Poemi kosovar” i Kutelit që i dha dënimin. Nuk dihet saktësisht pse u dënua Kuteli; tezat hidhen midis Kosovës dhe përfshirjes së tij, angazhimit në luftë përkrah forcave gjermane, madje me zëra se u bë pjesë e “Rojës së Hekurt”. Me një histori të hershme, kjo vjen e zbardhur vetëm pas 25 vitesh nga familjarët.
Pas çlirimit dënohet me dy vite burg, por shkrimtarë të rëndësishëm, zyrtarë të kohës, por edhe sot, shkruajnë të pasigurtë në bëri një apo dy vjet burg?! Kuteli heshti dhe u mor vetëm me përkthime në diktaturë, iu ndalua botimi! Ai u fshi nga lista e shkrimtarëve, ashtu si shumë të tjerëve pas `45-ës.
Trashëgimtarët për herë të parë ndalen në këto momente, duke dhënë versionin e tyre mbi këto ngjarje të jetës së shkrimtarit. Atalanta, Doruntina dhe Pandeli Pasko në librin “Netë moldave” japin në parathënie e tij dëshminë e tyre, çfarë ka ndodhur me “njollën e errët” kur Kutelit iu edha akuza si “armik i popullit” dhe u dënua “për agjitacion e propagandë”, ndërsa ngrihen nën zë akuza politike, mirëfilli.
Për të zbardhur këto “anë të errëta” të Kutelit trashëgimtarët vendosën të botonin librin “Netë moldave”, një botim i veçantë bashkë me materialin letrar që merr si pikënisje “marshimin”, siç e quajnë familjarët, të Kutelit drejt Frontit të Lindjes ose ku përmendet Stalingradi. Trashëgimtarët tërheqin vëmendjen se me këtë qëllim, në rastin e Kutelit të kuptohet se “kapota e ushtarakut s’ka asnjë lidhje me njeriun brenda saj, që mbetet e paprekur nga ideologjitë të cilat pjellin luftëra”.
Heshtja e Kutelit mbetet një enigmë sa letrare dhe jashtëletrare që, si duket, edhe në këta vjet përcillet me pandehma, pa mundur të përfshijë në një debat më të madh e në vëmendje shkencore e historike studiuesit. Apo “të lejohet” për të kaluar kufijtë!




