Shërbimet inteligjente italiane dhe hetimet e Prokurorisë së Palermos kanë lëshuar alarmin se 1.5 milionë emigrantë do të vijnë në Evropë përmes rrugës tokësore, duke kaluar nga Ballkani.
Sipas deklaratës së Prokurorisë së Palermos “rruga për të ardhur në Evropë përmes detit nuk është më zgjedhja që po bëjnë emigrantët. Rruga kryesore tashmë prej tyre shihet rruga tokësore përmes Ballkanit. Vetëm një numër i vogël emigrantësh drejtohen drejt Libisë, ku edhe bëhet nisja nga deti drejt Evropës. Një numër gjithnjë e në rritje të emigrantëve tashmë po përpiqen që të mbërrijnë në Evropë përmes rrugës tokësore nga Ballkani. Këtë e ka konfirmuar ministri i Brendshëm italian Angelino Alfano, i cili gjatë ditës së djeshme ka deklaruar: “Nga data 1 janar e deri më sot janë 9376 emigrantë të larguar nga Italia përmes detit dhe disa prej tyre nuk janë pranuar në kufijtë italianë e disa janë riatdhesuar, si dhe janë arrestuar 468 skafistë”.
Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Palermos, shprehet ministri Alfone, arrestimet e kryera kanë bindur organizatat kriminale të ndryshojnë rrugën e ardhjes së emigranteve përmes detit në Itali, duke e konsideruar të rrezikshme, sepse mund të arrestohen. Kështu kanë kërkuar një rrugë tjetër më të sigurt atë ballkanike.
Ky përfundim i Prokurorisë së Palermos, me prokurorin Francesco Lo Voi në krye, ka ardhur si rezultat i përgjimit të 30 mijë telefonatave në gjuhë të ndryshme, ku organizatat kriminale të trafikimit të qenieve njerëzore shprehin shqetësimin e tyre të arrestimit të shumë skafistëve në territorin italian. Këtë e vërtetojnë edhe dëshmitë e marra nga skafisti i penduar Nuredin Wehabrebi Atta, i cili rrëfen se si funksionon grupi i trafikantëve i drejtuar nga Ghermay Hermias e sudanezi Jhon Mharay, ndaj të cilit ekziston një urdhër arrestimi ndërkombëtar.
“Në Itali na arrestojnë, duhet të ndryshojmë rruge”, – theksojnë telefonatat e përgjuara të trafikantëve nga Prokuroria e Palermos.
Rruga e re nga Siria drejt Evropës kalon nga Turqia, Bullgaria, Rumania, Sllovenia, Serbia, Hungaria për të mbërritur në veri të Evropës që në mënyrë të tillë të shmangin brigjet e Italisë.





