JASHTË LOGJIKËS – PËRBALLË FORMAVE TË REJA TË KAOSIT

Azilantët shqiptarë ne vlore 

 

Edhe nga kërkesat ambicioze të refugjatëve/migrantë, mund të kuptohet se bota arabe e konservuar në sekte, në fise e në etni, tashmë po shpërbëhet dhe po kërkon një ribërje të re. Konservimi i tejzgjatur është kompromentuar përfundimisht.

Milazim KRASNIQI

Kriza e refugjatëve nga Siria, po edhe nga Iraku, nga Afganistani e gjithandej nga brigjet libiane, përditë e më shumë po merr përmasat e një tragjedie dhe kaosi, i cili është duke thyer e shlyer kufijtë e dikurshëm ndërmjet besimeve fetare, rajoneve gjeografike dhe doktrinave politike e ideologjike. Atë që Zbigniev Brzhezhinski e quante si gjendje “jashtë kontrollit” pas rënies së bipolaritetit të botës, kur është fjala veçmas për tronditjen e botës arabe, mund ta quajmë gjendje jashtë logjikës. Do të duhet kohë që të ridefinohet kjo gjendje dhe të gjenden shkaqet që e kanë sjellë këtë ngatërrim tragjik e kaotik, me efekte tashmë globale. Megjithatë, disa nga shkaqet janë më të dukshme.

 

Pranvera Arabe dhe rikthimi i konfrontimeve sektare e fisnore

 

E para, lufta shkatërrimtare në Siri, po edhe në Irak, Jemen e Libi, ka elemente të forta të luftës sektare, pra luftë deri në shfarosje ndërmjet pjesëtarëve të sekteve të ndryshme të myslimanëve dhe fiseve apo edhe të etnive të ndryshme arabe. Rikthimi te ndarjet egërshane sektare, fisnore e etnike, në një botë që sot është më e globalizuar se kurrë ndonjëherë, është jashtë logjikës. Prandaj që në fillim shtrohet pyetja: pse feja islame, e cila në esencën e saj është fe universale, ka përjetuar degradim kaq të rëndë tek sektet, fiset dhe etnitë me substrat arab, sa t’i imponohen dogmat sektare? Është një pyetje që sot për sot, kur ky degradim po derdhë gjakun e njerëzve rrëke, nuk ka një përgjigje të plotë. Në fakt, ndarjet sektare të arabëve kanë ekzistuar që nga fillimi dhe e kanë mbajtur të sfiduar vazhdimisht univeralizmin islam. Vrasja në seri e tre halifëve (Omerit, Othmanit dhe Aliut) dhe luftërat sektare e civile më mëvonshme nuk janë fashitur kurrë plotësisht. Sektet, fiset e etnitë kanë bashkëjetuar e kanë bashkëpunuar në kohë të ndryshme, por janë konfrontuar e kanë luftuar egërsisht në kohë të tjera. (Ata që kanë njohuri të cekëta, këtë e paraqesin si dobësi të Islamit, ndërsa kjo është në të vërtetë dobësi e njerëzve myslimanë, që kanë dobësi, padituri, ambicie, egoizëm e urrejtje irracionale, si të gjitha krijesat e tjera njerëzore. E njëjta gjë vlen edhe për fetë e tjera monoteiste, judaizmin dhe krishterimin, ku devijimet, ndasitë dhe luftërat sektare kanë qenë e janë vepra të njerëzve e kurrsesi mësime të Shpalljeve Hyjnore).

Në këtë kontekst, ajo që sot quhet bota arabe, ka përjetuar një konservim të ndarjeve sektare, fisnore e etnike, nën presionin e luftërave të hershme sektare e civile, pushtimeve mongole e osmane, dominimeve koloniale perëndimore, si dhe me riorganizimin gjeopolitik të kohëve moderne, nën shemën e ndarjes sipas interesave bipolare dhe ideologjike të botës pas Luftës së Dytë Botërore. Ky konservim i ndarjeve sektare, fisnore e etnike ndër arabë, nuk ka lejuar krijimin e një kombi të mirëfilltë arab, e as marrjen prej vetë arabëve të një roli më të dukshëm emancipues në kuadër të botës myslimane në kohët moderne. Roli i tillë u është pranuar për simbolikë, falë faktit që Shpallja e fundit ka ardhur në gjuhën e tyre, profeti i fundit ka qenë i përkatësisë së tyre etnike dhe dy vende të shenjta (Meka e Medina) janë brenda tokave të tyre. Por, jo se bota arabe ka prodhuar vlera kulturore e qytetërimore konkurruese për myslimanët e as për njerëzimin në kohët e reja. Natyrisht, ndarjet sektare, fisnore dhe etnike, si gjendje kronike e arabëve, u kanë shkuar për shtat Fuqive të Mëdha, sepse përmes këtyre ndarjeve ato e kanë rritur influencën e tyre në rajonin më të pasur të botës me naftë. Influenca e Fuqive të Mëdha është siguruar më lehtë edhe me anën e regjimeve diktatoriale, që kanë sunduar me decenie gjithandej shteteve arabe. Por, ato regjime u tronditën nga e ashtuquajtura Pranvera Arabe, me ç’rast regjimet diktatoriale ranë në Tunizi, në Egjipt e në Libi, ndërsa u tronditën edhe në Bahrejn, Jordani e veçmas në Siri, ku shpërtheu lufta sektare, fisnore, etnike dhe civile, e cila po vazhdon me egërsi të papërshkrueshme edhe sot. (Regjimi diktatorial Sadam Husejnit në Irak u rrëzua disa vite më herët, nga intervenimi ushtarak amerikan në atë vend). E ashtuquajtura Pranvera Arabe arriti vetëm të rrëzonte regjimet diktatoriale në Tunizi, Egjipt e Libi, por nuk arriti të konsolidonte qeverisje normale e lëre më demokratike. Përkundrazi, në disa shtete si në Libi e në Siri, shpërthyen edhe më egërsisht ndarjet e përgjakshme fisnore e sektare, që po bëjnë kërdinë, ndërsa në Egjipt, pas një eksperimenti të dështuar të “Vëllazërisë Myslimane”, e mori pushtetin hunta ushtarake. Siria tashmë është një shtet i shpërbërë, Iraku në një gjendje gjysmanarkike, Jemeni në luftë sektare e me ndërhyrje nga jashtë, të motivuar po ashtu nga ideologji sektare, Edhe Libia është e ndarë në disa feude fisnore dhe në gjendje gjysmanarkike. Prandaj, mund të thuhet se e ashtuquajtura Pranvera Arabe vetëm sa ia ka hequr kapakun konservës së ndarjeve sektare, fisnore e etnike, me çka virulenca e dhunës është shumëfishuar. Bota arabe sot ka në këmbë masat e trazuara, por që më të shumtën reagojnë e veprojnë sipas linjave sektare, fisnore e etnike. Fatkeqësisht, bota arabe duket sheshit që nuk ka elita drejtuese të mirëfillta, do të ofronin një mundësi të daljes nga gjendja e krizës, me ofrimin e projekteve konkrete. Mungesa e një elite të tillë, në një botë me mbi njëqind milionë frymë, që flasin një gjuhë, i përkasin një feje dhe jetojnë në një hapësirë kompakte gjeografike, është gjendje jashtë logjikës po ashtu. Por, ky është realiteti arab sot. Prandaj, mund të thuhet se humbja e karakterit universal të fesë islame ndër arabë dhe mosformimi i një kombi unik arab, janë shkaqet kryesore të tragjedive të sotme, pra jo vetëm të refugjatëve por të gjithë botës arabe.

Në këtë kontekst, është e kuptueshme, ndonëse jo krejt e logjikshme, që ende gjenden “teoricienë” që lamentojnë se Perëndimi në periudhën e kolonializmit po edhe deri në ditët tona, nuk i kanë lënë arabët ta afirmojë fenë islame si fe universale dhe të shndërrohen në komb unik arab. Por, edhe teoricienët e tillë duhet të kenë para sysh se në këtë botë që gjithë historinë e ka si një botë e konfrontuar interesash shumëplanëshe, kundërshtarët dhe armiqtë asnjë fe dhe asnjë komb nuk i kanë lënë të formohen me qejf e me fanfare. Kombet formohen në bazë të projekteve që hartojnë elitat dhe i përmbarojnë pjesëtarët e atij kombi, më të shumtën me luftëra kombformuese (Po të shikohet përvoja shqiptare, mund të thuhet se ne shqiptarët gjatë historisë kemi pasur pengesa shumë më të mëdha se sa arabët në rrugën e kombformimit. Jemi bërë në një rrethim armiqësor dhe në një kontekst gjeopolitik shumë më të pafavorshëm se sa arabët).

 

Zhvillime të reja në relacionet Lindje-Perëndim

 

Gjëja e dytë që duket si jashtë logjikës është se vija ndarëse ndërmjet botës arabe dhe botës tjetër, konkretisht Perëndimit, nga kjo krizë e re, sidomos e refugjatëve, sikur po zbehet. Shtetet arabe: Arabia Saudite, Kuvajti, Emiratet e Bashkuara, Bahrejni dhe Katari, refuzojnë të pranojnë refugjatë nga Siria e nga Iraku, duke shprehur një mungesë të çuditshme të solidaritetit fetar e etnik ndaj myslimanëve arabë (Përjashtim bëjnë Jordania e Libani që kanë një numër të madh refugjatësh sirianë e irakianë dhe Turqia që ka strehuar rreth dy milionë refugjatë sirianë, duke mos qenë një shtet arab, po shtet me shumicë myslimane të banorëve të vet). Ndërsa, nga ana tjetër, strehimi i një numri të madh të refugjatëve sirianë e irakianë, po edhe afganë, libianë, somalezë, bangladeshas etj. në Evropë është një zhvillim mbresëlënës. Pranimi me numër kaq të madh i refugjatëve që me shumicë absolute janë myslimanë dhe me një solidaritet të paimagjinueshëm, veçmas nga Gjermania, praktikisht e rrëzon teorinë e Samuel Hantingtonit për përplasjen e qytetërimeve dhe të besimeve. Në rastin kur shtetet e Bashkimit Evropian, me gjithë dilemat dhe konfuzionin e disave prej tyre, pranojnë valë refugjatësh nga bota arabe, ndërsa po këta refugjatë i refuzojnë kategorikisht shtetet më të pasura arabe e myslimane (ndër to edhe Arabia Saudite që mban statusin e kujdestarit të vendeve të shenjta myslimane), ky është një zhvillim kundër teorisë së famshme hantingtoniane.

 

Deformimi i interpretimeve prodhon terrorizmin

 

E treta, monstrumi në formën e ISIL-it, që doli nga ndarja sektare fillimisht në Irak, por që u zgjerua si gangrenë edhe në Siri (pa lënë mënjanë organizatat e tjera terroriste si Al Kaida, talebanët, Al Nusra e deri te Boko Harami) është një zhvillim që po ashtu duket jashtë logjikës. Meqë absolutisht nuk kanë mbështetje në Shpalljen e fundit dhe në asnjë Shpallje Hyjnore, është e habitshme se si kanë arritur terroristët të mobilizojnë numër aq të madh pjesëtarësh, me pasion morbid vrasjen dhe shkatërrimin e çdo gjëje në emër të fesë. Por, edhe në këtë rast, si edhe shumë herë të tjera në histori, rezulton se interpretimi dogmatik, parcial, militant dhe jashtëkontekstual i fragmenteve të Shpalljeve Hyjnore, mund të sajojë truall të përshtatshëm për ideologjitë e krimit. Kështu ka ndodhur në histori edhe me kryqëzatat, kështu ka ndodhur me doktrinat e devijuara havarixhe, kështu ka ndodhur edhe me ortodoksinë ekstremiste hebraike. Megjithatë, barbaria e sotme e ISIL-it, e ekspozuar ndaj mediatizimit të jashtëzakonshëm, ka tejkaluar çdo parashikim se si mund të deformohen ashtu interpretimet e besimit fetar islam. Të sajosh pretekste “juridike” për të shfarosur njerëz e kultura, kjo paraqet një sfidë të re për botën myslimane, por edhe për mbarë njerëzimin. Për botën myslimane, në rend të parë, sepse ajo po i vuan edhe pasojat e perceptimit që prodhohet nga barbaria e ISIL-it, ndërsa për mbarë botën ngase duhet një koalicion global për ta mposhtur këtë lloj barbarie të re.

 

A po lëkunden doktrinat politike

 

E katërta, në Evropë po ndodhë edhe një zhvillim “jashtë logjikës” sa i takon ndarjes politike e ideologjike lidhur me refugjatët nga bota arabe dhe ajo myslimane. Disa eksponentë të së djathtës, si kryeministri hungarez, Viktor Orbani, kanë mbetur në istikamet e veta ksenofobike e islamofobike. Ndërtimi i murit nga Hungaria në kufi me Serbinë, për të ndalur refugjatët, është një konfirmim i absurditetit të kësaj mendësie politike e ideologjike. Çka do të ndodhte nëse edhe Serbia ngre mur në kufi me Maqedoninë, nëse Maqedonia ngre mur në kufi me Greqinë dhe më tutje Turqia ngre mur në kufi me Sirinë? (Fatkeqësisht, Izraeli është duke ngritur tashmë mur në kufi me Jordaninë). Në botën e sotme të globalizuar, muret më nuk ndalin migrimet, integrimet dhe lëvizjet demografike, nga më të paparashikuarat. Politikat dhe ideologjitë ksenofobike janë në sprova serioze përballë presionit të opinionit publik dhe qeverive demokratike.

Për dallim prej djathtistëve kokëfortëve si Viktor Orbani, po edhe disa drejtuesve çekë e sllovakë, që po manifestojnë simptome ksenofobike e islamofobike, pjesa më e madhe e të djathtës evropiane realisht ka treguar moderacion dhe deri diku edhe ndryshim të kursit doktrinar, në favor të mirëkuptimit për tragjedinë e refugjatëve. Demokristiania Angela Merkeli është simboli i këtij kursi të ri dhe i këtij humanizmi të ri. Gjermania e drejtuar prej saj po bëhet një fanar i ri i mirëkuptimit ndërmjet popujve, feve e kulturave të ndryshme. Po shihet se Evropa dhe bota gjithmonë paskëshin pasur nevojë për një këso Gjermanie, e cila prin në humanizëm dhe thyen tabutë e rrënjosura raciale.

E pesta, refugjatët e sotëm, me kërkesat e tyre, duken si njerëz  “jashtë logjikës” së deritashme, ku janë sjellë tradicionalisht refugjatët. Ata nuk po kërkojnë vetëm të shpëtojnë nga lufta, sepse të shpëtuar nga lufta ata llogariten sapo dalin nga zonat e luftimeve, pra edhe në Turqi, edhe në Greqi, në Maqedoni, në Serbi e Hungari, ku mund të akomodohen si refugjatë. Por, ata po kërkojnë me insistim dhe madje me rebelime, që të shkojnë kryesisht në Gjermani, e pakta në Skandinavi! Kur kërkojnë diçka të tillë, duke qenë të siguruar si refugjatë edhe në vendet e tjera, ata nga refugjatë automatikisht po shndërrohen në migrantë. Bile, nga intervistat që japin, shihet se jo pak prej tyre janë të infektuar prej ideve të konsumerizmit dhe hedonizmit. Nëse këta njerëz janë deri diku pasqyrë e shoqërive të cilat i kanë braktisur, kjo do të thotë që ato shoqëri duhet të transformohen rrënjësisht, nëse duan të ekzistojnë, sepse vetëm përfundimi i luftërave nuk do t’u ndihmojë që të ribëhen. Nëse nuk transformohen në shtete demokratike dhe entitete te lirisë, me mundësi të barabarta për të gjithë pjesëtarët e jo me favore për sekte e fise, do të shndërrohen në tokë të shkretë, po të përdorim metaforën e famshme të poemës me të njëjtin titull të Tomas Sterns Eliotit.

 

Vetëm liria për të gjithë ofron zgjidhje

 

Pra, edhe nga kërkesat ambicioze të refugjatëve/migrantë, mund të kuptohet se bota arabe e konservuar në sekte, në fise e në etni, tashmë po shpërbëhet dhe po kërkon një ribërje të re. Konservimi i tejzgjatur është kompromentuar përfundimisht. As bota arabe më nuk mund të funksionojë në atë formë ndarjesh sektare, fisnore dhe etnike, me regjime diktatoriale e me shtete të dështuara.

Globalizimi e ka shndërruar botën në një ndërvarësi shumë më të madhe, se sa që mund ta kenë ëndërruar vetë filoglobalistët. Tash edhe refugjatët po duan të bëhen pjesë e shteteve demokratike, të begata e me shanse të barabarta. Kjo do të thotë se është e domosdoshme që krahas ndaljes së gjakderdhjes në shtetet e shkretëruara nga luftërat, çmontimit te qeverive diktatoriale, çrrënjosjes së terrorizmit, mbrojtjes së plotë ligjore të lirive fetare të të gjithë njerëzve, bota e sotme duhet të rimodelohet, si botë e lirisë. Po të përdorim termat e Fared Zakarias, mund të themi se demokracia nuk mjafton më. Vetëm liria e të gjithëve, si standard ligjor i panegocueshëm, në çdo cep të globit, është garanci për të shmangur, jo vetëm luftërat sektare e lokale, po edhe format e paparashikuara dhe me efekte globale të kaosit.

8 shtator 2015

 

Share it :