Një tjetër çështje mjaft e debatuar në sallën e Parlamentit ishte edhe ajo për dekriminalizimin, ku demokratët akuzuan mazhorancën se nuk po tregon vullnetin e duhur për këtë proces. Në kundërpërgjigje të deklaratave të opozitës, deputeti socialist Taulant Balla tha se dekriminalizimi duhet të nisë nga Arben Ristani dhe Lulzim Basha. Sipas Ballës, Basha nuk shkarkoi shoferin e ambasadës, kur iu kap me 5 kg heroinë në Shkup, ndërkohë që kur prokuroria i bënte thirrje të paraqitej në prokurori, ai thoshte jam sëmurë. “Pse nuk e shkarkove Arsen Selmanllarin kur ishe kryeministër? Apo se ishte djali i xhajës së shokut të ngushtë të djalit tënd? Por ti as nuk të shkoi ndërmend, sepse ishte, po të hapej dosja atë kohë, sigurisht që dilte yt bir… Pse nuk e shkarkoi shoferin e ambasadës në Shkup Lulzim Basha, i cili u arrestua me 5 kg heroinë? Basha ishte ministër i Jashtëm, ai e kishte emëruar shoferin e ambasadës, i cili u kap me drogë. Gjithçka keni thënë këto ditë është bumerangu juaj i radhës, sepse bëni gabimin më të çuditshëm, sulmoni aty ku rezultat janë më kokëforta. Jua tha ministri i Brendshëm dhe ndiej detyrën t’jua ripërsëris. Ju keni rekordin më të turpshëm të përballjes së shtetit me trafikantët, sepse të gjitha shifrat janë kundër jush”, – tha Balla.




