Rama ka sfiduar thirrjet e ndërkombëtarëve me mendësinë tipike të Haxhi Qamilit “ç’më duhet Uashingtoni kur kam Roshin, ç’më duhet Brukseli kur kam Bushin”
Gëzim Saliu
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi dje në mbledhjen e grupit parlamentar se tre janë kërkesat kryesore të opozitës: dekriminalizimi, dorëheqja dhe hetimi i Metës dhe Tahirit si edhe plani i shpëtimit ekonomik. Duke bërë të ditur se për to kërkon zgjidhje në rrugë institucionale, kryedemokrati paralajmëroi mazhorancën se nuk ka shumë kohë për të vendosur, pasi në të kundërt zgjidhja do të vijë përmes veprimit së bashku me qytetarët. “Votimi i projektligjit të dekriminalizimit, dorëheqjet dhe hetimi i Metës dhe Tahirit, plani ekonomik i shpëtimit janë sot oferta e Partisë Demokratike për nxjerrjen e vendit nga qarku i skandaleve dhe zbutjen e krizës ekonomike. Dëshirojmë zgjidhje institucionale. Por nuk do të presim, sepse nuk ka kohë më për të pritur. Këto kërkesa do t’i ndajmë dhe çojmë përpara me qytetarët shqiptarë në turin politik që unë dhe gjithë së bashku me mua do të ndërmarrim në mbarë vendin, nga Jugu ne veri nga Lindja në Perëndim. Nyja e nyjeve ku janë lidhur skandalet, turpet, dështimet dhe kriza e thellë ekonomike, është kryeministri i vendit, qeverisja e tij e dështuar. Po vjen ora e veprimeve. Do të vendosim me qytetarët, do të veprojmë me qytetarët, do të fitojmë me dhe për qytetarët”, – tha Basha.
Kriminalizimi dhe keqqeverisja
Për shefin e opozitës, Shqipëria është kthyer në një fushë të minuar nga një qeveri që, sipas tij, është kampione në papërgjegjshmëri, paaftësi, korrupsion dhe kriminalizim. “Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, akuzohet nga avokatët e qeverisë shqiptare për marrjen e një ryshfeti në qindra milion lekë, në aferën e mbledhjes së borxheve të energjisë elektrike nga një kompani e bekuar prej tij, që drejtohej nga miku i tij, Kastriot Ismailaj, person që aktualisht është i arrestuar për pastrim parash. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, akuzohet nga oficerë të lartë të policisë, të angazhuar për vite në luftën antidrogë, si kumbari i bandave të narkotikëve në Jug, kryesisht në rajonin e Vlorës. Fakte dhe prova ta pakundërshtueshme kanë dalë e po dalin në dritë. Ndërkohë, avionët e drogës nga Shqipëria bien njëri pas tjetrit në duart e policisë italiane, së bashku me trafikantët dhe ngarkesat e drogës shqiptare, së bashku me alibitë e shpëlara të ministrit të dalë boje në sytë e të gjithëve si bashkëpunëtor, protektor dhe përgjegjës i kthimit të Shqipërisë në një kopsht kolumbian të drogës”, – theksoi Basha. Më tej kreu demokrat tha se ekonomia shqiptare është në rënie të lirë dhe se qindra vende pune mbyllen çdo ditë. Për opozitën, konsumi dhe kreditimi janë në rënie si vetë besimi i sipërmarrësve dhe konsumatorëve. “Edi Rama dhe Ilir Meta kaluan hajdutçe, larg syve e veshëve të publikut, në errësirën e natës së 29 korrikut, aktin normativ të shkurtimit të shpenzimeve. Shkurtuan fondet e rrogave dhe pensioneve duke e renditur Shqipërinë së bashku me Bjellorusinë e Lukashenkos në dy vendet e vetme në Evropë që ulën rrogat dhe pensionet e qytetarëve të tyre. Akti normativ ka ulur me 90 milion dollarë parashikimin e mbledhjes së të ardhurave edhe për 4 muajt e mbetur të këtij vit”, – pohoi ai. Ndërkaq, Basha deklaroi se Rama është përgjegjësi numër një për futjen në Kuvendin e Shqipërisë dhe emërimin në poste publike të individëve me rekorde të tmerrshme kriminale. “Partnerët tanë janë të skandalizuar dhe të tronditur me rekordet e zeza të qeverisë. Edi Ramës i kërkohet prej kohësh t’u japë duart njëherë e mirë individëve me rekorde kriminale në qeverisjen e tij. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje të hapura të miratojë me opozitën ligjin e dekriminalizimit dhe të mos kandidojë individë me rekorde kriminale në zgjedhjet vendore. Kryeministri i Shqipërisë i ka sfiduar këto thirrje me mendësinë tipike të Haxhi Qamilit “ç’më duhet Uashingtoni kur kam Roshin, ç’më duhet Brukseli kur kam Bushin”“, – tha kryedemokrati Basha.




