Kreu i grupit parlamentar të LSI-së deklaroi dje se raporti i ODIHR-it ka si konstatime të reja ashtu edhe të vjetra por më e rëndësishmja sipas tij është që palët të punojnë së bashku për të përmirësuar vërejtjet. “Ky raport i fundit që bën një vështrim integral dhe të plotë të zgjedhjeve nënvizon dhe është shumë pozitive, që fushata përgjithësisht në Shqipëri u zhvillua e qetë, të drejtat themelore të shprehjes dhe grumbullimit të personave janë respektuar dhe tonet e fushatës ishin më të përmirësuara se më parë. Këto konstatime pozitive janë një motiv më shumë për të ecur në rrugën e përmirësimit, por vëmendje e madhe e të gjithë partive në Shqipëri është përqendrimi dhe në ato vërejtje, konstatime dhe çështje që duhen përmirësuar në procesin zgjedhor. Ka konstatime të reja, por edhe të tjera nga zgjedhjet e mëparshme që duhen përmirësuar. Përgjithësisht shumica e vërejtjeve kanë të bëjnë me përmirësime të karakterit legjislativ, të administrimit dhe teknik. Vërejtjet janë të mirëpritura dhe kërkojnë përgjigje të menjëhershme”, – theksoi ai. Sipas Vasilit, politika duhet të bashkëpunojë për adresimin dhe përmirësimin sa më parë të vërejtjeve për përmirësimin e standardeve në zgjedhjet e ardhshme. “Duhet t’i futemi sa më parë procesit të përmirësimit të vërejtjeve të konstatuara, të mos lejojmë që ky proces përmirësimi të jetë i javëve të fundit, kompromiseve të nxituara dhe të sforcuara që zgjidhin pjesërisht disa probleme, por riciklojnë problemet e vjetra. Shprehim vullnetin e plotë si LSI për të kontribuar pa asnjë kusht në përmirësimin e menjëhershëm të konstatimit të raportit”.




