Letra e Brahos për ministren: Të nisë procedura disiplinore për ushtarakun Ahmetaj, të vihet përpara përgjegjësisë ligjore!
Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, u kërkoi dje autoriteteve më të larta të vendit marrjen e masave dhe vendosjen para përgjegjësisë ligjore të gjeneralit Pirro Ahmetaj, i cili aktualisht mban detyrën si këshilltar ushtarak i Presidentit Nishani. Ky i fundit vetëm pak ditë më parë publikoi në rrjetin social disa akuza dhe kritika për Komisionin e Sigurisë, të cilin e cilësoi si komision perversësh dhe kriminelësh. Sipas Brahos, kjo deklaratë është një shkelje e paprecedentë e marrëdhënieve institucionale dhe e statusit të ushtarakut. Në shkresën drejtuar Presidentit Nishani, Kryetarit të Parlamentit Meta, ministres së Mbrojtjes Kodheli, Braho kërkon nisjen e procedurave disiplinore për ushtarakun Pirro Ahmetaj dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore si dhe marrjen e masave që parashikon ligji në këto raste. “Znj. Ministre, duke qenë se prononcimet publike të ushtarakut aktiv Gjeneral Brigade Pirro Ahmetaj vijnë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe me ligjet në Republikën e Shqipërisë, me ligjet që normojnë veprimtarinë dhe drejtimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë kërkojmë: Nisjen e procedurave disiplinore për ushtarakun Pirro Ahmetaj me gradë Gjeneral Brigade, me detyrë këshilltar ushtarak pranë Presidentit të Republikës së Shqipërisë, vënien përpara përgjegjësisë ligjore si dhe marrjen e masave që parashikon ligji në këto raste. Mbetemi në pritje të reagimit të institucionit që ju drejtoni”, – theksoi Braho.
Letra
Në letrën e dërguar ministres, kreu i Komisionit të Sigurisë vë në dukje deklaratat e Ahmetajt, të cilat, sipas tij, bien në kundërshtim me funksionet dhe detyrën e tij, me ligjet në fuqi dhe etiken e ushtarakut. “Konfirmoj se të gjitha ligjet e reformës së mbrojtjes kanë kaluar në Kuvend me nga 72 vota nga 140 dhe shtoj se në asnjë rast në 23 vjet demokraci nuk ka ndodhur kjo qasje sovjetësh (gjithë pushteti Sovjetëve/fitimtarëve d.m.th. aleancës kriminelëve, sigurimsave dhe qelbësirave). Konfirmoj po ashtu se në këto 72 vota PRO ARROGANCËS (nga 140deputetë) – ka qenë dhe vota e banditëve si Prenga (subjekt i këtij rasti), Frroku, Lutaj, Sterkaj dhe 8 deputetët me rekorde të rënda kriminale dhe disa ish-ushtarakë mediokër deri në perversitet. “Po ashtu konfirmoj se në Komisionin e Sigurisë Kombëtare – gati gjysma janë ish-oficerë&kryetarë Dege të Sigurimit dhe Hetuesisë Kriminale të Shtetit (që me diploma false janë konvertuar “Juridiks” dhe Doktorë Shkencash” … dhe pjesa tjetër mediokër deri për t’u mëshiruar (që vënë syze miopi për t’u dukur intelektualë)…Ky komision, dhe jo vetëm, do të futet në historinë e Parlamentit dhe reformave të mbrojtjes si komisioni i turpit, kriminelëve dhe perversëve”, – citohet gjenerali në komentin e tij. Në këtë kontekst Braho pohoi se prononcimi i Ahmetajt është i mbushur me mllef haptazi politik dhe përbën një ngjarje të rëndë dhe shkelje të paprecedentë te marrëdhënieve institucionale dhe legjislacionit shqiptar në fuqi. “Është i pakuptueshëm njëkohësisht burimi i këtij “frymëzimi”, motivet të cilat i vlerësojmë se bien në kundërshtim të hapur me funksionet dhe detyrën që ai kryen si këshilltar pranë Presidentit të Republikës. Në këto kushte, krahas vënies në dijeni të këtij akti dhe qëndrimi jo normal të z. Pirro Ahmetaj, ju kërkojmë të thirret nga Presidenti për të sqaruar përmbajtjen e kësaj deklarate, të bëni vlerësimin përkatës duke informuar për sa më sipër Kuvendin e Shqipërisë”, – deklaroi Braho në letrën e tij drejtuar ministres së Mbrojtjes.





