Raporti i OSBE/ODIHR-it përmend edhe blerjen e votës si problem i zgjedhjeve: Ka pasur akuza për blerje të drejtpërdrejtë të votave të familjarëve ose marrjen e kartave të identitetit ditën përpara zgjedhjeve
“Dhënia e certifikatave të legalizimit për fushatë elektorale theu një nga rregullat kryesore demokratike të ndarjes së shtetit nga partia”
Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 21 qershorit në Shqipëri pohon se në përgjithësi janë respektuar liritë e shprehjes dhe tubimit për kandidatët, ndërsa politizimi i vazhdueshëm i institucioneve shtetërore minoi disi administrimin efektiv të procesit zgjedhor. Megjithëse në raport nuk ka një fjali përcaktuese nëse zgjedhjet i përmbushen apo jo standardet demokratike për të qenë të lira e të ndershme, ODIHR-i theksoi se politizimin e institucioneve si mangësinë kryesore.
Raporti
Raporti përfundimtar vlerësoi me ton pozitiv vetëm ditën e zgjedhjeve, pavarësisht disa parregullsive të rëndësishme procedurale dhe disa votimeve në grup, që u vunë re. Për pjesën e përgatitjes së zgjedhjeve OSBE/ODIHR renditi disa kritika thelbësore, që lidhen me politizimin e KQZ-së dhe veçanërisht me mungesën e vullnetit të partive politike për të zbatuar me korrektësi kornizën ligjore. Sipas OSBE/ODIHR, partitë politike keqpërdorën kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre në kuadër të administrimit të zgjedhjeve. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në përgjithësi ka operuar hapur, por natyra e politizuar e aktiviteteve të saj çoi në vendimmarrje në kundërshtim me ligjin, duke minuar besimin e publikut në pavarësinë e këtij institucioni. Disa afate zgjedhore nuk janë respektuar, duke përfshirë këtu emërimin e komisionerëve të niveleve të ulëta dhe regjistrimin e kandidatëve”, – thuhej në raportin përfundimtar. Ndërkohë, ashtu si dhe në raportin paraprak, edhe në këtë përfundimtar vihet theksi tek korniza ligjore. Sipas raportit, edhe pse kjo kornizë ligjore ka mangësi, ajo mund të kishte ofruar bazën për zgjedhje demokratike. “Boshllëqet e legjislacionit për disa aspekte të rëndësishme të procesit zgjedhor duhet te ishin rregulluar përpara mbajtjes së zgjedhjeve”. Ndërkaq, raporti përmend se si Kryeministri Rama, Kryetari i Kuvendit Meta me kandidatet e tyre bashkiakë, përdorën dhënien e certifikatave të pronësisë për fushatë elektorale, duke thyer një nga rregullat kryesore demokratike të ndarjes së shtetit nga partia. Po ashtu OSBE/ODIHR përmend gjithashtu si thyerje të një prej standardeve demokratike të kritereve të Kopenhagenit për votën e lirë, pra frikën e ndëshkimit. Raporti flet për presion të ushtruar nga koalicioni qeveritar mbi nëpunësit publikë, kryesisht mësues, punonjës të kujdesit shëndetësor dhe bashkive për të marrë pjesë në aktivitet, përndryshe kërcënoheshin me humbjen e vendit të punës. Raporti i OSBE/ODIHR-it përmend edhe blerjen e votës si një nga problemet e këtyre zgjedhjeve, siç thuhet atje, ka pasur akuza për blerje direkte të votave të familjarëve ose marrjen e kartave të identitetit ditën përpara zgjedhjeve. Ashtu si edhe në raportin paraprak, raporti përfundimtar e vë theksin tek financimi i fushatës, ku sipas vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, partitë politike financuan fushatën e tyre duke përdorur fondet publike, donacionet private apo edhe kredi. Në mbyllje, raporti i ODIHR duke i përmbledhur të gjitha parregullsitë përcakton edhe 23 rekomandime për klasën politike shqiptare.




