Nga Petrika Grosi
Nuk e di sa e keni vënë re, po në Facebook e në Twitter, Tirana duket gjithmonë e bukur… Gjithmonë, pas shpinës së ndonjë pushtetari. A thua jetojmë në rrjetet sociale, në një botë virtuale, televizione e gazeta dhe marrim frymë propagandën në vend të ajrit e të gjithë jemi të lumtur e të gëzuar?
Më në fund këto ditë u shemb dhe një shtojcë e shëmtuar e një instituti edukimor jopublik, e kolegjit “Kristaq Rama”, për të cilën nuk patën faj njerëzit që nisën të aludonin se vetë z. Rama nuk e prishte, ngase kishte diçka në këtë mesele. Asnjëherë nuk u kuptua misteri i lejimit të ndërtimit të kësaj godine dhe mosprekja e saj deri më dje, ndërkohë që kudo rrotull, para, mbrapa, anash, poshtë e lart saj, bare, dyqane, markete, universitete e qendra murgeshash u krasitën me kohë. Për ta kuptuar, nuk e morra vesh ndonjëherë mosvënien e ujit në zjarr për të paktën tetë vitet e fundit, kur vetëm unë personalisht e kam ngritur si problem skandalin e trotuareve 40-centimetërshe dhe zaptimin e kësaj hapësire publike te “Komuna e Parisit”. Pra, ndërhyrje e drejtë, por tepër e vonuar.
“Komuna e Parisit”, sot “Medar Shtylla”, rruga për të cilën janë hapur debate që nga emërtimi komunist, ajo Komunë e cila njihet botërisht si bastion i kuq, e cila kur vijnë votimet bën dhe diferencën në kryeqytet, me të paktën deri në mbi 10 mijë vota majtas apo dhe 17 mijë nëse memoria nuk më gënjen. Lagjja dikur moderne dhe titull telefilmi, sot katastrofë me trafik të mbingarkuar, trotuare të gjymtuara e rrugë mjerane, vetëm se nuk ka zë të thërrasë. Ndoshta do të dëgjohet britma për votime, nga ata njerëz që nuk marrin zarfin në fund të muajit në administratë, por e kanë votuar të majtën si bindje qytetarie. Flas për këtë lagje, jo se është më e rëndësishme apo më ndryshe nga shumë lagje të tjera, por sepse e njoh mirë prej të paktën 15 vitesh. Që të ngelemi tek ndërtimet pa leje dhe prishja e tyre, asnjëherë nuk kam qenë kundër, e përshëndes dhe e mbështes funksionimin e ligjit për të gjithë dhe në funksion të shoqërisë, të kryeqytetit. Problemi është një tjetër. Prishen ndërtesa, lokale, shtëpi zyra, mure rrethuese dhe lirohen trotuaret e hapësirat publike, por në rastin më të mirë ngelen bosh e të shkretuara, me hekura e beton të shpërfytyruar gjithandej, a thua jetojmë në Siri e Afganistan? Ndërsa në rastin më të keq, sikundër ndodh dhe është e konstatueshme në mjaft zona të Tiranës, kryesisht me lokalet dhe shtojcat e tyre të prishura me të drejtë nga qeveria, nuk konstatohet asnjë frymëmarrje apo shtim hapësire publike, pasi të njëjtat lokale thjesht kanë humbur gardhin rrethues, vazot e mëdha, lulet, hekurat kangjellat dhe kanë ngushtuar rrethimin, ama hapësirën njësoj e mbajnë të zaptuar, duke nxjerrë tavolinat jashtë si më parë, në mos edhe më keq.
Ajo që më shqetëson është se kudo shkatërrohen e prishen ndërtime pa leje, por askush nuk mendon për rehabilitimin e zonës. Një trotuar nuk mund të ekzistojë 20 centimetra dhera e zhavorr, 20 centimetra tulla, 20 centimetra hekura dhe 20 centimetra beton në të njëjtën kohë. Është e shëmtuar për syrin, aspak estetike dhe e dëmshme për shëndetin, sidomos për fëmijët e të moshuarit. Pra, ndërhyrje që duhet të na e përmirësojnë standardin jetësor e përkeqësojnë atë dhe ky është një non sens i madh. Nëse është përgjegjësi e pronarëve të paktën ta dinë ata ta dimë e ne, nëse është përgjegjësi e Bashkisë, atëherë…
Por nuk janë vetëm ndërhyrjet për ndërtimet pa leje që shkaktojnë këtë rrumpallë. Janë edhe ndërhyrjet në rrjet të subjekteve private e krahas tyre ndërhyrjet e kompanive të ndryshme shtetërore. Ndërhyn KESH, ndërhyn Ujësjellësi, ndërhyn Telekomi, kush për energji, kush për ujë e kush për internet e telefoni. E kanë bërë e ndoshta dhe e bëjnë teksa flasim e deri këtu asgjë të keqe nuk ka. Pyetja që rri varur është kush i riparon rrugët, sheshet para pallateve, kush i kthen ato në identitet, ashtu të bukura dhe funksionale si në fillim, pa arna të shëmtuara, gropa, baltë pluhur e pisllëk gjithandej? A nuk duhet që këto ndërhyrje pas përfundimit të lënë një rrugë, një shesh një trotuar njësoj si më parë? Nuk di ndonjë rast të vetëm kur ndodh kështu, përjashto ndërhyrjet në qendër të qytetit e në bulevardet kryesore ku gjithçka është rikonstruktuar si më parë. Vihen gjoba për kë pështyn, për kë urinon e për shumë shkelje të tjera. Po për këto mbetje inerte që zënë frymën, shkatërrime në emër të ndërtimit, të pronës publike, rrugës, trotuarit, shesheve, gropave të hapura në to, kush i monitoron dhe kush duhet të përgjigjet? Pyetja tjetër është: A ka ndonjë masë për këto subjekte, private a publike qofshin nëse nuk rehabilitojnë rrugët e sheshet ku ato ndërhyjnë me kanalizime etj? A duhet të lajmërojnë këto subjekte që para se të nisin punimet, si Bashkinë ashtu dhe banorët e prekur dhe a kontrollohet vendi pas mbylljes së punimeve? Nëse ndërhyhet pa leje, atëherë kjo përbën një kundërvajtje si shumë të tjera të dënueshme dhe nëse ndërhyhet me leje e askush nuk kontrollon rrugët e hapësirat publike pas përfundimit të punimeve, kjo është edhe më e rëndë. Nuk mjafton në optikën time të përurosh lulishte dhe aksione vullnetare disaorëshe për pastrim kur problemi më i madh gangrenizon mbarë kryeqytetin. Kështu është pjesë-pjesë te Bërryli, Porcelani, “Don Bosko”, Kombinat, Kinostudio, “Komuna e Parisit”, madje edhe në Bllok. Nuk po flas fare për periferinë, pasi merret me mend. Ajo që duhet kuptuar është se nuk jemi personazhe virtuale të filmit “Matrix” dhe as friends-a apo fansa Facebook-u që Erioni, Edi, Saliu, Luli etj., duan të na mbajnë shokë ose nuk duan e nuk përgjigjen apo na e veshin një bllok dhe rrimë rehat. E duam Tiranën të bukur jo në selfie Twitteri e Facebook-u të kryetarëve të bashkive, e duam Tiranën të bukur e të jetueshme, duke nisur nga pragu i çdo shtëpie.





