Akuza dhe përplasje të forta që në seancën e parë të sesionit të ri parlamentar, Meta detyrohet të mbyllë punimet para kohe
Gëzim Saliu
Opozita kërkon me çdo kusht dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, nga detyra e tij për t’i dhënë rrugë të lirë hetimeve ndaj akuzave për lidhje të tij me bandat e trafikut të drogës. Referuar intervistës së oficerit Zagani, PD, përmes ish-kryeministrit Berisha dhe deputetëve Paloka dhe Noka, kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Brendshëm, duke theksuar se nuk mund të fliste në Parlament një njeri i lidhur me krimin. Dhe për të mundësuar këtë deklaratë të tyre, në çdo dalje në foltore të ministrit për t’iu kundërpërgjigjur akuzave të PD-së, deputetët Noka e Paloka ia bënë të pamundur fjalën Tahirit. U desh ndërprerja e seancës për dy herë dhe ndërhyrja disa herë e Gardës, e cila rrethoi ministrin që të qetësonte disi gjendjen në sallë. Në fund pas debateve të shumta dhe kur në foltore ndodhej ministri Tahiri dhe përballë tij deputetët e PD-së, Kryeparlamentari Meta i mbylli punimet para kohe, duke hedhur me shpejtësi në votim kalendarin trejavor të votuar në konferencën e kryetarëve.
Rasti i ministrit
Sipas opozitës, krerët e krimit janë në qeveri dhe trafikantët e drogës janë të lidhur ngushtësisht me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. “Avioni a ishte i kushërinjve të tij? A mund të jetë vend normal ky ku ndodhin gjithë këto gjëra dhe ministri nuk ulet ta shkarkojë e ta çojë para drejtësisë. Arrestoni njerëz që nuk kanë bukë të hanë që nuk paguajnë 20 mijë lekë të vjetra drita. Ju kemi paralajmëruar se ky njeri po t’i bëni një prerje të profilit të tij psikologjik dhe psikik, del me probleme të rënda dhe mos e bëni ministër. Ju kam thënë mos e bëni ministër se ky ka qenë hajdut kasetofonash, ka qenë përdorues hashashi dhe i skeduar në Policinë e Shtetit. Ju kemi thënë mos e bëni, se është i kapur peng nga krimi dhe ju e bëtë. Dhe ja ku është produkti sot”, – tha Flamur Noka, deputet i PD-së. Nga ana e tij, ministri theksoi se ai nuk do të japë dorëheqjen dhe se do të vazhdojë luftën me krimin e organizuar. “Unë nuk kam ndërmend të harxhoj një sekondë të vetme të merrem me tollovinë publike që kërkoni ju dhe nuk do konsumoj një sekondë të vetme pa bërë detyrën për të luftuar krimin dhëmbë për dhëmbë. Nëse ndonjë prej jush i del përpara policisë do të mbajë përgjegjësi ligjore”, – pohoi Tahiri. Ndërkohë, deputeti demokrat, Gent Strazimiri, pasi lexoi raportin e PD-së për rastin e Prengës theksoi se shqiptarët duhet të ngrihen për të rrëzuar qeverinë. “Nëse vijojmë, do ta paguajmë edhe më shtrenjtë, sepse një ditë do të ngrihemi. Sa më vonë, aq më keq. Banda është Edi Rama dhe ai duhet çmontuar”, – tha ai.
box
Tahiri: Qeveri e PD-së i dhuroi tokë në Orikum oficerit Zagani
Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, bëri dje publik një vendim të qeverisë së kaluar, ku theksoi se ajo i ka dhuruar me një VKM të qershorit 2013 një tokë në Orikum ish-shefit të Antidrogës, Dritan Zagani, i cili tashmë ndodhet në arrati nën akuzë për dekonspirim të operacioneve. Sipas vendimit, bëhet fjalë për një tokë në bregdet që i përkiste Ministrisë së Brendshme. “Këtij oficeri të arratisur i kanë dhuruar tokë në Orikum dhe shpresoj t’i kenë mësuar edhe notin”, – tha Tahiri nga foltorja e Kuvendit.
Akuzat dhe batutat e plota, përballja Berisha-Tahiri-Kokëdhima, akuzat e Nokës
Tahiri merr fjalën, rebelohen deputetët e PD-së, Noka-ministrit: Mos fol këtu o trafikant!
Tahiri: Nuk do konsumoj një sekondë të vetme pa bërë detyrën për të luftuar krimin dhëmbë për dhëmbë.
Topalli: Po sot avioni i drogës ra…
Braçe pa mikrofon: Mos gënje ti, lexo moj lexo!
Topalli: Duhet të vijë Kryeministri, ai është fajtori kryesor për deputetët e inkriminuar.
(pas fjalës së Tahirit) Noka: Sot i dhatë fjalën një trafikanti që është ul si ministër. Ky e ka kthyer Shqipërinë në Kolumbi. Avioni i kapur dje në Itali konfirmon lidhjet e bandës së drogës me ministrin.
Kokëdhima: Sali, mblidhi dhe qetësoji të tutë! Ti e qeverise këtë vend me një bandë. Kur flet për mua, për kanabisin, je një shpifës vezullues. Unë kam predikuar kanabisin terapeutik. Je edhe doktor që mos qofsh… 50 mijë artikuj të kanabisit përdoren për medicinë.
Bregu pa mikrofon: Kosi hahet apo pihet…
Kokëdhima: Ti ke bërë ligjet që fusin brenda përdoruesit e hashashit, jam kundër trafikantëve.
Topalli pa mikrofon: Trafikantët i ke ktu në Parlament.
Berisha: Shikojeni Shqipërinë e vitit 2015 o kanabistë dhe të 2013-ës. Mendoni se do e kapërceni kështu? E keni shumë gabim. I keni bërë gjëmën vendit. Policia shkoi dy herë në Dukagjin, 400 forca policia, më falni i rruan bishtin kanabisit. Po pse ndodhi kjo? Se janë arat e deputetit, e kryetarit të Partisë, janë parcelat e tij…. ( Më pas lexon targën e makinës që është përdorur nga familjarët dhe kushërinjtë, vonohet për të lexuar datat).
Abazi pa mikrofon: Po ha me futja kot se kot i ke te gjitha, mashtrime i ke.
Berisha: Të miratojmë me përparësi paketën e dekriminaliImit. Horrat, vrasësit e peshojnë Ramën me para dhe ky është i vdekur për para.
Tahiri kërkon të marrë fjalën, Noka dhe Paloka i kundërvihen, ndërhyn Garda
Tahiri- ky ktu (i drejtohet Berishës) ka sjellë….
Ndërhyjnë deputetët e PD-së, nuk e lënë të flasë
Meta: Ju s’po e lini të flasë, meqenëse është kështu, hedhim në votim kalendarin, kush është pro kush është kundër, miratohet. Mbyllet seanca
PD, Metës: Dorëhiqu: Kryeparlamentari: Nuk jam i përfshirë, kontrata u firmos nga Sait Dollapi
Partia Demokratike si përmes kreut të grupit parlamentar Edi Paloka ashtu edhe nëpërmjet ish-kryeministrit Berisha kërkoi dorëheqjen e Kreut të Kuvendit, Ilir Meta, për atë që cilësohet si çështja “CEZ”. Sipas demokratëve, referuar deklaratave të avokaturës shtetërore në gjyqin me CEZ-in si edhe investigimit të BIRN, Kryeparlamentari Meta ka marrë ryshfet nga një kompani e kontraktuar nga CEZ për të mbledhur borxhin. “CEZ akuzon se ke shkruar si ministër i Jashtëm dhe jo ministër Ekonomie, ke shkuar dhe ke negociuar. Këto dokumente janë neutrale dhe kërkojnë hetim. Thuaji në Prokurori ato që ke por qartësohu për ç’ka je akuzuar. Akuza konkrete nga përfaqësuesi juaj. A mund të kalohet kjo? Jo, s’mund të kalohet, se po humbet çdo gjë kuptimin. Mirë që rastin tjetër e zgjidhe se desha të të vrisja unë, po kësaj s’mund t’i japësh zgjidhje. Të ka thënë Sait Dollapi kështu, shko thuaje që ka thënë këtë. Avokatët e tu që shpërndajnë dokumente e konkrete nuk të ndihmojnë. Të shpërndash kontrata dhe të akuzosh se ke negociuar si Ministër i Jashtëm në Pragë, kjo të rëndon”, – tha Berisha. Në përgjigjen e tij Meta theksoi se nuk do të japë dorëheqjen pasi nuk ka qenë i përfshirë në asnjë aferë korruptive. Kryetari i Kuvendit sqaroi se kontrata mes degës së DIA në Shqipëri dhe CEZ-it është lidhur në një kohë kur ai nuk ka qenë Kryeministër. Meta tha se kontrata me studion e avokatisë “Clifford Chance”, që i ka bërë këto akuza, është firmosur nga Sait Dollap, administratori i CEZ në 1 korrik 2013 në Mynih. “Lidhur me faktin që kjo kompani është e kontraktuar nga qeveria aktuale, për këtë arsye pretendimet e bazuara mbi raportin e saj janë të besueshme, kisha një pyetje në rast se z. Sait Dollapi është anëtar i Asamblesë së Partisë Socialiste apo i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike?! Sepse këtu përpara kam një “Engagement Letter” dhe “Fee Agreement” midis “Clifford Chance”, që është kontraktuar nga CEZ-i dhe CEZ Shpërndarja e firmosur më 1 korrik 2013. Pra, kohë kur Kryeministër ishte i nderuari, deputeti z. Sali Berisha, pra është firmosur në Mynih më 1 korrik nga Tim Schreiber për “Clifford Chance” dhe nga z. Sait Dollapi për CEZ-in”, – tha Meta.
Ulet pranë Idrizit në Parlament, Mesila Doda nga PD-ja kalon me PDIU-në
Deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, duket se nuk do të jetë më pjesë e grupit parlamentar të partisë së drejtuar nga kryedemokrati Basha. Përplasjet e kësaj të fundit të shpeshta me vendimmarrjet e partisë si edhe thyerja e vendimit të grupit në disa raste kanë sjellë çarjen kryesore mes deputetes dhe PD-së. Doda me shumë mundësi do t’i bashkohet PDIU-së së drejtuar nga Shpëtim Idrizi, pasi edhe bashkëshorti i saj është çam dhe pjesë e kësaj force politike. Edhe në seancën e djeshme Doda u pa ulur pranë Shpëtim Idrizit duke mos preferuar të ulej në vendin e saj në radhët e grupit parlamentar demokrat.





