Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti në një takim Drejtorin e Politik të Ministrisë së Jashtme Austriake, Jan Kickert, dhe Drejtorin për Ballkanin Perendimor, Johann Sattler.
Në këtë takim, kryedemokrati njohu diplomatët e lartë austriakë me atë që e cilësoi si shkeljen e rëndë të standardeve në zgjedhjet e fundit, me blerjen masive të votave, me ushtrimin e presionit mbi zgjedhësit, me përfshirjen e administratës dhe institucioneve publike në skemën e trysnisë ndaj votuesve, me kandidimin e personave me të shkuar kriminale.
“Inkriminimi i administratës dhe i politikës deri në nivelin e Parlamentit, janë shqetësim i madh për vendin. Pa çuar deri në fund dekriminalizimin për të cilin Partia Demokratike është e vendosur, Shqipëria nuk mund të ketë të ardhme evropiane”, u shpreh Basha. Më tej kreu i PD-së informoi zyrtarët e lartë të vendit mik se keqeverisja po sjell pasoja dramatike në ekonomi dhe po shkakton padrejtësi të vazhdueshme, çka po nxit dhe numrin e lartë të bashkëqytetarëve që ikin nga vendi dhe kërkojnë azil në Europë”.
Ky eksod në rritje i shqiptarëve po merr përmasa shqetësuese duke vënë në rrezik lëvizjen e lirë pa viza të shqiptarëve në hapësirën Shengen, një e drejtë e fituar me shumë mund e përpjekje”, deklaroi ai.
Sipas shefit të opozitës krimi, korrupsioni dhe dhunimi i votës së lirë janë kthyer në pengesë dhe kërcënim të madh për zhvillimin e Shqipërisë dhe përparimin e saj në rrugën e integrimit europian.




