Shqipëria, vendi të cilit nuk i intereson diaspora

Nga dr. Ndriçim MehmetiDr. Ndriçim Mehmeti

 Me shumë gaz e hare, në rrjetet sociale mësues që japin mësim në diasporë, të vetëquajtur të tillë, njerëz që shkojnë për gallatë, foto dhe ngrënie qyl, na njoftojnë se në Pejë mbahet seminari i mësuesve që japin mësim në diasporë. Nuk mungojnë në këtë varg njerëzish edhe të quajtur didaktë e “mjeshtër” të pedagogjisë ruse, të cilët në moshë të thyer, provojnë të ndihmojnë pensionin me ndonjë lek më tepër nga mësuesit e diasporës të përmalluar për atdheun. Mes këtij grupimi, nuk janë të paktë ata të cilët, promovimin e gjuhës e kuturis kombëtare, e kanë në qendër të punës së tyre, përkushtim të çdo dite, ore dhe minute, në vendet dhe institucionet ku punojnë. Lutfi Vata kryeson përpjekjet e mundimshme në Mbretërinë e Bashkuar për të mbajtur gjallë shpirtin e bashkëkombësve të tij, përmes gjuhës dhe kulturës kombëtare shqiptare, duke u kthyer në një shembull ekselent për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Nuhi Gashi, e zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Arsimit së Arsimit Shkencës e Teknologjisë, bëjnë ç’është e mundur për një organizmi perfekt të këtij seminari, për të mos i munguar asnjë gjë.

Po atdheu mëmë Shqipëria, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Kulturës, Instituti i Diasporës në Ministrinë e Punëve të Jashtme, çfarë bëjnë?

Si gjithnjë kanë qejfin dhe dëshirën të luajnë rolin e “nënëmadhes” që “mezi i pret këta mësues”, që lodhen kaq shumë për gjuhën dhe kulturën kombëtare. Si shpërblim për punë me mësuesve të gjuhës shqipe në diasporë, Ministria e Arsimit dhe Sportit nën kujdesin personal të kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, zhduku Sektorin e Diasporës. Ky sektor u quajt krejt i parëndësishëm për Shqipërinë, vendin që ka gati gjysmën e popullsisë së saj jashtë vendit. E në fund të fundit përse duhej ai dreq sektori. Me siguri që Drejtoria e Integrimit dhe Projekteve, mund ta kryejë këtë detyrë. Ministria e Arsimit ka një sektor të veçantë për Sportet Elitare, që në rastin më të mirë promovon shahun e në rastet më se të zakonshme, si përdoret dopingu dhe rezultatet e tij të larta në fushën e peshëngritjes. Po diasporën, emigracionin shqiptar, nevojat e tij për zhvillimin shpirtëror, kulturor e gjuhësor kush i promovon? Në këtë rast MAS e ka gjetur zgjidhjen. Përmes menaxherit të njohur e kudondodhur për çdo problem, e sidomos të diasporës që i njeh më nga afër. E përse duhet xhanëm, një sektor, kur një njeri me plot dije, bagazh, me aftësi të jashtëzakonshme koordinuese mund t’i bëj të gjitha? Dikush mund të mendoj se Ministria e Punëve të Jashtme, duhet të luante një rol më aktiv, meqenëse ajo ka edhe një institucion enkas për diasporën të quajtur Instituti i Diasporës. Ky organizëm siç thuhet rëndom në Ministrinë e Jashtme prej vitesh, shërben vetëm për të rehatuar punonjësit që do të dalin në pension, ata që promovohen si këshilltarë diplomatikë, pranë Ramës dhe sot ambasador në vende të njohura të Evropës, ose për të ngrënë ca rrugë jashtë shtetit. Ministri Ditmir Bushati, alias Dhimitri, nuk ka nge të merret me 1 apo 2 milionë shqiptarë të diasporës. Tani ai është i zënë, me punë të mëdha. Sa t’ia mbledh grekut, serbit e armiqve të jashtëm, të forcojë lidershipin e Shqipërisë në Ballkan, sipas “porosisë” së Kancelares Merkel, e pastaj kismet Zotit, mbase na del koha për diasporën. Kujt i mbetet të interesohet për diasporën.? Natyrisht të palodhurit Veliaj, që shkonte fshat më fshat të Greqisë të “shpërndante librat shqip”, nën kujdesin e veçantë të kamerave të televizioneve të “pavarura”. Ai premtoi madje një ministri për emigrantët. Ministria nuk u ngrit e nuk ka për tu ngritur ndonjëherë, Veliaj e harroi premtimin e bërë, e tani ka “përveshur mëngët”, të rikthej Tiranën në identitetin e shefit të tij. Po diaspora nuk duhet të mërzitet. Për të njëherë në vit mendohet MAS e shumë herë qeveria e Kosovës. Inspektori i njohur kudo më rrethet e qytetarëve shqiptarë të Kosovës kudo në Evropë, z. Nuhi Gashi, shkon që shkon andej nga Evropi, t’u hedh një sy edhe bashkatdhetarëve tanë se nuk u bë kiameti. Mbase kështu kanë rënë dakord edhe Rama me si vllahun e tij politik Thaçi, e ne nuk dimë gjë. Sikundër ambasadat e Republikës së Shqipërisë do të përfaqësojnë interesat e Republikës së Kosovës, kështu mund të bëhet për diasporën. Interesat e saj mund t’i përfaqësoj MASHT në Kosovë dhe MAS të marri informacion. Madje edhe librat e ndonjë send didaktik, mund ta shpërndaj Kosova si një shtet me potencial më të madh se ne. MPJ të rishoh edhe njëherë pozicionin e Institutit të Diasporës e ta heq fare siç bëri MAS. Edhe shtetin e kursejmë edhe me diasporën lajmë duart njëherë e mirë.

Po fundja ç’rëndësi ka kaq shumë diaspora dhe kultura shqiptare në Evropë.

Ata janë mirë. Edhe po ndryshuan emrat, e bëjnë nga halli ose për të mirën e tyre. Edhe po nuk mësuan shqip, nuk u përmbys bota. Tani anglishtja është në modë. Bile edhe në Shqipëri, që të fillosh punë duhet të dish shkëlqyer anglishten dhe nuk ka asnjë rendësi nëse e di shqipen apo jo. Duke u futur mes grekëve, italianëve, gjermanëve dhe francezëve, belgëve dhe holandezëve, ne jemi njësoj si ata. Pse nuk e ndienin “veten njësoj” me vendin ku banonin rilindësit e parë Naim Frashëri, Sami Frashëri, Abdyl Frashëri, Asdreni, Fan Noli, Konica e të tjerë. Edhe “ata nuk është se e dinin mirë shqipen”. Bile disa prej tyre ende edhe sot ne i quajmë tradhtarë. Diaspora në Greqi dhe zëdhënësit e saj “ekspert” të gjithçkaje janë fokusuar tek ligji që do të miratohet në parlament, apo është miratuar tashmë. Për një vit të tërë, si në lojën “e lagu se lagu”, i vetmi shqetësim ishte: “Miratimi i ligjit për të drejtat e emigrantëve”, “Si përfitojnë fëmijët e emigrantëve”? “Drejtohuni tek specialisti i kudondodhur X. Y, që t’ju mësoj për të drejtat tuaja”, ligji është gati na e konfirmoi zëvendësministrja”, etj broçkulla si këto. Madje pas kësaj marié rendën edhe televizione të njohura që çdo dy ditë lidheshin me të dërguarin e tyre në Athinë e gjetiu, për të marrë lajmet e fundit. Në dy vjet pushuan ulërimat, britmat dhe klithmat prej kukuvajke të “përfaqësuesve të emigracionit shqiptar”, të cilët çdo muaj i dërgonin letër Presidentit të Republikës, Kryeministrit, ambasadorit tonë në Athinë me ankesën e madhe se këta “patriotë e luftëtarë të gjuhë shqipe, kishin mbetur pa libra e pa fletore, pa mbështetjen e shtetit, se kërkonin të zhvillonin gjuhën në mënyrë vullnetare, por edhe shteti t’i paguante sa mësuesit grek, të merrte shteti shqiptar godina me qera, se fëmijët po vdisnin të mësonin gjuhën shqipe”. Tani halli më i madh, ndër këta shqiptarë është: Kush do të jetë drejtuesi i tyre i radhës, kur do të vij kryeministri të organizojmë një party, apo kur do të ketë prapë zgjedhje të bëjmë një xhiro falas me autobus. Tani mësimi nuk ka më rëndësi. Thua që tani ta ndiejnë më shumë veten kozmopolit se shqiptar, apo se nuk duan t’ia dinë shumë për të ardhmen e fëmijëve? Mundet të mos jetë asnjëra, siç mund të jenë të dyja bashkë. Natyrisht që shpirti i flashkur diku prej varfërisë shpirtërore, manipulimit prej “ekspertëve”, është ringritur plot forcë e guxim në Mbretërinë e Bashkuar, me shoqatën “Ardhmëria” e në vende të tjera si Austri, Suedi, Danimarkë e me radhë. Në antitezë me bashkatdhetarët e vet, kjo shoqatë dhe simotrat e saj nuk kanë ndonjë sekret të madhe në punën e tyre. Ato veprojnë nën moton e thjeshtë: Jemi shqiptarë dhe kemi për detyrë të punojmë për të kultivuar dijen tek fëmijët e bashkatdhetarëve tanë. Kjo për disa kuptohet si një patriotizëm primitiv në kushtet e globalizmit, për të gjithë ata që janë shqiptarë kuptohet si detyrim ndaj atdheut. Qeveria shqiptare dhe organet e saj që e kanë detyrim kushtetues mbrojtjen dhe kultivimin e gjuhës dhe kulturës kombëtare, për gjithë shtetasit e saj kudo që ndodhen, i ka bishtnuar, braktisur, harruar dhe injoruar këtë detyrim. Për këtë askush nuk flet dhe askush nuk e vë para përgjegjësisë, qeverinë, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, përfaqësitë tonë diplomatike.

Askujt nuk i bie ndër mend, se kontributi një kontribut i pamatshëm për gjuhën, krijimin dhe ekzistencën, e këtij shteti që kemi sot, i takon pikërisht shqiptarëve që jetonin jashtë vendit. Ata se harruan kurrë se ishin shqiptarë dhe se kishin detyrime për vendin e tyre, pavarësisht se ku jetuan, punuan dhe mësuan. Vite më parë Branko Merxhani shkruante: “Shqiptari që jeton jashtë në vende të qytetëruara në mes të kombeve të ndritura dhe brenda një jete kozmopolite, s’është më pak shqiptar nga kurveleshasi i varfër, që nuk i ka kaluar kurrë kufijtë e maleve të tij. Jeta kombëtare shqiptare nuk indi në baltën shqiptare. Erdhi nga kurbeti”.

 

Share it :