Xha Ceni është banor i hershëm i kryeqytetit. Madje mund të thuhet se është ‘rrënjës’ në Tiranë. Me të mbaruar të mesmen ai nisi të ushtrojë zanatin që i shkonte për shtat e hise. Atë të biçikletaxhiut. Ai mbahej si nga të parët e moshës së tij që dinte t’i jepte pa duar biçikletës “Mifa”, edhe pse kur vinte në shtëpi tata ia tërhiqte pak llapën e veshit ngaqë ia kishte marrë pa leje apo i kishte thyer ndonjë tel. Kur u rrit e mbaroi vitin e dytë të shkollës së mesme, babai ia dhuroi “Mifa”-n. Hyseni sa s’fluturonte nga gëzimi, sa prej adoleshencës aq edhe prej biçikletës. Kishte burrë ta mbante tani që ishte bërë edhe me biçikletë të vetën. Gjithë ditën e kalonte majë timonit, ndërsa natën duke e larë, lyer a grasatuar dyrrotakun. Dikur-dikur, shërbesat e natës i hynë në qesen e ditës. Ai nisi të ndreqte edhe rrotat e shokëve e miqve të lagjes, e tëra me shtëpi njëkatëshe me qur, papafingo e oborr.
Vitet fluturonin…dhe ai zhytej kokekëmbë në punë. Tashmë si biçikletaxhiu i mëhallës mbarë. Me të feksur e deri në muzg, Hyseni i rrinte punës mbi kokë. Nuk kaloi shumë kohë dhe ai çeli një dyqan të vogël në krye të rrugicës ku banonte. Me të ardhurat që fitonte mbante familjen e tij. Sa për biçikletaxhi nuk kishte çfarë t’i thoje. Ishte nam fare. Nëse i binte diçka në dorë, e qante. Askush nuk dilte i pakënaqur nga puna e tij. Të gjithë në rrugicë e përtej saj i përshëndeste me dorë në zemër, e po ashtu ia kthenin dhe ata. Ta themi troç. Tërë mëhalla përplasej tek ai nëse u duhej të vinin në udhë biçikletën. Dikush vinte pullë, tjetri ndreqte shalën, dikush çentronte telat a rregullonte parafangot; dikush tjetër drejtonte diskun a frynte gomën që i kishte rënë pipthi, e sa e sa të tjera shërbime si këto. Në këtë mënyrë, mëhallalijtë fryheshin e shfryheshin tek ai kur u vinte siraja, që nga puntorë të thjeshtë e deri te punonjës të Lagjes a Frontit. Kësisoj, thuajse të gjithëve u ndodhte të bënin gomë e u binte siraja të qanin hallin te kthina e xha Cenit. Fillimisht ai njihte më mirë biçikletat. Më pas zuri të njihte mirë e më mirë edhe ata mbi shalë: cili e keqpërdorte pedalin, cila shpërdorte kundërpedalin. E me këtë zanat – ndërro gomë, vë pullë, grasato saçmet, qendërzo diskun, qeshi njerit, buzëqeshi tjetrës – ai i rriti, i shkolloi dhe i nxori në jetë mirë e bukur të dy djemt e tij.
Sapo u bë gjysh, në vend ndryshoi sistemi politik. Megjithatë, xha Ceni nuk po i jepte dum se ç’po ndodhte. Për të nuk kishte kuptim fjala ndryshim. Të paktën ai nuk shihte e nuk priste gjë ndryshe. Kur dëgjonte të tjerët në rrugë se “ndryshoi rrota e historisë”, atij i dukej se i bënin veshët. Ai kishte ndryshuar sa e sa rrota në jetën e tij, por nuk është se rreth e rrotull tij kishte vërejtur ndonjë ndryshim që t’i vriste syrin. Kur i ra në vesh se komshiu që kishte anash ishte “kundërshtar politik” me komshiun që kishte prapa shtëpisë, zuri të kruante kokën e të mejtohej.”Po, Xoni me Gonin s’di të kenë qenë ndonjëherë kundërshtarë. Ata kur luanin spathi ishin ortakë, madje mbaheshin si dyshja më e mirë e rrugicës…ç’a bohet k’shtu mor jahu”-thoshte me vete.Epo, kjo qenka rrota e historisë që paska ndryshuar! Po sikur këta që të dy më duket se ishin edhe me parti, e unë vetë s’ja thosha hiç për punë partie. Unë me rrota jam marrë gjithë jetën, prandaj edhe s’u bona me parti. Po edhe k’shtu s’bohet mër jahu, njoni flamur partie te moni, e tjetri flamur partie te fiku. E i thonë ca emna njoni-tjetrit që me sa di unë, nuk janë as ‘mëhallalij’… pastaj edhe i gjujnë me fiq e mona njoni-tjetrit?! M’i kan bo’ qegllat helaq, m’i kan bo’. E kjo s’ka bo’ vaki kurr’ mër jahu. E lene mo’ kur njoni i thotë tjetrit e ndërrove rrotën, e tjetri ia kthen se e kam ndërru me koh’ e vakt, por e kam majt’ të mfsheft. Kjo është rrenë me bisht- i thoshte vetes xha Ceni – se sa për rrota, as njoni e as tjetri nuk kanë ndërru’ ndonjëherë. Sa e sa herë më kanë qujt prej gjumi e më thoshin: “O Cen, ma ndërro pak rrotën se kam bërë gomë, e duhet të shkoj shpejt në punë pa më pa gruja”. A thua e kan’ harru’ vallë?
Sa mirë kam bo’ që jam marrë vetëm me rrota biçikletash e nuk jam përzi’ në kësi rrotash historike. Po nuk di lala pse k’ta djemt e mi po merren me ca punë që s’po ma pret kaplloqja. Se ç’flasin për ‘tranzicion’ e ‘rotacion’, e nuk e kuptoj se ku e kanë llafin. E kur xha Ceni shuajti kureshtjen te djali më i ‘knushëm’ se ç’do të thoshte ‘rotacion’, vuri duart në kokë kur mori vesh se ç’kuptim kish’ ajo fjalë. Epo ishte sade fare si te zanati i tij, se politika (si biçikleta) paska ndryshu e paska bo’ rotacion ngaqë u ka ndërru vendin rrotave: rrotën e parë e ka vënë prapa dhe rrotën e mbrapme e ka vënë përpara. Tamam siç bonte vetë xha Ceni, atëherë kur s’kishte edhe aq pare me ble biçikletë të re (ai me “Mifa”-n është akoma), dhe i ndërronte gomat me njera-tjetrën për të mos rënë në sy se biçikleta kishte cene. Kështu, i kishte shtyrë thuajse njëzet e kusur vite, e me pak kismet, do ta shtyjë edhe më. S’ke ç’i thua.“Mifa” e tij ende është e “rrotë e kohës”. Ka bërë rotacion. Ka ndryshuar rrotat me njona-tjetrën, e prap’ mbahet e nuk dorëzohet si shkëmb graniti.
Po unë derëziu e paskërkam ndryshuar sistemin qyshpari e s’i paskam thirrur tepelekut. Po kjo qenka kollaj fare…hajde, hajde. Kot s’thonë se kur plakesh fillon e letohesh pak e nga pak – thoshte me vete. Po pse ‘re, kjo “Mifa” ime qenka “tandemi” dhe “ndryshim sistemi”? E unë këtë historinë e rrotës apo “rrotën e historisë” e kam dit’ para Xonit e Gonit, mër jahu. Po ky “ndryshimi” qenka tamam si puna e Aqifit… lene, lene se ç’i ndodhi Qifit të shkret’. Qifi ishte me partinë, sekretar në Kombinatin e Mishit dhe asaj kohe të gjithëve u shkonte shtat’ në qase prej tij. Kur iu rrit djali, Qifi doli nga sekretari e shkoi n’Komitet, ndërsa djali i vogël zuni vendin e tij si sekretar m’kombinat. Djali, si xhymert që ishte, s’e boni qejfin qeder dhe vuni sekretar partie djalin e sanitares(Nafijes), që e kishte lindur e rritur vetë Partia me dorën e në gjirin e saj të ngrohtë, e pa i lënë njollë pa hequr. E kur ky djali i Nafijes u bo “i modh n’Parti”, i boni rrup-sup të gjithë. Me Qif, me djalë Qifi, me ballistë e zogistë, me mikroborgjezë e me prapanikë. Naa.., i bëri të tërë. U vuni rrotën n’fyt, u vuni! I çoi n’esfel, i çoi! Pa i bërë syri tërr. Hajde foli ime’ çunit të Fijes. Dje të vriste, sot s’të paguan.





