Elton Qyno
Policia: Shoferi ishte i dehur, dyshojmë se ka stisur grabitjen. Fillojnë kontrollet në disa banesa
Kur ende nuk është shuar jehona e grabitjes me armë të 18 udhëtarëve të autobusit Sarandë – Tiranë në zonën e Tepelenës, një tjetër grabitje me armë është regjistruar në aksin rrugor Burrel – Milot. Tre persona të maskuar, duke shfrytëzuar tronditjen e efektivave të komisariatit të Matit, pas plagosjes së kolegut të tyre, shefit të Krimeve Musa Skura, kanë organizuar një pritë ndaj një furgoni udhëtarësh, tek i cili mundën të grabisin të gjithë pasagjerët përfshirë këtu edhe drejtuesin e mjetit, shtetasin Rajmond Kurti. Ngjarja e rëndë është regjistruar në vendin e quajtur tuneli i Shkopetit ku teksa ishte duke ecur një furgon i linjës Dibër – Tiranë, përpara i kanë dalë tre persona të armatosur dhe me maska, ku i kanë kërkuar shoferit të ndalonte. Rajmond Kurti ka vepruar siç e kanë urdhëruar grabitësit, të cilët nën kërcënimin e armës, u kanë marrë pasagjerëve të gjitha paratë që kishin me vete, por edhe sendet me vlerë si unaza, varëse floriri, telefonat celularë. Pas këtij veprimi, të tre personat janë larguar me shpejtësi të madhe mes errësirës, ndërkohë që drejtuesi i mjetit ka hipur në furgon dhe është drejtuar në drejtim të komisariatit, ku edhe ka bërë kallëzimin ndaj grabitjes në fjalë. Burime pranë policisë thanë se janë duke hetuar ngjarjen, megjithëse dyshojnë mbi vërtetësinë e kallëzimit, pasi drejtuesi i mjetit ka qenë i dehur. Ndërkohë, për sa i përket shumës së parave të grabitura mësohet se ajo kap shifrën prej 200 mijë lekësh të vjetra. Pas denoncimit në zonë janë ngritur disa postblloqe policore si dhe janë kryer kontrolle në banesa
I njëjti furgon në pritë
Nga verifikimet e kryera dyshohet se i njëjti furgon udhëtarësh është tentuar të grabitet nga maskat në aksin rrugor Burrel – Milot, por që fatmirësisht nuk ka mundur të ndalojë dhe për pasojë grabitja ka dështuar. Ngjarja është shënuar në mbrëmjen e 2 janarit, kur drejtuesi ishte i vetëm në furgon dhe ishte duke ecur në rrugë. Teksa po udhëtonte, përpara tij kanë dalë persona të armatosur, të cilët i kanë bërë shenjë të ndalonte, por duke qenë se drejtuesi i mjetit ka qenë i vetëm, i ka dhënë gaz furgonin, duke çarë me shpejtësi rrethimin. Nisur nga kjo situatë,maskat kanë qëlluar në drejtim të furgonit me automatik, por fatmirësisht plumbat nuk kanë prekur drejtuesin e mjetit. Lidhur me këtë ngjarje policia shoqëroi në komisariat dy persona të dyshuar si autorë të ngjarjes. Ata janë Gjok Rrica, 19 vjeç, dhe Martin Menga, 17 vjeç. Blutë e Matit sqaruan se të rinjve u është sekuestruar edhe arma tip automatik me të cilën kanë tentuar të grabisin shoferin e furgonit.
Grabitjet kthehen në modë
Rasti i djeshëm i grabitjes së udhëtarëve në rrugë nuk është i vetmi që bëhet në këtë zonë. Shumë raste të tjera kanë ndodhur, ku persona me maska dhe të pajisur me automatikë kanë ndaluar furgonët dhe më pas kanë grabitur paratë dhe sendet me vlerë të tyre. Në shumicën e rasteve, autorët kanë qenë adoleshentët të cilët nga nevoja për të pasur para në duar vendosin t’u dalin përpara drejtuesve të furgonëve. Disa prej këtyre grupeve të adoleshentëve janë arrestuar nga ana e policisë së Matit, ndërsa pjesa tjetër vijon aktivitetin kriminal, pasi në zonën e Burrelit dhe Milotit, çdo fshat ka grupin e tij të grabitjes. Adoleshentët shfrytëzojnë rënien e natës dhe më pas hidhen në aksion, duke bërë grabitjet e njëpasnjëshme në këtë aks problematik, në të cilin tashmë po rikthehen grabitjen e dikurshme të vitit 1997.
Tiranë, plagoset me thikë një 22-vjeçar
Një i ri është plagosur me thikë pasditen e së enjtes në Tiranë. Ngjarja ndodhi në rrugën “Siri Kodra”, ku shtetasi Erjon Lila, 22 vjeç, është goditur me thikë nga një person, teksa ishte duke ecur në trotuar fare pranë një parukerie. Mësohet se i plagosuri është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, ndërsa ndodhet në rrezik për jetën.
Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje, ku edhe ka filluar hetimet për identifikimin e autorit, i cili mendohet se është larguar me një automjet. Ndërkohë, blutë kanë marrë dhe dëshmitë e para në afërsi të vendit ku ndodhi plagosja për identifikimin e autorit.
Itali, burri vret ish-gruan dhe dashnorin e saj
Një shqiptar ka kryer një vrasje të dyfishtë pasditen e kësaj të enjteje në një qendër tregtare në Akuila të Italisë. Ai qëlloi me pistoletë ish-gruan e tij dhe shokun e saj të ri e më pas iu dorëzua karabinierëve. Nga hetimet e para dyshohet se krimi është kryer për motive pasionale. Ngjarja e rëndë ndodhi në parkimin e qendrës tregtare e nga dëshmitë e para bëhet fjalë për një ekzekutim të vërtetë. Burhan Kapllani, 48 vjeç, priti ish-gruan e tij, Orjeta Boshti, me të cilën ka katër fëmijë dhe shokun e saj, Shpëtim Hana, në parkimin e supermarketit. Në momentin që çifti hipi në makinën tip “Opel Zafira” ai u afrua e qëlloi gruan me një plumb afër veshit, duke e lënë atë të vdekur në vend. Më pas ai qëlloi ndaj shokut të saj që tentoi të largohej e pas goditjes së parë që i shkoi huq, e vrau me të dytën.





