Nga shirat dimërorë me rrebesh, te vera përvëluese dhe thatësira. Sakaq, në Itali i nxehti ka qenë mbytës për pjesën më të madhe të korrikut. Ndërsa në qytetet e mëdha, gjendja paraqitet edhe më e zymtë sa i takon ozonit të troposferës, i cili ka varfëruar oksigjenin e ajrit me të cilin mbushim mushkëritë. Ndërkaq, vera ka qenë zhuritëse edhe në Evropë, SHBA, Kinë, Rusi, etj.
Atëherë, a mos vallë është e vërtetë që klima ka ndryshuar? Unë them se kështu është, e duke e shpënë më tej mendimin tim, i nxehti zhuritës ashtu si edhe i ftohti që të zë tartakuti, nuk janë thjesht të dhëna statistikore që nuk vlejnë ashtu për asgjë; edhe pse ndryshimet e skajshme klimatike bëjnë që të na shtohet ndjenja e skepticizmit.
Megjithatë, shumë qeveri në botë, në krye të të cilave radhitet Italia, nuk e bëjnë qejfin qeder për t’i dhënë udhë ndërgjegjësimit ndaj “së gjelbrës”, as edhe për ta marrë seriozisht situatën e përballjes me ndryshimet klimatike dhe rrëmetin ekologjik. Kriza ekonomike është dhe mbetet e rënduar, por problemi në rritje i pajetueshmërisë në panetin tonë është i rëndë sa s’ka më. Gjithsesi, duhet thënë se edhe në vendin tonë ka lulëzuar industria e përdorimit të erës, të mullinjve të erës. Kjo industri ka lulëzuar për shkak të shpërdorimit të fondeve publike, të rryshfetit e intrigave politike; ngase energjia e prodhuar nga era është një mashtrim fundekrye, pasi në gadishullin tonë nuk fryn erë aq e mjaftë për ta justifikuar ngritjen e kësaj industrie energjitike.
Vite të shkuara, zëdhënësi me sqimë dhe de facto i interesave të industrisë së naftës dhe pjesës dërrmuese të industrisë së rëndë ka qenë danezi Bjorg Lomberg, ku në librin e tij të bujshëm, ambientalisti skeptik mohonte ekzistencën e problemit ekologjik dhe rrallimin marramendës të burimeve ujore energjitike. Gjithsesi, vetë Lomberg deklaronte se “ngrohja globale është e pranishme, e yshtur nga vetë njeriu, i cili duhet të bëjë diçka për ta përmirësuar këtë gjendje”. Mirë atëherë. U kujtua edhe Lomberg-u për t’i rënë në kokë problemit, por, “edhe taktikat që të kallin datën, edhe kur janë me qëllim të mirë, nuk janë zgjidhje me vend”. Mirë edhe deri këtu. Por cila do të ishte vallë zgjidhja e frytshme?
Shkencëtarët e sotëm që studiojnë klimën, rrallimin e burimeve natyrore, e në analizë të fundit edhe vetë problemet e mbijetesës sonë, janë të panumërt. Vetëkuptohet që edhe këta nuk janë të pagabueshëm, por shkenca vijon duke provuar e stërprovuar. Për pasojë, ne zotërojmë një sërë të dhënash ndërgjegjësuese, që fatkeqësisht anashkalohen edhe pse me njerëzillëk.
Është fakt që qeniet njerëzore nuk njihen si krijesa “me gjak të ftohtë” që udhëhiqen vetëm nga arsyeja e arsyes. Njerëzit janë krijesa që ndërveprojnë “me gjak të nxehtë”, që kanë sa droje aq edhe pasion përshkënditës(këtu bëhet fjalë për pasionin për pushtet e para). E kështu, shkenca ndjek udhën e saj me të dhëna që nuk duhet të bien në vesh të shurdhër, por që fatkeqësisht këto të dhëna i ngjanë atij mallit që përdoret në kufijtë e afatskadencës.
Megjithatë ne mund të jemi të aftë aq sa të parashohim rrugëtimin, apo edhe prirjen, por nuk mund t’i përgjigjemi aspak “kur”-it. Kështu, të parathuash datë-skadencën është veprim i pamend, ta qepësh fare gojën nuk ka kuptim. Epo, si të dalim vallë nga ky rreth vicioz Unë për veten time nuk di t’i jap zgjidhje kësaj mëdyshjeje. Por ama një gjë e di mirë, fort madje. Që politika e strucit na bën të gjendemi mes kudhrës e çekanit.
Marrë nga “Corriere della Sera”





