Një 25-vjeçar me shtetësi gjermane është vetëhedhur dje në mbrëmje nga vinçi i një pallati në ndërtim pranë Parlamentit nga një distancë prej rreth 8 katesh lartësi dhe si pasojë e impaktit ka ndërruar jetë menjëherë. Burime nga policia e Tiranës kanë konfirmuar se personi që u vetëhodh nga vinçi është gjermani Dimo Dralle. Nga të njëjtat burime policore raportohet se 25-vjeçari dyshohet të ketë pasur probleme mendore. Aktualisht, policia ka kontaktuar nënën e të ndjerit, me të cilën ai jetonte në Shqipëri, për të verifikuar edhe rrethanat që e shtynë të riun të ndërmarrë këtë akt ekstrem. Policia ka shoqëruar në komisariat edhe rojën e objektit për të marrë edhe dëshminë e tij për rrethanat e ngjarjes dhe për të sqaruar si ka mundësi që viktima ka hipur në vinç. Forcat e policisë dhe ato zjarrfikëse janë nisur për në vendngjarje sapo janë njoftuar për një person që kërcënonte të hidhej, por nuk kanë arritur dot që të negociojnë me të ndjerin. Sipas dëshmive të dhëna nga personat që kanë qenë të parët në vendngjarje, dyshohet se personi i cili është vetëhedhur është rreth 25 vjeç dhe dyshohet se është i huaj, pasi momentet para se të hidhej ka folur në gjuhën angleze. Ndërkohë, mësohet se policia ka gjetur disa dokumente të lëna mbi vinç, duke nisur edhe verifikimet nëse bëhet fjalë për të njëjtin person.




