Dëshmia e Vladimir Gjutës: Nuk kam asnjë lidhje me tritolin që i është vendosur farmacisë së babait të ministrit të Brendshëm dhe për më tepër, nuk keni asnjë provë që të më fajësoni
“Nuk kam asnjë lidhje me tritolin që i është vendosur farmacisë se babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe për më tepër, nuk keni asnjë provë që të më fajësoni”. Kështu ka deklaruar ne Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda Vladimir Gjuta, i akuzuar si organizatori i atentatit me eksploziv në pronën e babait të ministrit Tahiri, Bashkim Tahiri. Në Gjykatë, Gjuta kërkoi gjatë ditës së djeshme ndryshimin e masës së sigurisë nga “Arrest me burg” në një masë më të butë sigurie. Por pavarësisht këtyre pretendimeve, Gjykata e Apelit për Krime te Renda, vendosi të lërë në qeli të pandehurin duke pranuar në këtë mënyrë kërkesën e institucionit të akuzës. Gjuta
Seanca e masës
Gjykata e Apelit për Krime të Rënda refuzoi lirimin nga burgu të Vladimir Gjutës, i akuzuar për vendosjen e tritolit në farmacinë e Bashkim Tahirit, babait të Ministrit të Brendshëm. Nën masa të rrepta sigurie, Vladimir Gjuta u soll në ambientet e Gjykatës nga paraburgimi i Bradasheshit në Elbasan. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, ku mësohet se para pesë gjyqtarëve të kryesuar nga Fehmi Petku, i dyshuari Gjuta nuk pranoi akuzën e prokurorisë. Ai i tha gjykatës, se nuk ka lidhje dhe asnjë provë që implikon atë në vendosjen e eksplozivit në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Gjithashtu, ai mohoi se është autori i mesazhit kërcënues në telefonin celular të ministrit, duke kërkuar nga gjykata të lirohet nga burgu. Prokurori kundërshtoi pretendimet e të dyshuarit Gjuta, duke renditur disa prova material, si blerjen e aparateve celular dhe kartave të telefonit që u përdorën për shpërthimet. Disa përgjime telefonike, që sipas akuzës, lidhin indirekt të dyshuarin Gjuta si dhe lëvizjet e tij dhe bashkëpunëtorëve të arrestuar, me cilësinë e të dyshuarve natën e shpërthimit të farmacisë. Gjykata e Apelit pasi dëgjoi palët, la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për krime të rënda muaj më parë. Prokuroria dyshon se Vladimir Gjuta në bashkëpunim me të arrestuarit Lumjan Matmuja, Kamber Bruka, Erjon Dule, Emirjon Gjuta dhe të arrestuarin në Norvegji Baftjar Bruka, janë personat që kanë organizuar dhe vendosur tritolin në farmacinë e Bashkim Tahirit dhe atë të stacionit të autobusit në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë.
Arrestimi i Gjutës
Në fotografinë që Policia e Shtetit e shpalli në kërkim si trurin e tritolvënies në farmacinë e babait të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Vladimir Gjuta ishte tullac. Në pamjet e arrestimit Gjutaj mban një paruke të zezë dje 35-vjeçari kishte mundur prej muajsh që ti shmangej arrestimit megjithëse ishte një prej personave më të kërkuar deri në 18 qershor 2015, kur ra në prangat e policisë. Njeriu që dyshohet se qëndron jo vetëm pas tritolit në farmacinë e familjes Tahiri, por edhe kërcënimit me jetë të Ministrit të Brendshëm u arrestua pranë tunelit të Kalimashit, në një operacion të forcave speciale RENEA. Vladimir Gjuta u kap në mjetin me targa të Kosovës Rks 04 540 EP ku udhëtonte si pasagjer pasi në drejtimin e tij ishte Blerim Thaçi 32 vjeç nga Prizreni. Bashkë me ta në një makinë të dytë më targa AA 169 JG udhëtonte edhe Indrit Ademi 26 vjeç nga Kukësi. Në momentin e prangosjes, Gjutës iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 950 euro, 45 mijë lekë dhe 6 celularë. Mësohet se policia kishte marrë informacion në rrugë operative për lëvizjet e njeriut të supërkërkuar dhe mbi bazë është ndërmarrë edhe operacioni i specialeve. Nën masa të rrepta sigurie, Gjuta është sjellë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ku është mbyllur në dhomat e paraburgimit.
Shpallet i pafajshëm kavajasi i akuzuar për terrorizëm, kthehet në Shqipëri
Një muaj pas ekstradimit të tij drejt Italisë për llogari të një hetimi mbi celulat terroriste të lidhura me ISIS, deportohet në Shqipëri Alban Elezi, 38-vjeçari nga Kavaja i cili njëherazi është dhe hoxha i xhamisë së fshatit Rrakull në Kavajë. Për herë të parë pas kthimit nga Italia, Elezi ka bërë rrëfimin e tij në “A1 Report” për kohën e qëndrimit në Itali në pritje të vendimit dhe kthimit pranë familjarëve. Ai nuk ka pranuar të dalë para kamerave pasi thotë se feja islame nuk e lejon këtë gjë. Rrëfimin ai e ka bërë për gazetarin Artur Korriku, teksa shprehet se me vendimin e Gjykatës së Breshias në Itali u vendos drejtësia. “Gjykata e Breshias rrëzoi akuzat për pjesëmarrje në një grup kriminal në Itali i cili rekrutonte luftëtarë për ISI. Këto akuza rezultuan të pabaza. Pas lirimit autoritetet italiane më nisën drejt Rinasi, por ndaj meje u vendos heqja e të drejtës së lëvizjes drejt Italisë për 5 vite. Kjo ndodhi, pasi kur unë u ekstradova nga Shqipëria, nuk kisha dokumentet e nevojshme me vete dhe kjo sipas ligjit italian më dënon me 5 vjet nga e drejta e lëvizjes për në Itali. Kjo nuk më shqetëson, se unë nuk do të shkoj më në Itali, por vetëm se më kanë penguar të takohem me vëllezërit që jetojnë atje”, – tha Elezi. Alban Elezi u prangos në muajin mars për llogari të drejtësisë italiane e cila po hetonte një celulë ku dyshohej se bënte pjesë 38-vjeçari dhe nipi i tij Elvis Elezi i cili jeton në Itali. Fillimisht në gjykatë u lirua Elvis Elezi e më pas dhe xhaxhai i tij Alban Elezi, i cili ka rrëfyer se dhe gjatë qëndrimit në burg në Itali ai ka mbajtur agjërim pasi kjo periudhë ka përkuar dhe me muajin e ramazanit. “Në Itali gjatë kohës që vijonte procesi i gjyqit, kam mbajtur Ramazan ashtu si e kërkon feja islame. Edhe tani po vijoj ta mbaj dhe kryej të gjitha ritet e fesë në xhaminë e fshatit. Do t’u rikthehem aktiviteteve dhe jetës së mëparshme, pasi kam 5 anëtarë të familjes për të mbajtur”, – rrëfen Elezi. Alban Elezi është rikthyer një ditë më parë në atdhe, ku pas kalimit të pikës kufitare të Rinasit ai është paraqitur dhe në komisariatin e Kavajës për shkak të procedurave të deportimit. Vënia në pranga e Elezit nuk është rasti i parë ku policia bën arrestime për llogari të drejtësisë italiane, ku pak ditë më parë në pranga u vendos dhe Baki Çoku nga Lushnja i cili po ashtu pritet të ekstradohet për një hetim në lidhje me celulën terroriste të ISIS në Itali, celulë kjo e drejtuar nga “Fatima”, e dashura shqiptare e nipit të Çokut, Aldo Kobuzi.
Nën akuzë për korrupsion mjeku Preçi: Duan të më denigrojnë
“Nuk jam inkriminuar në asnjë marrje ryshfeti, por janë disa institucione si policia dhe Prokuroria që duan të nxjerrin në pah punën e tyre duke denigruar bluzat e bardha”, – në këtë mënyrë është shprehur mjeku psikiatër Gjon Preçi mbi ndalimin e tij nga efektivet e policisë së Shkodrës për marrje ryshfeti. Ky është rasti i dytë që Preçi procedohet penalisht me akuzën e marrjes se ryshfetit për kryerjen e shërbimit të mjekut. Preçi tha se komuniteti e ka vlerësuar maksimalisht punën e tij dhe se do të vazhdojë të shërbejë në të mirë të komunitetit pavarësisht këtyre tentativave për të denigruar figurën e tij dhe institucionit ku ai punon.
Dy fëmijë në rrezik mbytjeje, shpëtohen nga forcat e policisë
Policia e Vlorës ka ndërhyrë dje dhe ka shpëtuar dy fëmijë, me ndihmën e mjeteve ujore pranë zonës së njohur si uji i ftohtë. Menjëherë pas telefonatës së nënës së fëmijëve, kanë vajtur në vendngjarje dhe kanë konstatuar se dy adoleshentët ishin futur thellë në ujë saqë nuk kishin mundur të dilnin nga deti, deri në momentin që nëna e tyre, shtetasja A. Gj. kërkon ndihmën e Policisë. Fëmijët me iniciale I. Gj., 15 vjeç, dhe A. Gj., 13 vjeç, janë shpëtuar nga patrulla e Policisë së rendit dhe ajo e kufirit me ndihmën e një mjeti lundrues, jashtë rrezikut për jetën.




