Mesditën e djeshme në rrugën Shkodër-Velipojë automjeti i deputetit Tom Doshi është përplasur me një makinë tjetër BMW. As Doshi dhe as shoferi i tij nuk pësojnë dëmtime
Deputeti i përjashtuar nga Partia Socialiste Tom Doshi është përfshirë në një aksident rrugor mesditën e djeshme në aksion rrugor Shkodër-Velipojë në Qafë-Shtiqën, por fatmirësisht nga përplasja me një tjetër makinë, janë shënuar vetëm dëme materiale pa të lënduar në njerëz. Makina e blinduar tip Audi me targa AA 833 JV në pronësi të deputetit Doshi por që drejtohej nga shoferi i tij Klodian Mema u përplas me një BMW me targa AA 535 AR që drejtohej nga Ramazan Gjekaj, mjet që vinte nga Velipoja në Shkodër. Makinat janë përplasur përballë me njëra-tjetrën pasi Doshi po udhëtonte në drejtimin Shkodër-Velipojë. Përplasja ka qenë e fortë por për shkak se mjeti i deputetit Doshi është i blinduar as ai dhe as shoferi i tij nuk kanë pësuar lëndime. Deputeti mësohet se po udhëtonte drejt Velipojës ndërsa automjeti tjetër po kthehej për në qytetin e Shkodrës. Nuk dihen motivet pse ai ka humbur kontrollin e mjetit. Policia e Shkodrës nisi hetimet për zbardhjen e rrethanave të plota të aksidentit.
Aksidenti i Doshit
Deputeti Tom Doshi është përfshirë në një aksident rrugor ditën e djeshme në aksin Shkodër –Velipojë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:15, në fshatin Shtiqën. Mjeti tip “Audi” me targë AA833JV me të cilën udhëtonte Tom Doshi, që drejtohej nga Klodian Mema, u godit nga pas nga një automjet tip “BMW” me targë AA 435 AR me drejtues Ramazan Gjekaj. Fatmirësisht nga përplasja nuk ka të lënduar në njerëz, por vetëm dëme materiale. Aksidentin e konfirmoi edhe vetë deputeti Doshi, i cili thotë se ngjarja ka ndodhur në rrugën që shkon për Velipojë dhe sqaron se automjeti tjetër e ka marrë kthesën ngushtë, duke shkaktuar kështu edhe aksidentin. Policia ka kryer të gjitha veprimet hetimore e procedurale në vendin e ngjarjes, ndërsa siç duket edhe në foto, mjeti i deputetit Doshi ka marrë goditje në krahun e shoferit por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar. Makinat janë përplasur përballë me njëra-tjetrën pasi Doshi po udhëtonte në drejtimin Shkodër-Velipojë. Përplasja ka qenë e fortë por për shkak se mjeti i Doshi është i blinduar askush nuk ka pësuar dëmtime. Ende janë të paqarta rrethanat dhe shkaqet e humbjes së kontrollit të automjetit nga drejtuesi Gjekaj. Policia e Shkodrës nisi hetimet për zbardhjen e rrethanave të plota të aksidentit.
Akuzat e Doshit
Deputeti Tom Doshi shkaktoi pak muaj më parë një furtunë të vërtetë politike ndërsa akuzoi, kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, se kishte dërguar njerëz për ta eliminuar atë dhe deputetin demokrat Mhill Fufi, fizikisht!… Pas maratonës së dëshmive në prokurori, ku Doshi përfundoi deri edhe në qelitë e paraburgimit i akuzuar për kallëzim e dëshmi të rreme, deputeti i Shkodrës bëri edhe një deklaratë të fundit duke u shprehur publikisht në një intervistë në Top Story se: “I them Ilir Metës se armik tjetër Shqipëri nuk kam, përveç teje. Durim Bamit i detyrohem gjithë jetën”. Deduksioni i kësaj natyre deklarate i bërë nga Doshi ishte, se nëse atij i ndodhte ndonjë ndonjë sulm fizik apo qoftë edhe “aksident”, për të kishte vetëm një njeri prapa kësaj dhe i dyshuari Numër 1, do të ishte Ilir Meta.
Ktheheshin nga dasma e krushqve, aksidentohet për vdekje vjehrri
Një dasmë në Roskovec është kthyer në tragjedi. Pas vizitës tek nusja makina e krushqve është përplasur me një tjetër mjet teksa kthehej në Vlorë. Për pasoje ka humbur jetën babai i dhëndrit. Pas gostisë tek dasma e krushkut në Roskovec të Fierit rruga e kthimit për në Vlorë rezultoi fatale për të atin e dhëndrit. Rreth orës 04:00 të mëngjesit të djeshëm në aksin Fier –Levan, mjeti që drejtohej nga djali i viktimës u përplas me një tjetër mjet ku humbi jetën 61-vjeçari Kujtim Guta. Sipas policisë dyshohet se shkak i përplasjes ka qenë shpejtësia e madhe me të cilën po udhëtonin të dy makinat. Pjesëtarët e tjerë të familjes mësohet se nuk janë lënduar nga ngjarja. Pas aksidentit drejtuesi i mjetit tjetër është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është shpallur në kërkim nga policia.
Kërcënon fqinji me kallashnikov, por nuk kishte asnjë fishek
Një 58-vjeçar u arrestua në flagrancën nga policia pas një kallëzimi të bashkëfshatarit të tij se e kish kanosur me automatik. Kujtim Hotaj, banues në Malësinë e Madhe në gjendje të dehur ka shkuar në banesën e 54-vjeçarit me inicialet Q. R., gjithashtu banues në Malësi të Madhe dhe e ka kërcënuar me automatik. Hotaj u arrestua më tej në banesën e tij pas kallëzimit të bërë nga i dëmtuari, ku policia i gjeti armën tip automatik model Zastava me një krehër në të, i cili në fakt ishte pa fishekë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe të zjarrit ” parashikuar nga neni 278/2 Kodit Penal.
Prangoset vrasësi i bariu në Ersekë, u zunë për kullotat
Orët e para të mëngjesit të djeshëm është vënë në pranga e policisë 54-vjeçari Abaz Isa, i cili mbrëmjen e së premtes ekzekutoi 26-vjeçarin Marjo Laho, që punonte si bari në zonat e thella të Ersekës. 54-vjeçari ishte fshehur në një zonë të pyllëzuar pranë malit të Gramozit teksa forcat e policisë ishin në ndjekje të tij dhe gjithashtu në negociata me familjarët për dorëzimin. Shkelja nga bagëtitë e kufijve të vënë mes hapësirave të kullotave në Malin e Gramozit, i kushtuan jetën Mario Laho, bariut nga fshati Starje i Ersekës, i cili u ekzekutua me armë zjarri nga 54-vjeçari Abaz Isa, i cili gjithashtu punonte si bari në këtë zonë. Familjarët e 26-vjeçarit të vrarë pohuan para kamerave se i riu u ekzekutua me breshëri automatiku, teksa hante bukë në stan, ndërsa pohuan se Abas Isa ka qenë i shoqëruar edhe nga persona të tjerë. Isa dhe Laho prej kohësh ishin në konflikte për njëri-tjetrin për çështjen e kullotave të bagëtive. Konfliktet u acaruan deri në përdorimin e armëve të zjarrit, ku 54-vjeçari Isa ekzekutoi me breshëri automatiku Marjo Lahon. Autori i krimit duke e njohur mirë terrenin ka mundur t’i fshihet për disa orë forcave të policisë, të cilat kishin vënë në dijeni edhe palën greke për këtë vrasje. Policia gjeti dhe sekuestroi armën e krimit me të cilën u vra bariu ne Malin e Gramozit. Specialistët e Sektorit të Krimeve në Policinë e Korçës në bashkëpunim me efektivat e Komisariatit të Kolonjës si rezultat i veprimeve procedurale të kryera, në orët e mesditës, kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e armës me të cilen Abas Isa, ka vrarë Mario Lahon. Në cilësinë e provës materiale është gjetur dhe sekuestruar arma e tipit “Kallashnikov” model 56, me një fishek në goj si dhe një karikator me 16 fishekë. Arma u gjet e fshehur në një sipërfaqe toke të mbjellë, në pronësinë e autorit, në një largësi prej 200 metrash nga banesa e tij në fshatin Kreshovë.




