Takimi/ Basha Berisha takim kokë më kokë për situatën në PD

Jetmir Olldashi

BerishaNë mesditë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha,u është drejtuar zyrave të liderit historik të së djathtës, Sali Berisha

Ndryshon strategjia e opozitës. Kreu i Partisë Demokratike ka filluar një tur të rëndësishëm takimesh me faktorët kryesorë, ndërkombëtarë për delegjitimimin e zgjedhjeve, ndërsa po takon në mënyrë intensive edhe aktorët e politikës së brendshme. Gjatë ditëve të fundit, përveç vizitës në Vjenë, Basha ka takuar edhe ambasadorin amerikan Lu në një drekë informale dhe rastësore siç raportojnë media të ndryshme. Sigurisht që në planin e brendshëm zoti Basha, si kryetar aktual i Partisë Demokratike, do të kishte në axhendën e tij dhe liderin historik të kësaj partie, zotin Sali Berisha. Sigurisht axhenda e ish-kryeministrit është tepër e ngjeshur dhe me shumë takime, pasi i duhet të presë aktivistë nga e gjithë Shqipëria si dhe patriotë demokratë që vijnë nga e gjithë bota. Diplomatët e huaj janë një tjetër kategori që viziton herë pas here zotin Berisha. Në mesditë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha,u është drejtuar zyrave të liderit historik të së djathtës, Sali Berisha. Axhenda e ngjeshur e këtij të fundit ka bërë që zoti Basha të priste për një hapësirë bisede me ish-kryeministrin Berisha. Lulzim Basha ka pritur me qetësi dhe sipas radhës takimin e tij duke respektuar të tjerët që kishin takim para tij. Një gjë e tillë është një lloj sjelljeje e re dhe demokratike e një lideri, duke pasur parasysh kryetarët autoritaritë të partive që kanë dominuar jetën politike shqiptare. Në takim tek ish-kryeministri Berisha ka qenë dhe patrioti i madh i çështjes shqiptare, përfaqësuesi i diasporës Hajro Çini, i cili ka ardhur nga Kanadaja këto ditë në Shqipëri. Zoti Basha ka biseduar rreth situatës në Partinë Demokratike dhe aksionin opozitar. Ndërkohë, sipas burimeve nga partitë aleate, kryetari i PD-së,Basha, ka piketuar takime edhe me ata në ditët që vijnë. Duket se analiza e brendshme e rezultatit si parti dhe konsolidimi i koalicionit opozitar janë dy përparësi, të cilat ecin paralelisht me denoncimin e parregullsive të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit. Ndërsa në planin ndërkombëtar opozita e ka bërë punën e saj duke sjellë në vëmendjen e europarlamentarëvemanipulimin dhe shkatërrimin e zgjedhjeve, në planin e brendshëm Bashës do t’i duhet të vendosë rregull në grupin parlamentar. Opozicioni ndaj ligjeve për të kthyer Kuvendin në një arenë debati. Ndërkaq,kreu i selisë blu po përpiqet të bindë skeptikët dhe kritikët e brendshëm për një front të vetëm opozitar. Strategjia e Bashës, u shpreh një zyrtar që nuk do të identifikohet, konsiston në shuarjen e zërave kritikë. Unifikim i Partisë Demokratike në veçanti dhe opozitës në tërësi. Ajo që bie në sy dhe thuhet rëndom në rrethet mediatike është mpirja e marrëdhënieve me publikun të opozitës. Nuk ka reagime të përditshme dhe të fuqishme për problemet që shqetësojnë vendin. Opozita duket se ka marrë pushimet. Shtatori do të jetë muaji kur do të zbresë në “mejdian” për t’u ndeshur me shumicën e majtë qeverisëse.

 

Ambasadori Lu, qeverisë:Bashkëpunoni me shoqërinë civile

Ekstremizmi fetar dhe rekrutimi i të rinjve dhe shtresave në nevojë ka qenë në fokusin e konferencës “Radikalizmi fetar dhe ekstremizmin i dhunshëm në Shqipëri”e mbajtur në Tiranë. Në fjalën e tij ambasadori amerikan Donald Lu nxiti shoqërinë civile jetë më aktive dhe të luajë një rol më substancial për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. “Shoqëria civile është çelësi për zhbllokimin e çështjes së ekstremizmit të dhunshëm si për të kuptuar përmasat e tij por dhe për të pasur parasysh sesi luftohet kundër radikalizimit të të rinjve”. Diplomati amerikan këshilloi dhe qeverinë të bashkëpunojë me shoqërinë civile për hartimine strategjive kundër ekstremizmit fetar. “Ne inkurajojmë qeverinë për të studiuar raportin e IDN-së dhe për ta përdorur atë në përgatitjen e planit të veprimit të Shqipërisë për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Ne besojmë se puna e organizatave te shoqërisë civile mund dhe do të bëjë një ndryshim në ruajtjen e sigurisë së shoqërisë tonë”. Pjesë e konferencës “Radikalizmi fetar dhe ekstremizmin i dhunshëm në Shqipëri” ishinministra të kabinetit “Rama” si dhe ambasadorja e BE-së Vlahutin dhe kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj. Parandalimi i ekstremizmave të dhunshëm po arrihet në Shqipëri nga bashkëpunimi i shoqërisë civile, bashkësive fetare dhe institucioneve shtetërore, megjithëse mbetet ende për t’u bërë pas sinjalizimeve të fundit se disa shqiptarë i janë bashkuar shtetit terrorist të ISIS-it. Përfaqësues fetarë, diplomatikë, studiues dhe qeveritarë morën dje pjesë në konferencën për radikalizmin fetar dhe ekstremizmin e dhunshëm, ku u diskutua për të forcuar bashkëpunimin përballë këtyre dukurive jo të lehta për t’u trajtuar. Ambasadori i SHBA në Shqipëri, Donald Lu, i kërkoi qeverisë që të analizojë me kujdes anketat dhe studimet e shoqërisë civile mbi këto dukuri, sepse ata qëndrojnë më pranë njerëzve të thjesht.

 

Bruçaj: Komuniteti Mysliman ka projekte për të luftuar radikalizmin

Komuniteti Mysliman Shqiptar ka dënuar çdo akt terrorist, i cili maskohet prapa simbolikave fetare. Kryetari i këtij Komuniteti, Skënder Bruçaj, tha se bashkësia myslimane po ndjek një seri projektesh për të informuar besimtarët dhe për të ndryshuar mendësitë e gabuara që vijnë nga keqinformimet mbi radikalët dhe ekstremistët. Toleranca fetare shihet nga të gjithë si një element kyç kundër radikalizmit të dhunshëm. Krahas tolerancës fetare, Shqipëria ka edhe vendosmërinë për të goditur dhe parandaluar ekstremizmin, pohoi ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Sipas tij, ekstremizmi i dhunshëm mund të parandalohet me bashkëpunimin e të gjithë institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile. Disa muaj më parë forcat e rendit arrestuan një imam dhe një grup të rinjsh nën akuzat për rekrutim të personave për t’i dërguar në Siri dhe veprimtari të tjera kriminale dhe mesazhe dhune. Një numër shqiptarësh mendohet se kanë mbërritur në zona të kontrolluara nga ISIS-i dhe janë bërë pjesë e luftimeve atje, ndërsa në Shqipëri edhe pse ministri pretendon se janë forcuar masat për t’u frenuar kjo dukuri sërish ka një numër shqetësues të të rinjve që i bashkohen radikalizmit.

Share it :