“Nga kriteret kushtetuese rezulton se kriteri për shpërblimin ose kompensimin në dobi të ish-pronarit nuk mund të jetë i plotë, por i drejtë”
Agjencia për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave ka shpjeguar mënyrën se si do të bëhet kompensimi i pronarëve. Duke iu përgjigjur pyetjeve të ish-pronarëve dhe shoqatave për pronat, AKKP sqaron se drafti i ri do të bëjë kompensimin 100% të pronarëve. “AKKP-ja gjatë takimeve dhe konsultimeve për hartimin e kuadrit ligjor reformues ka reflektuar mbi propozimet dhe vërejtjet e grupeve të interesit, duke u bazuar gjithmonë në Kushtetutën e RSH-së, konventat e ratifikuara dhe në kuadrin ligjor dhe nënligjor të vendit, duke siguruar kështu një draft ligjor i cili zgjidh në mënyrë përfundimtare, brenda një periudhe kohore të pranueshme dhe në mënyrë efikase e reale të gjithë procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave, proces ky i tejzgjatur në 23 vite. “Gjykatës Kushtetuese i nevojitet, para se ajo të arrijë në vlerësimin përfundimtar të kërkesës, të analizojë dhe të shqyrtojë pretendimet e kërkuesit mbështetur në kuptimin që i jepet të drejtës së pronës dhe në frymën që mbartin dispozitat përkatëse të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Analiza dhe interpretimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese i disa prej koncepteve kushtetuese që kanë të bëjnë me “interesin publik” dhe me “shpërblimin e drejtë”, si dhe respektimi i parimeve të drejtësisë, të proporcionalitetit dhe të shtetit social, përbëjnë njëkohësisht edhe kufijtë kushtetues të hapësirës së vlerësimit, mbi të cilat duhet të orientohet ligjvënësi për respektimin e të drejtës së pronës. Gjykata Kushtetuese thekson se neni 181 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë përbën një dispozitë kalimtare, që përcakton detyrimin e Kuvendit për të normuar rregullimin e drejtë të çështjeve që kanë të bëjnë me shpronësimet dhe konfiskimet e kryera përpara miratimit të kësaj Kushtetute. Kjo dispozitë kushtetuese ka për qëllim t’i hapë rrugën ligjvënësit për të ndrequr në afate të arsyeshme kohorë dhe brenda të gjitha mundësive që ka shteti, një padrejtësi që i është bërë shtresës së ish-pronarëve. Nga kjo pikëpamje, norma kushtetuese e sipërcituar, e cila nuk mund të ketë fuqi prapavepruese, përbën një orientim për ligjvënësin që çështjet e shpronësimeve dhe të konfiskimeve, t’i rregullojë pa tejkaluar kufizimet e lejueshme dhe duke respektuar standardet kushtetuese”, – thuhet në një reagim të AKKP-së.
Gjykata Kushtetuese
Nga kjo pikëpamje, rregullimi i kthimit dhe kompensimit të pronës në origjinën e vet, synon të korrigjojë, për aq sa është e mundur “brenda mundësive dhe kushteve ekonomiko-sociale të vendit”, padrejtësitë e regjimit të kaluar, të kryera në dëm të pronës private nëpërmjet shtetëzimeve, shpronësimeve, konfiskimeve ose me çdo mënyrë tjetër të padrejtë. Në të gjitha qëndrimet e mbajtura në jurisprudencën kushtetuese evropiane, duke përfshirë këtu edhe atë shqiptare, konstatohet se, në respektim të parimit të drejtësisë dhe të shtetit social, nuk mund të vendosen detyrime për kompensimin tërësor të pronës së shpronësuar apo të shtetëzuar nga regjimet që nuk kanë respektuar standardet minimale të të drejtave të njeriut dhe se “rivendosja e plotë e të drejtave të mëparshme të pronësisë do të ishte në kundërshtim me vet parimin e barazisë”. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenet 41 dhe 181, ka pranuar kriteret e “rregullimit të drejtë” dhe të “shpërblimit të drejtë”. Nga këto kritere kushtetuese rezulton se kriteri për shpërblimin ose kompensimin në dobi të ish-pronarit nuk mund të jetë i plotë, por i drejtë. Ky rregullim kushtetues i detyrohet jo vetëm funksionit të dyfishtë privat dhe shoqëror që mbart në vetvete e drejta e pronës, por edhe rrethanave historike, politike, ekonomike, shoqërore e juridike, të cilat kanë ndikuar në situatën e krijuar dhe, si të tilla, nuk mund të mos i kishte parasysh ligjvënësi… Nga koncepti i të drejtës së pronës që ka pranuar Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 41 të saj, të cilin e ka sanksionuar edhe neni 1 i Protokollit Shtojcë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nuk rrjedh asnjë e drejtë absolute për shpërblim të plotë. Çështja e detyrimit për dëmshpërblim në vetvete dhe kufijtë e tij përcaktohen nga rrethanat e secilit rast konkret. Shtetit ka një hapësirë të gjerë vlerësimi, për arsye se ai njeh gjendjen dhe raportet shoqërore më mirë se çdo individ dhe se vetëm ai ka në dispozicion mjetet ligjore për t’i përmirësuar ato. “Objektivat legjitim të interesit publik si ato që ndiqen në kuadrin e masave të reformës ekonomike, ose masat e hartuara për të arritur drejtësi më të madhe shoqërore, mund të kërkojnë një rimbursim më të vogël se vlera e plotë e tregut.”Gjykata Kushtetuese konstaton se një ndër kriteret kushtetues që gjen zbatim në këto dispozita ligjore të sipërcituara është “interesi publik”. Çdo ndërhyrje ndaj pronës mund të justifikohet vetëm nëse është në interesin publik ose të përgjithshëm. “Marrja e pronës në bazë të një politike të llogaritur për të arritur drejtësi shoqërore brenda komunitetit mund të përshkruhet saktësisht si politikë në interesin publik…” Nga interpretimet e mësipërme të Gjykatës Kushtetuese kuptohet shumë qartë se shpërblimi i drejtë i sanksionuar në nenin 41 të Kushtetutës së RSH-së në asnjë rast nuk mund të barazohet me nocionin e shpërblimin e plotë, apo të rivendosjes të plotë të të drejtave që ish pronari ka poseduar para vitit 1945, i njëjti qëndrim është mbajtur edhe për kthimin e pronës. Megjithatë, reforma e ndërmarrë garanton kompensimin 100% të pronarëve si dhe garanton rikthimin e të drejtave të pronësisë (atëherë ku toka mund të kthehet).
Fondi i tokës
Lidhur me fondin e tokës, sqarojmë se ky është fond toke me status juridik shtet i cili është në dispozicion për kompensimin e pronarëve. AKKP-ja lidhur me këtë fond ka kryer të gjitha veprimet, si vijon:
– Ka vijuar procedurat për rezervimin pranë ZVRPP-ve përkatëse të pasurive pjesë e këtij fondi.
-ika evidentuar një më një ato dhe i ka vlerësuar financiarisht.
– Ka verifikuar që për këto pasuri nuk ka asnjë pretendim për kthim apo kompensim. Pra, ky fond është një fond i konsoliduar dhe i gatshëm për vijimin e procedurave përkatëse të kompensimit.
Projektligji
Projektligji është hartuar duke pasur në fokus praktikën e Gjykatës Kushtetuese të RSH-së, Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe gjykatave kushtetuese të vendeve të tjera evropiane dhe është hartuar në përmbushje të plotë të detyrimeve që përcakton Kushtetuta e RSH-së dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ky vendim citon “ligji nr. 7514, datë 30.9.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të përndjekurve politikë” dhe ligji nr. 7698, datë 15.04.1993, “Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve”, nuk janë mënyra të reja të fitimit të pronësisë, por korrigjim i padrejtësisë së bërë dhe për këtë qëllim, shfuqizojnë ipso lege të gjitha aktet e mëparshme ligjore, me të cilat u ishte marrë prona pronarëve padrejtësisht. Ato nuk krijojnë një situatë të re (nuk kane efekt konstitutiv), por ristabilizojnë ligjshmërinë dhe drejtësinë.
Shfuqizimi i akteve të sipërpërmendura, ka si efekt kthimin e palëve në gjendjen e mëparshme, duke rregulluar në masën më të mundshme, situatën e paligjshmërisë lidhur me të drejtën reale më të rëndësishme, atë të pronësisë (jo të drejta të tjera reale e aq më pak të drejtat e detyrimeve). Në këtë këndvështrim, kthimi në gjendjen e mëparshme nuk është i plotë por i pjesshëm (restitutio in parte).
Nëpërmjet këtyre akteve normative u njihet e drejta e pronësisë ish-pronarëve ose trashëgimtarëve të tyre dhe u përcaktuan modalitetet për gëzimin efektiv të saj. Për shkak të kohës së gjatë të paligjshmërisë dhe pamundësisë objektive të kthimit fizik të të gjitha pronave të marra, ligji parashikon për rastet kur kjo e para nuk është e mundur, alternativën e kompensimit”.




