Turistë në udhë

Nga Gëzim Llojdia

Nga Gëzim LlojdiaVrasja e dy turistëve çekë më solli ndërmend ardhjen e tyre edhe në Orik. Çekët vinin çdo fillim vere dhe fund vere. Ardhja e tyre ishte organizuar nga një agjenci në Shkodër, e cila kishte limituar gjithçka të fillonte një erë e re marrëdhëniesh turistike. Çdo 15 ditë, turistë nga vendi i largët evropian. Ata ishin veriorë dhe ardhja në jug i magjepste, klima e ngrohtë, ujët e kripur, deti, vargmalet, vendet atraktive. Sa herë vinin në Orik, befasoheshin, nuk i ndillte shumë e shkuara e largët e portit të lashtë në Adriatik sesa baza detare e kohës së rusëve. Që prej vitit 2009, çekët filluan rregullisht ardhjen edhe në jug.

Një ese e shkruar u përket atyre viteve.

Urën, që bashkon dy brigje, e lëmë në të majtë. Urat gjithë kohës në këtë vend kanë lidhur brigjet. Edhe brigjet e shpirtit janë ura qelqore. Mercedesit të vjetër i kërcisnin kockat. Një autobus me turistë francezë gulçon. Ngjyra e tij: telajo e zezë e thekur. Turistë në udhë. Kokëkërrusur në sediljet luksoze. Gjurma e fytyrës. Shpresoj të mos ketë humbur. Një ngjyrë gri, që nuk i shkonte aq keq. Peizazhi përpara qelqeve. Tiparet e tij ishin: ngjyra e verdhë e syve të ngrirë. Hija e tij, vetvetja. Një ndërtesë, i thënçin. Tre burra thonë habere të gjymtuara nga mbrëmja. Në kafe rrokanisen lajmet. Kruajnë mjekrën me gurët e dominosë. Lëvizje të shpejta. Rrugë të heshtura. Si ishte tretur vdekja? Në mesditë. Një thashethemnajë rri mbërthyer. Ajo përhapej si reja e zezë.

-Mbrëmë u përhap lajmi se ishte ndarë Ardiani. Ishte kthyer nga Italia, pa nusen?

-Mos more! Ja kështu?Po. Popopo…… popopopo……………………………………..

Që t’i limitojmë gjërat, në fillesë do të shqyrtojmë diçka që shfaqet si një enigmë, por edhe mundet të mos jetë. Ky fshat s’ndryshon shumë nga të tjerët në këtë strehë jugore. Nga dhjetori në mars, agimet janë të ngopur me shi. Nga kreshtat e vargmaleve, shirat zbresin në tokë me rrebesh. Vesa, lot pikon nën dritë të hënës. Dielli i praruar lind në lindje, ndonëse gjelbërimi zë fill në mërmërimë pranverore. Kreshtat përmbi fshat janë të populluar nga gurët. Poshtë këmbëve, në rrugën e zallit ecën herë i qetë, herë i fryrë, lumi i lumit, ujëshumë, lumi i jetës. Ky i fundit krejt ndryshe.

Autobusi i turistëve ndalon. Shoqëruesja. Profesore universiteti. Rreth 55 vjeçe. – Duhet të qëndrojmë. Shenja tjetër nga pas qelqeve.

-Urdhëro Mari!

-Duam të shkojmë në një tualet.

Ngrita supet. Pyesim më mirë të zotët e këtij vatani.

U afrova tek burrat me gurët e zinj në duar.

-Mirë se ju gjetëm!

-Mirë bëre, që erdhe.

Pronari: Çfarë do të pini?

-Më duhet të pyes, ka tualet përpara se t’i zbresim turistët.

-Çfarë?

-Tualet.

-Aha, jo, jo!

Maria shqoi përgjigjen mohuese. Dora e saj pati drejtimin e udhës pa zift. Qendra e fshatit. Një banesë e vjetër. Shkoqur suvaja. Lokali lexonte: MAPO. Me Marinë hymë brenda.

-Si kurtizankat e asaj kohe të perënduar. Zëri i Marisë.

-Çfarë do merrni? – tha shitësja.

-Jemi turistë shkojmë në shpellat e fshatit. Nëse keni tualet mund të pimë një kafe.

-Banjo nuk ka. Po ti shoqërues, zbriti këta ta huajt t’u marrim nga një lek. Jemi na rëngë.

-Silli ore këta se edhe ti do të kesh riskun tënd.

– Ikim, – tha Mari.

Shitësja mërmëriti nëpër dhëmbë. Ofshau. Pas tri kthesave, një çezmë, që rridhte curril uji.

Maria nuk dha asnjë shenjë. Fshati në të djathtë shquhej më larg. Nga mjegullinat e kohës nuk mbahet si u ngrit fshati. Autoktonë. Një mërmërimë e padukshme ka shoqëruar ardhjen e tyre. Ishte zënë bota. Që kur bota ishte zënë. Eh Naimi… Ndërkaq, toponime, aty nuk gjendet në mënyrë rastësore. Engjëjt e qiellit plot hire e kanë miradresuar ëndrrën poshtë maleve me gurë. Ëndrra nuk përmbante enigma. Ndryshe ëndrra, pjesa e shifruar e saj, që hodhi rrënjë në thellësi të zemrës, ishte fare e qartë, Këta ishin autoktonë dhe paraardhësit e tyre ndërtuan streha guri. Motet, askush nuk i mbanë mend kollaj. Ngase njëra palë vjen në këtë jetë d.m.th. ti vjen dhe pala tjetër d.m.th. ai është kthyer në strehën e parë. Në pluhur dhe baltë. Makinat gulçonin në udhën me çakëll dhe pluhur. Lokali ishte poshtë rrapit. Pesë tavolina me burra. Vivari i ujit shushurinte. Burrat ngritën kokat. Kureshtarë.

-Çfarë janë, turistë. Pronari fshiu duart.

Kemi mish të pjekur. Po tualet keni?

-Ç’e duam, ka përralle sa të duash.

-Ikim më mirë, – tha Maria.

-Nuk do të merrni mish. Silli ore ti, ku kanë parë këta mish të pjekur. Të hanë të denden.

Shpellat i arritëm në kilometrin 42. Kujdestari tek dera: I shpure tek Veseli, tha ka mish të pjekur. Mirë, po para kanë?

Ata donin një tualet. Shkojmë më mirë tek banesa ime. Të gjithë, sa turistë më vijnë mua, ehu.

Ishte një banesë me dy kate. Sipër me rras guri. Dyer bojë qielli. Një gjysmë hardhie, pa shtrat. Qëndruam në oborr. Erdhi e shoqja. Rreth dyzet vjeçe. Veshur një palë pantallona ushtarake.

-Keni tualet, për turistët?

-Çfarë? Tualet moj motër, prandaj erdhën këtu.

Shikoi, hoqi qëndismën nga koka. Në fshatin tonë ne e kemi më të mirën.

-Ne nuk i themi ashtu. Ne, hale i kemi thënë, hale i themi.

-Mirë po ku është sepse turistët po presin dhëmbështrënguar.

-Ja andej. E shikon atë atje. Po.

-Po ajo s’ka derë.

-Po çe duan derën. Se mos vete njeri këtu. Fëmijët tanë ja këtyre bokërimave. Kur na vijnë miq ne bëjmë një javë pastrim territori. T’u bëjë Hankua një kafe e raki. Si thoni?

Në të cekur të muzgut. Maria më tha se në shpellë ishte ngjitur një lloj balte, që mbante erë.

Turistë në udhë. Përveç thelbit. Kur është shfaqur silueta turizmit tek ne, në botë prej 100 vjetësh ekzistonte. Gjejmë dy rradhona në gazetën “Drita” të vitit ‘39 e cila në mënyrë koncize zbulon faktin e krijimit të Ministrisë së Kulturës Popullore. Pra do të fillonte të merrte udhë turizmi.

-Në çështjen e turizmit ministria do të mbikëqyr dhe drejtojë aktivitetin turistik i cili zhvillohet në Shqipëri nën patronazhin e N. S. Mbretërore princesha Mexhite. Ky aktivitete cilësohet se jo vetëm pasurohet vendi por ka të bëjë me tërheqjen e të huajve por dhe ti shtyjë shqiptarët të njohin Shqipërinë dhe bukurit e saj dhe ta dashurojnë më shumë vendin e tyre. Sipas gazetës thuhet se në këtë aktivitete hynë bënë pjesë edhe organizmi i mirë i kremtimeve popullore që do të shërbenin me shtegtimet e tyre edhe me shfaqjet folklorike për të zgjuar krenarinë dhe sedrën kombëtare. Gjithashtu këto kremtime do të shërbejnë për ti ruajtur dhe kremtuar veshjet tradicionale, muzikën dhe vallet e popullit tonë.

Bilanci i kësaj ministrie në këtë mot është hiçmosgjë.

Gjithandej turistë. Me plaçka në krahë. Me grupe dhe të vetmuar. Po mësohemi t’i shikojmë dhe t’i bëjmë pjesën tonë. Po a kemi kushte?Jo, gjithandej. Kemi bukuri vendi pikërisht në shtrat hëne, dëgjohen melodi yjesh. Aty ku drithërohen tinguj zjarri, aty është një portë. Pas saj hyn ti, dhe unë rrëfehem. Mos vallë është një murg i braktisur, përtej honeve? Po ende nuk kemi kushte për turistët.

-O ti po ku je, ma dëgjon zërin, është plaga jote, që më ka bërë brazda vitesh tek unë, pritja jote.

 

 

Share it :