Po shkon drejt zbardhjes autorësia e vrasjes mizore me plumb pas koke ndaj dy turistëve çekë në Prekal të Dukagjinit, bëjnë me dije burime nga hetimi.
I pandehuri për vrasjen e dy turistëve çekë dyshohet të jetë kultivues i bimëve narkotike dhe një person që paraqet rrezikshmëri të lartë kriminale. Njollat e gjakut të gjendura në vendin e krimit përputhen me ato të dyshuarit, bëjnë më dije burime të policisë së Shkodrës.
Dyshohet se qëllimi kryesor i autorit të krimit të dyfishtë ka qenë grabitja e automjetit të udhëtimit të turistëve.
Policia bën me dije edhe emrin e autorit, Sokol Fran Mjacaj.
I riu Sokol Mjacaj, banues në Lotaj, ka qenë i dënuar më parë më 5 vite burg për vjedhje më pasojë vdekje, në vitin 2010, dhe kishte vetëm një muaj që kishte dalë nga burgu, njofton policia e Shkodrës, që u bën thirrje banorëve të zonës së Grudës që të mos e strehojnë, por të japin kontributin e tyre që autori i vrasjeve të turistëve çekë të dorëzohet.
Gjatë operacionit policor është plagosur lehtë në dorë efektivi Pëllumb Shpati, i cili ndodhet në spital. Operacioni policor drejtohet nga Ardian Çipa dhe Altin Qato.
*)Policia e Shkodrës ka arrestuar autorin e dyshuar të vrasjes së dyfishtë të turistëve çekë Michal Svato dhe Anna Kosinova.Sokol Fran Mjacaj u arrestua rreth orës 16 nga forcat e FNSH-së në Grudë të Re. Ai ishte fshehur në një godinë të braktisur.




