Ish-kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, i cilësoi zgjedhjet e 21 qershorit me standarde të cënuara rëndë dhe me pjesëmarrje në to të elementëve me rekorde kriminale.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Topalli akuzoi strukturat shtetërore se kanë marrë peng sistemin në Shqipëri.
“Ne shohim se tashmë janë marrë të gjitha pushtetet. Dhe pushtetet janë marrë në dy duar. Në parlament kanë rreth 90 deputetë. Nuk i mjaftuan 83, blenë 84. Nuk i mjaftoi 84 morën dhe grupe parlamentare. Nuk i mjaftuan këto, morën dhe institucionet e pavarura, morën ILDKP-në, KLD-në, morën AMA-n, zëvendësuan me njerëzit e vet të gjithë. Duan gjyqësorin tani. Kanë marrë treçerekun e pushtetit vendor. Është e frikshme”, deklaroi Topalli.
Ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike nuk i kurseu notat kritike edhe për opozitën, ku sipas saj nevojitet përmbysja e raporteve mes pragmatizmit dhe idealizmit dhe se PD-ja duhet ta kishte pasur kalin e betejës dhe çështje themelore të qënies së saj mungesën e votës së lirë.
“Sot që flasim, të gjithë e pranojnë se opozita ka humbur. Por ajo që ka humbur kryesisht është standardi zgjedhjeve. Unë kam pasur bindjen e brendshme se garë me blerje votash dhe banda nuk ka. Edhe nga eksperienca personale e 2013-ës në Shkodër. Mirëpo këtë ne e dimë prej dy vitesh. Nëse do të bënim një analizë, do i thosha vetes: Opozitë, pse nuk e kë bërë çështje themelore të qenies tënde edhe çështjen e votës së lirë? Një kalë beteje për opozitën. Natyrisht detyra e saj është rikthimi i votës së lirë, vazhdimi me konsekuencë dhe me kurajë, pa hezituar asnjë çast në betejën kundër kriminalizimit. Ndërkohë që partnerët tanë flasin aq fort, aq fuqishëm dhe në mënyrë kaq intensive për këtë nevojë që mund të rrezikojë sistemin tonë. Ka ndodhur që vulgu është në majë. Dhe jo rastësisht”, tha Topalli.




