Qeveria shqiptare u nënshtrohet ndërkombëtarëve, OK për shkurtime në ndihmën sociale

 

Ervin Kaduku

Qeveria shqiptare–  A do të thotë kjo se Shqipëria në mënyrë të fshehtë ka rrëshqitur në situatën greke? Vetëm Greqisë i imponohen skema që parashikojnë shkurtime sociale…

Greqia po zhvillon një referendum popullor për të pranuar ose refuzuar planin e ndërkombëtarëve lidhur me një shkurtim drastik të shpenzimeve për qëllime sociale nga ana e shtetit. Dhe, grekët po e zhvillojnë këtë referendum kur bankat janë ndalur, dyqanet po boshatisen dhe ka zëra për mundësi të luftës civile.

Ndërkohë, qeveria shqiptare, ndonëse nuk e pranon asnjëherë krizën në vend, madje duke bërë parade suksesesh të paqena me rritje 3% në vit, ka pranuar në heshtje skenare të hartuara nga të huajt, që synojnë pikërisht pjesën më të varfër dhe më të pamundur të popullsisë, gjë që asnjë forcë e majtë në Evropë nuk do të kishte guxuar ta bënte. Përtej vitit 2015, programi i konsolidimit buxhetor nuk parashikon masa të mëtejshme në të ardhurat, por synon të mbajë shpenzimet në kontroll. Sipas vlerësimit të fundit të Komisionit Evropian, konsolidimi në krahun e shpenzimeve do të shtrihet në dy vitet e ardhshme 2016-2017. Dhe raporti i KE referon se është planifikuar që pjesa e shpenzimeve të personelit të ulet me rreth 1 pikë përqindje të PBB deri më 2017. Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes gjithashtu pritet të bien në terma relativë nga 2.7% e PBB-së në vitin 2015 me 2.3% në 2017, përkundër nevojave të mëdha të mirëmbajtjes të paplotësuara, sidomos në sektorin rrugor.

Por, ajo që është më e rëndësishme dhe skandaloze, është fakti që pala shqiptare dhe ndërkombëtarët kanë rënë tashmë dakord që shpenzimet buxhetore pritet të shkurtohen edhe për asistencën sociale dhe skemat e përfitimit të aftësisë së kufizuar. Këto shpenzime në vitin 2017 pritet të bien në një shifër shumë të madhe: me 1.2% të PBB, referon raporti i KE-së.

Brenda zarfit të shpenzimeve, investimet publike janë e vetmja kategori e madhe që pritet të regjistrojë një rritje minimale, nga 6% e PBB në vitin 2015 në 6.4% në 2017. Megjithatë eksperienca në të kaluarën e afërt do të thotë se alokimi i tyre sipas parashikimeve në buxhet ka qenë i pamundur.

 

Performanca e administratës

Në vitin 2014 dhe 2015, buxheti ka synuar rregullimet në kahun e të ardhurave, i fokusuar më së shumti në rritjen e performancës nga administrimi fiskal. Rritja e pritshme në raportin e të ardhurave ndaj PBB-së për këtë vit është e njëjtë si në 2014, d.m.th. 1.9 pikë përqindje të Prodhimit të Brendshëm. Megjithatë, në buxhetin e vitit të kaluar, rritja e taksave ka ndikuar në zgjerimin me 1.5% të të ardhurave në raport me PBB, ndërsa rritja e këtij viti pritet të ndikojë në 1% të PBB, pjesa tjetër është parashikuar nga zbutja e informalitetit, me një rol më të rëndësishëm se në vitin 2014.

Administrata tatimore ka planifikuar reforma të gjithanshme, duke përfshirë zbatimin e një sistemi të ri të IT për të lehtësuar proceset e pagesës së taksave dhe duke reduktuar mundësitë për korrupsion. Kredibiliteti fiskal do të përforcohet duke miratuar një rregull fiskal në afat të shkurtër, skica e të cilit duhet të nxjerrë mësime nga gabimet e së shkuarës. Menaxhimi i të ardhurave gjithashtu duhet të forcohet më tej nga krijimi i kadastrës fiskale për pronat, e cila do të hedhë themelet për një taksë të re prone.

 

Skenarët

Programi ka marrë në konsideratë disa skenarë alternativë nëse nuk zbatohet programi bazë buxhetor. Një rritje e dobët ekonomike që mund të ndikojë në efikasitetin e taksave është gjithashtu pjesë e supozimeve, ndërsa në skenarin bazë dhe në atë të favorshëm, llogaritë bëhen duke marrë në konsideratë përmirësime në të ardhura.

Në skenarin e ulët të rritjes, rimëkëmbja pritet të jetë e ngadaltë, me një rritje reale të PBB-së prej vetëm 1% në vitin 2015, 2% në 2016 dhe 2.5% në 2017, me një ndikim negativ në të ardhura. Sipas këtij skenari, gjysma e deficitit të të ardhurave do të kompensohet nga ulja e shpenzimeve. Sipas këtij skenari, deficiti shkon në 4.5% në 2015, 3.5% në 2016 dhe 2.5% në 2017. Kjo do ta çojë borxhin ndaj PPB në vitin 2017 në të njëjtin nivel, si në vitin 2014.

 

OSHEE frenon ritmin e arkëtimit të faturave nga klientët

Ritmet e rritjes se arkëtimeve të energjisë janë ulur disi gjatë muajve prill dhe maj të këtij viti. Sipas të dhënave zyrtare të ministrisë së Energjetikës, nga 71 për qind që kanë qenë ritmet e rritjes së arkëtimeve të energjisë në tremujorin e parë të vitit 2015, në muajt prill dhe maj ritmet e rritjes së arkëtimeve ranë në 30%.

Në muajin janar 2015 u mblodhën 2.3 miliardë lekë më shumë se në janar 2014, në muajin shkurt 3,6 miliardë lekë më shumë, në mars 2.3 miliardë lekë më tepër nga arkëtimet e faturave të energjisë se në mars 2014, ndërsa në muajt prill dhe maj u grumbulluan vetëm 1.2 miliardë lekë më tepër për secilin muaj në krahasim me vjet.

Sipas të dhënave nga Ministria e Energjisë në fund të pesëmujorit të parë të 2015 u grumbulluan 55 për qind ose mbi 10 miliardë lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por gjithçka të le të kuptosh se ecuria e këtij procesi jetik u nënshtrohet fushatave, duke nisur nga nevojat elektorale që kishte pushteti për të thithur vota në zonat problematike të arkëtimeve.

 

Humbet vazhdimisht interesi për telefoninë fikse

Shqiptarët po humbasin gjithnjë e më shumë interes për të folur me telefonin fiks. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, trafiku telefonik i pajtimtarëve të kompanisë fikse në vitin 2014 zbriti në 190 milionë minuta, ndërkohë që në vitin 2012 kishte qenë 570 milionë minuta ose tre herë më shumë. Përfshirë edhe trafikun e operatorëve alternativë, totali i trafikut nga rrjetet fikse është 220 milionë minuta. Kjo vlerë përbën vetëm 3% të trafikut telefonik kombëtar, ku thirrjet e abonentëve celularë mbizotërojnë me 97%. Sipas analizës së AKEP, rënia drastike e komunikimit nga rrjetet fikse lidhet me uljen e shpejtë të çmimeve të telefonisë celulare.

Paketat ofertë të operatorëve celularë mundësojnë mbulimin e nevojave dërrmuese për komunikim të abonentëve, çka ka bërë që telefoni fiks të përdoret gjithnjë e më pak. Kjo duket qartë edhe në tendencën e numrit të abonentëve të telefonisë fikse, që në vitin 2014 zbriti në më pak se 236 mijë, në rënie me 16% krahasuar me vitin 2013 dhe në rënie me 29% që nga viti 2010.

Të vetëdijshëm për humbjen e interesit të publikut në këto shërbime, operatorët e linjave fikse kanë kaluar tashmë drejt shërbimeve të integruara, ku produkti ndërtohet më së shumti në shërbime të tjera si interneti apo televizioni me pagesë, ndërsa telefonia fikse është vetëm një pjesë e paketës së përbashkët.

 

Gazsjellësi TAP përuron fillimin e punimeve në Shqipëri

Trans Adriatic Pipeline AG (TAP) njoftoi dje fillimin e punimeve për ndërtimin dhe rehabilitimin e rrugëve dhe urave ndihmëse përgjatë gjurmës së gazsjellësit në Shqipëri. Me këtë rast u organizua një ceremoni përurimi, në afërsi të qytetit të Çorovodës, ku ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri dhe drejtori menaxhues i TAP Ian Bradshaw.

Bradshaw tha: “TAP ka si qëllim të ndërtojë një gazsjellës modern që do të sjellë gazin kaspik në Evropë në fillim të vitit 2020 dhe me siguri të plotë. Ndërtimi i rrugëve dhe urave ndihmëse në Shqipëri është një pikë kritike për progresin e projektit tonë. Ne jemi të përkushtuar të respektojmë parimin për të mos i shkaktuar asnjë dëmtim komuniteteve përgjatë gjurmës së gazsjellësit dhe të kemi impaktim minimal mbi mjedisin ndërkohë që sigurisë i japim përparësi të lartë. Ky është hap i rëndësishëm në plotësimin e këtij angazhimi”.

Ai shtoi se “rrugët dhe urat e rehabilituara do të kontribuojnë jo vetëm në modernizimin e infrastrukturës së transportit, por edhe për sigurinë gjatë transportit. Gjithashtu do të përforcojnë aksesin në tregje dhe shërbime, duke dhënë kështu kontribut në rritjen afat gjatë ekonomike të shumë zonave të Shqipërisë.”

Në tërësi, TAP do të:

  • Ndërtojë dhe rehabilitojë rreth 100 km rrugë përgjatë gjurmës së gazsjellësit, në Vishocicë, Vithkuq dhe Shtyllë në qarkun e Korçës; në Potom, Çorovodë, Kakrukë, Therepelë, Vendreshë në qarkun e Beratit; dhe në Topojë në qarkun e Fierit.
  • Ndërtojë tre ura të reja dhe do të rehabilitojë më shumë se 40 ura ekzistuese në qarqet e Korçës, Beratit dhe Fierit.

Punimet për rrugët dhe urat ndihmuese priten të përfundojnë gjatë vitit 2016 duke i krijuar kushtet që fillimi i punës për ndërtimin e gazsjellësit të nisin në verën e vitit 2016.

 

Garantohet financimi për linjën e interkonieksionit Shqipëri-Maqedoni

Bashkimi Evropian garanton mbështetjen financiare për projektin e ndërtimit të linjës elektrike të interkonieksionit 400 kV mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Kjo u konfirmua gjatë takimit të mbajtur në Vjenë mes ministrave të Energjisë të Shqipërisë, Bosnje Hercegovinës, Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë. Takimi u drejtua nga drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë Janez Kopaç, me prezencën e Komisioneri Evropian për Fqinjësinë e mirë dhe Zgjerimin Johannes Hahn.

Shqipëria u përfaqësua nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë z. Damian Gjiknuri, në cilësinë edhe të drejtuesit të Presidencës së radhës në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë.

Ministrat miratuan edhe një listë të shkurtuar të projekteve prioritare të investimit të cilat do të përfshihen në programin IPA 2015. Pjesë e kësaj liste është edhe ndërtimi i linjës së interkonieksionit që e lidh Shqipërinë me Maqedoninë. Projekt, i cili parashikohet se do të mund të fillojë ndërtimin vitin e ardhshëm kur përfundon linja e interkonieksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Gjashtë vendet ballkanike shprehën pëlqimin e tyre për krijimin e një tregu rajonal të energjisë dhe Këshillave Kombëtar të Investimeve. Në kuadër të deklaratës u la e hapur mundësia që lista e projekteve me interes për Komunitetin e Energjisë të mund të përditësohet në vitin 2016 ndërsa këto vende do të marrin një sërë masash për t’iu përgjigjur kërkesave të Komunitetit të Energjisë për një treg të hapur, konkurrues, rregullator të pavarur.

 

Shqipëria dhe Bullgaria, më “të palumturat” në Evropë

Dy vende të Evropës Juglindore, Shqipëria dhe Bullgaria, janë listuar si shtetet më të palumtura në Kontinentin e Vjetër. Shqipëria me një popullsi që llogaritet në rreth 3 milionë banorë ka marrë pikët më të larta, që në renditje nënkupton vendin e fundit (29). Ky është përfundimi i arritur sipas të dhënave të Indeksit Evropian të Lumturisë për vitin 2015 (Happiness Equality Index Europe 2015) publikuar dje pasdite. Në muajin mars, Bullgaria zinte vendin e fundit për nga lumturia në Bashkimin Evropian, sipas një sondazhi që fliste për kënaqësinë e jetës. Një total prej 29 vendesh u morën në analizë nga Instituti i Kërkimeve mbi Lumturinë.

Hartuesit e raportit e shpjegojnë rënien e nivelit të lumturisë edhe me ndikimin që ka media sociale në jetën e njerëzve, të cilët bombardohen me lajme nga më të ndryshmet e që kanë ndikim tek të gjithë.

Disa muaj më parë, danezët cilësoheshin si populli më i lumtur në Evropë, ndërsa tani janë finlandezët. Sipas të dhënave të fundit të Indeksit, Finlanda, Holanda, Norvegjia, Danimarka dhe Islanda (Evropa Veriore) janë vendet më të lumtura, në kontinentin tonë. Ky raport është hartuar nga Instituti për Kërkimet e Lumturisë, një institucion i pavarur i cili studion se përse disa shoqëri janë më të lumtura se të tjerat.

Vendet nordike janë më të socializuar me lajmet e mira. Barazia sociale, ndihma e madhe për nënat, niveli i ulët i krimit, kujdesi i lirë shëndetësor dhe natyrisht niveli i taksave.

Por, lumturia shoqërohet edhe me trishtim, pasi janë këto vende që kanë nivelin më të lartë të rënies në depresion apo të vetëvrasjeve.

Në Finlandë nuk është gjithçka “fushë me lule”. Shkalla e lartë e vetëvrasjeve mbetet një shqetësim i lartë. Norma është 18 persona për 100,000 banorë, krahasuar me Bullgarinë që ka një raport 19/100,000 dhe Suedinë me 11/100,000.

Abuzimet e meshkujve me alkoolin konsiderohet gjithashtu një problem shqetësues, pasi sipas raporteve meshkujt finlandezë kanë jetëgjatësinë më të shkurtër.

 

Cilat vende rrezikojnë nga “efekti domino” i Greqisë?

Ashtu si Greqia, edhe Spanja ka luftuar prej vitesh masat shtrënguese dhe aktualisht ka nivelin më të lartë të papunësisë në Eurozonë, pas Greqisë. Analistët janë të shqetësuar se edhe ky vend mund të ndjekë të njëjtën rrugë. Spanjollët po vëzhgojnë me imtësi zhvillimet në Greqi dhe pyesin veten se çfarë pasojash mund të ketë kjo krizë për ekonominë e katër më të madhe në Eurozonë. Vendi po anohet nga partia e majtë “Podemos”, që është kundër masave shtrënguese, ndërsa Barcelona ka tashmë një kryetar bashkie kundër këtyre masave. Parë nga një këndvështrim i përgjithshëm, Spanja duket se është në rimëkëmbje, por, me një normë papunësie në 22.5%, vendi sinjalizon një recesion të dyfishtë. Ka gjithashtu shqetësime se pasojat e krizës në Greqi mund të dëmtojnë ringritjen e brishtë të Spanjës.

“Ngjarjet në Greqi në gjashtë muajt në vijim do të luajnë një rol kryesor, sepse nëse Greqia ja del të ristrukturojë borxhin, Spanja, Portugalia, Italia madje dhe Belgjika, do të ndjekin të njëjtën rrugë. Greqia mund të bëhet një katalizator i vendosjes së kohës dhe mënyrës së neutralizimit të borxhit”. Paniku është përhapur edhe në shitësit e qëndrave tregtare. Shumë nga dyqanet ndaluan aktivitetin gjatë krizës. Pronarët e këtyre dyqaneve, që i mbijetuan krizës qëndruan skeptikë mbi të ardhmen, pasi janë ende në vëzhgim të situatës në Greqi. Partia e majtë “Podemos” ka arritur fitore të konsiderueshme gjatë dy viteve të fundit. Nëse kjo parti do të vijë në pushtet në zgjedhjet e ardhshme, premton se do të ristrukturojnë borxhin e Spanjës prej 1.16 trilionë dollarë.

Italia është vendi i dytë me borxhin më të madh në Eurozonë pas Greqisë. Italia, që sapo ka dalë nga recesioni më i gjatë që pas Luftës së Dytë Botërore, ka disa komponentë të lëvizjeve “antieuro”. Sipas kalkulimeve të Bloomberg, partitë italiane që mbështesin votën për “jo” në referendumin e Greqisë, do ta mposhtin votën për “po” me 11 pikë përqindjeje. Komediani i kthyer në politikan, Beppe Grillo ka deklaruar se do të mbështesë kryeministrin grek të dielën për një kundërshtim ndaj masave shtrënguese të mëtejshme.

 

Share it :