Artan Cena
Nga hetimet ADN-ja e Xhinit përputhet me ato gjurmët e ADN-së të gjetur tek bishtat e cigares dhe ai akuzohet për vrasje mbetur në tentativë ndaj punonjësve të policisë.
Qëlloi për të vrarë 4 efektivët e policisë që tentuan ta arrestonin, Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgon në gjykatë dosjen ndaj Taulant Xhinit dhe kërkon dënim për të riun nga Saranda. 28-vjeçari është hetuar në mungesë, ndërsa vetëm pak ditë më parë në një operacion blic reparti RENEA mundi ta arrestojë atë në Sarandë. Sipas hetimeve ka rezultuar se prania e Xhinit në vendin ku janë qëlluar me armë katër policët në zonën e Butrintit në fshatin Shëndelli është faktuar me analizën e ADN-së që janë bërë bishtave të cigare mbledhur si provë material. Nga hetimet ADN-ja e Xhinit përputhet me ato gjurmët e ADN-së të gjetur tek bishtat e cigares dhe ai akuzohet për vrasje mbetur në tentativë ndaj punonjësve të policisë, vepër kjo e kryer në bashkëpunim.
Akuzat e prokurorisë
Prokuroria për Krime të Rënda dërgon për gjykim kërkesën ndaj shtetasit Taulant Xhini i akuzuar për veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese të punonjësit të policisë, mbetur në tentativë” ndaj 4 personave, në bashkëpunim. Ky shtetas është hetuar në mungesë dhe ngjarja për të cilën akuzohet ka ndodhur në dt. 28.4.2014 në fshatin Shëndëlli, në zonën pranë Butrinit, në Sarandë, kur disa oficerë të Policisë së Sarandës kishin marrë detyrë të arrestonin shtetasin Xhini, i cili në atë kohë ishte në kërkim, i akuzuar për veprën penale të “vrasjes me dashje”, të mbetur në tentativë dhe “armëmbajtje pa leje”. Pas informacionit operativ, sipas të cilit i kërkuari Xhini gjendej në zonën pranë shtëpisë së tij, forcat policore ndërmorën planin për arrestimin e tij. Pasi kryen vëzhgimin për disa orë, forcat policore u detyruan të largohen, pasi objektivi nuk po hynte në rrezen e tyre të vëzhgimit dhe kjo krijoi idenë se i kërkuari mund të mos ishte më aty. Në momentin që grupet operacionale po largoheshin nga rrethimi, kundër 4 prej oficerëve të policisë janë drejtuar disa breshëri armësh. Fatmirësisht, plumbat e drejtuar oficerëve të policisë dëmtuan vetëm mjetet në të cilat sapo ata kishin hipur. Menjëherë pas sulmit me armë nga persona të panjohur në atë moment, forcat policore kanë marrë pozicion sulmi, por ndërkohë agresorët kanë mundur të largohen. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar edhe prokurori i Sarandës dhe janë kryer të gjitha veprimet procedurale në vendin e ngjarjes.
Hetimi nga krimet
Më pas, hetimi i kaloi për kompetencë Prokurorisë për Krime të Rënda. Nga këqyrja dhe analizimi i provave të mbledhura në vendngjarje, u evidentua fillimisht pozicioni nga ku ishte qëlluar kundër efektivëve të policisë. Në atë vend u gjetën gëzhoja, të cilat u përkisnin dy armëve të ndryshme automatike. Gjithashtu, ndër të tjera, u gjetën edhe dy bishta cigareje, të djegur deri në gjysmë. Këto dy bishta cigareje iu nënshtruan analizave laboratorike. Në njërin prej bishtave u gjetën gjurmë ADN-je, të cilat i përkisnin shtetasin Taulant Xhini (kjo u provua pas analizës krahasuese me ADN-në e prindërve të tij). Ndërsa bishti tjetër i cigares i gjetur në vendngjarje nuk përmbante ADN-në e Taulant Xhinit. Për këtë arsye, provohet se vepra penale për të cilën akuzohet Taulant Xhini është kryer në bashkëpunim, por deri më tani nuk është përcaktuar se cili është bashkëpunëtori. Hetimi për të pandehurin Xhini është kryer në mungesë, pasi deri në këtë moment nuk është bërë i mundur arrestimi i tij.
Aksidentoi për vdekje djalin e ish-zv.ministrit Avenir Peka, 5 vite burg të resë
Me gjykim të shkurtuar Gjykata e Tiranës ka dënuar me 5 vite burg 26-vjeçaren Uarda Çota, e cila u cilësua fajtore për aksidentit me pasojë vdekjen e djalit 11-vjeçar të ish-zv.minsitrit të Brendshëm Avenir Peka, mbrëmjen e 29 dhjetorit 2014. Për akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, Prokuroria e Tiranës kërkoi 8 vite burg dhe në përfundim të 9 seancave të zhvilluar me gjykim të shkurtuar togat e zeza kryesuar nga Shefkije Demiraj vendosën dënimin e të resë me 5 vite burg. Aksidenti me pasojë vdekjen e 11 vjeçarit ndodhi mbrëmjen e 29 dhjetorit në aksin e Unazës së Re pranë kopshtit botanik në kryeqytet, ku nga hetimet rezultoi se shoferja 26-vjeçare Uarda Çota drejtonte një mjet “Mercedes-Benz” në gjendje të dehur dhe me shpejtësi 100 km në orë, nga 40 km që ishte tabela kufizuese. Pas aksidentit u proceduan penalisht dhe drejtuesit e firmave që kryenin punime në këtë aks rrugorë, ku aktualisht në këtë zonë janë shtuar sinjalistika rrugore dhe masat mbrojtëse në rrugë.
Pushohet çështja ndaj Lavdrim Tufës, akuzohej për dhunë ndaj babait
Mosparaqitja e Xhevdet Tufës gjatë seancës gjyqësore për padinë që kishte ngritur ndaj djalit të tij, Lavdrim Tufa, ku kishte kërkuar mbrojtje të menjëhershëm ka bërë që gjykata të pushojë çështjen. Nuk specifikohet se cili ishte shkaku i padisë së ngritur nga Xhevdet Tufa, por disa media raportuan se bëhej fjalë për ushtrim dhune fizike. Në proces-verbalin e mbajtur dje, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtare Dhurata Balla, asistuar prej sekretares gjyqësorë Hajrije Axhani, u thirr dhe nuk u paraqit Xhevdet Tufa, i cili ishte vënë në dijeni rregullisht sipas fletëthirrjes date 26.6.2015, ku ishte vënë edhe shënimi “njoftuar me telefon”. Gjykata si konstatoi se pala paditëse kishte dijeni rregullisht dhe pa shkak ligjor nuk është paraqitur ndaj vendosi pushimin e gjykimit të çështjes civile. Lavdërim Tufa është dënuar për vrasjen e Fatmir Ramës, alias Miri i Xhikes, krim i kryer më 2003 dhe për të cilin kishte pak muaj që ishte liruar me kusht, pas kryerjes së 13 vjetëve burg, nga 20 me të cilat ishte dënuar.
Identifikohen dy të dyshuarit për vrasjen e oficerit të RENEA-s, Ibrahim Basha
Arbjon Aliko dhe Bajram Boçi janë personat e dyshuar për vrasjen e efektivit të forcave të RENEA-s, Ibrahim Basha. Lajmi është bërë i ditur nga prokuroria. Ndërkaq, Arbjon Aliko nga Lazarati doli dje para togave të zeza, jo për vrasjen e efektivit të RENEA-s, por për ngjarjen e qershorit të vitit 2014, ku së bashku me 15 persona të tjerë kundërshtuan me armë operacionin e policisë për asgjësimin e parcelave të mbjella me hashash. Arbjon Aliko qëndroi i qetë gjatë gjithë seancës gjyqësore, duke iu përgjigjur vetëm pyetjeve të gjykatës për gjeneralitetet e tij. I konsultuar nga avokati Neshat Fana, ai nuk pranoi të fliste për akuzat, duke rezervuar të drejtën për t’u shprehur gjatë procesit gjyqësor, pasi dosja për ngjarjen e qershorit të 2014 tashmë është dorëzuar për gjykim. Edhe avokati Fana, i tha gjykatës se gjatë fazës së gjykimit do të japim versionin përfundimtar për akuzat. Sipas prokurorisë, më 21 qershor policia gjatë kontrollit në fshat ka gjetur tre makina të braktisura, të cilat ishin në pronësi të Arbjon Alikos. Këto makina ishin ngarkuara me armë, municione, granata, eksploziv dhe disa dhjetëra kg hashash. Prokurorët thonë, se armët dhe municionet e gjetura në këto tre mjete, janë përdorur nga të dyshuarit për zmbrapsur forcat e rendit që tentuan të hyjnë brenda në Lazarat me datë 16 dhe 17 qershor për të asgjësuar parcelat me hashash. Sipas akuzës, nga dëshmia e personave që janë pyetur për pronësinë e këtyre mjeteve, kanë deklaruar se ata i kishte braktisur Arbjon Aliko dhe grupi i personave që u larguan nga Lazarati para se efektivët e policisë ta marrin nën kontroll fshatin. Gjykata, pasi dëgjoi palët vendosi të lërë në fuqi vendimin e masës së sigurisë “Arrest me burg” dhënë në mungesë për Arbjon Alikon.




