PD: Shqipëria në udhëkryq/ Basha: Shqipëria, pa zgjedhje të lira dhe të ndershme

Jetmir Olldashi

basha takon reporteret e kies“Në zgjedhje u përfshinë banda të lidhura me pushtetin, të cilat kanë vepruar si njësi paramilitare për të kërcënuar, trembur dhe dhunuar kandidatët, aktivistët dhe zgjedhësit tanë para syve të policisë”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka pritur në një takim raporterët e Këshillit të Evropës. Basha u ndal konkretisht në problematikën e zgjedhjeve, duke nisur me kandidimin nga mazhoranca të personave me rekorde kriminale, të cilët ushtruan presion të hapur ndaj zgjedhësve, punonjësve të administratës si dhe përdorën paratë e krimit të organizuar për të blerë vota. “Në zgjedhje u përfshinë banda të lidhura me pushtetin, të cilat kanë vepruar si njësi paramilitare për të kërcënuar, trembur dhe dhunuar kandidatët, aktivistët dhe zgjedhësit tanë para syve të policisë, të cilët nuk ndërmorën asnjë masë. Administrata publike u vu në një presion të hapur nga Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit, për të mbushur kutitë me vota, fakt i njohur botërisht”. Kryetari i opozitës e vuri theksin në rastet e faktuara nga opozita të bëra publike lidhur me parregullsitë e zgjedhjeve të 21 qershorit. “Me mijëra raste janë faktuar tashmë nga opozita dhe mediat, – tha zoti Basha, – të falsifikimit të kartave të identitetit duke mundësuar votimin në 21 qershor të personave që nuk ndodheshin në Shqipëri”. Lideri i opozitës renditi një sërë problemesh që cenuan standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Në rend kronologjik, Basha i njohu përfaqësuesit e Këshillit të Evropës me problemet më të mëdha që shfaqën standardet e zgjedhjeve si dhe dhunimi nga shumica qeverisëse. “Për herë të parë në 25 vite demokraci, në Shqipëri është shënuar dhe një rast i paprecedent, antidemokratik e antieuropianist, ai i kërcënimit të zgjedhësve nga krerët e qeverisë, se po votuan për opozitën nuk do të kishin bukë dhe ujë. Në këto zgjedhje, është shënuar blerje masive e votës me para të korrupsionit dhe krimit të organizuar, fakt tashmë i regjistruar si shqetësim madhor edhe nga raportet zyrtare të vëzhguesve ndërkombëtarë”. Kryetari i Partisë Demokratike shprehu vendosmërinë e tij dhe të forcës politike që drejton për të zhvilluar betejë ligjore dhe morale për rivendosjen e shtetit ligjor në vend. “Pas 25 vitesh në Shqipëri goditet rëndë demokracia, çka kulmoi me shkatërrimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Sot Shqipëria është në një udhëkryq të vështirë, por Partia Demokratike është e vendosur dhe do të qëndrojë me të gjithë forcën e saj për të mos lejuar kthim prapa dhe për të rivendosur standardet demokratike dhe të shtetit ligjor”. Partia Demokratike nëpërmjet kryetarit të saj dhe eksponentëve të tjerë drejtues është shprehur e vendosur të denoncojë standardet e zgjedhjeve vendore të 21 qershorit.

Share it :