Në fshatrat Balldren dhe Vidhas/ Inertet kërcënojnë prodhimin bujqësor, banorët thirrje për ndihmë: Po mbajmë sytë nga qielli

Kledisa Qevani

materialet inerte“Na premtojnë për fushata elektorale se do të na krijojnë kushtet për një bujqësi të zhvilluar dhe pastaj nuk na sjellin as gjërat më minimale, si uji”

Pas shqetësimeve për ndotjen e ajrit që banorët e Elbasanit shfaqin vazhdimisht, një tjetër problem shumë shqetësues është bërë edhe uji. Banorët shprehen se kanë nevojë për ndihmë pasi i gjithë prodhimi bujqësor rrezikohet të shkatërrohet, për shkak të ujit që përdorin për vaditje. Nga ky problem preken kryesisht banorë të fshatrave Balldren dhe Vidhas, ku disa prej tyre janë pronarë të tokave bujqësore, të cilat shtrihen buzë një kanali ujitës i ndotur me vajra dhe mbetje inerte. Këto mbetje janë kryesisht solare, që derdhen nga kombinati metalurgjik me destinacion lumin Shkumbin. Për t’u informuar më tepër për pasojat e këtij problemi folëm edhe me disa prej pronarëve të tokave ku njeri prej tyre, zoti Bedri Z., shprehet: “Mua e gjithë jeta më varet nga toka, është e vetmja e ardhme që kam për të mbajtur familjen time. Tani që jemi në kulmin e punës, kur të gjitha të mbjellat kërkojnë ujë që të mos thahen, mbajmë sytë nga qielli të bjerë shi, sepse kanali që kemi për vaditje është me vajra dhe than bimët. Vitin që shkoi ai ujë më ka tharë pesë dynymë fasule, nuk nxora dot as shpenzimet që i mbolla për shkak të dëmit. Tani sërish kemi nevojë për ujë vaditjeje dhe kemi mbetur në mëshire të fatit. Po shkojmë drejt falimentimit”. Ndërkohë, një tjetër banore, zonja Amide H., tha: “Po bëhen shumë vite që ndeshemi me këtë problem, por askush se ka marrë mundimin të na ndihmojë. Vijnë na premtojnë për fushata elektorale se do të na krijojnë kushtet për një bujqësi më të zhvilluar dhe pastaj nuk na sjellin as gjërat më minimale, siç është uji. Ne nuk dimë nga të përplasemi për të kërkuar ndihmë dhe detyrohemi që t’i mbjellim tokat vetëm grurë ose misër foragjer se nuk kërkojnë vaditje, por dalim pa leverdi fare. Në qoftë se është kaq e pamundur të pastrojnë këtë ujë, të paktën të na ndërtojnë një kanal tjetër vaditjeje, sepse po i lamë tokat djerr mbetemi mes katër rrugëve. Nuk kemi punë tjetër veç bujqësisë që të jetojmë”. Në këto kushte banorët e prekur nga ky shqetësim u bëjnë apel organeve kompetente ti ndihmojnë duke marrë masa të menjëhershme për rregullimin e sistemit ujitës, sepse çdo bimë e mbjellë po shkon drejt tharjes. Ata shprehen gjithashtu se në rast se vazhdojnë ti lënë pas dore kërkesat që kanë, në zgjedhjet e ardhshme elektorale do të organizohen që askush të mos shkojë të votojë. “Nuk kemi nevojë për shtet që na mëshiron vuajtjet, por për kushte punësimi”, – u shprehën banorët.

Share it :