Florenc Drizari
Letra e KQZ-së drejtuar Kuvendit, Gjonçaj: Përdorim politik i administratës, Kosovrasti: Respektoni rregullat
Kërkesa e përfaqësuesve të Partisë Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për informacion lidhur me numrin e banorëve në qarkun e Kukësit shkaktoi debate mes anëtarëve të KQZ-së, ndërkohë që rikthimi për diskutim i çështjes së ndarjes së mandateve në komision u shoqërua me akuza të ndërsjella mes palëve. Anëtarët e majtë në komision e quajtën antikushtetues dërgimin e çështjes për ndarjen e mandateve në Kuvendin e Shqipërisë, ndërkohë që homologët e tyre të djathtë kërkuan respektimin e procedurave ligjore brenda komisionit më ta lartë të administrimit zgjedhor. Debatet mes kryetares së KQZ-së, Lefterie Lleshi, dhe nënkryetarit Denar Biba shkuan deri në akuza dhe fyerje personale mes tyre, duke bërë që anëtarët e komisionit të merrnin një pushim të shkurtër në mes të mbledhjes. Kërkesa e PS-së për informacion lidhur me numrin e banorëve në Kukës, letërkëmbimin mes KQZ-së dhe Kuvendit për ndarjen e mandateve, si dhe marrjen e masave disiplinore për sekretaren e Përgjithshme të komisionit zgjedhor për këtë çështje, kryetarja Lleshi tha se janë jashtë rendit të ditës dhe i rrëzoi ato. Ndërkaq, Komisionin Qendrori Zgjedhjeve miratoi ndarjen e fondeve për partitë politike për vitin 2013 si dhe aktet e parashikuar në rendin e ditës.
Lleshi – Biba
Diskutimi për çështje jashtë rendit të ditës në KQZ dhe e drejta e fjalës për çdo propozim nga anëtarët e komisionit, shkaktoi debate mes kryetares Lleshi dhe nënkryetarit Biba. Deklaratat e fundit të nënkryetarit Denar Biba në media dhe akuzat e tij për vendimet e marra nga KQZ-ja, dhe mënyrën sesi po drejtohet komisioni, kryetarja Lleshi iu përgjigj duke i thënë burracak dhe gënjeshtar. “Unë nuk jam si ti. Burracak je ti e jo unë. Hajde fol në tavolinë, jo të më flasësh mua rrugëve. I gënjen njerëzit. Taksapaguesit shqiptar na kanë mbledhur këtu z. Denar Biba të më sjellësh ti këtu shkresa që nuk kanë lidhje fare me KQZ. Neve na kanë mandatar të bëjmë punën tonë. Dy pika të rendit të ditës nuk kanë asnjë logjikë në lidhje me vendimmarrjet që doni të bëhet… je bërë zëdhënës i shtypit i KQZ që drejton gazetarët”, – tha Lefterie Lleshi. Nga ana e tij nënkryetari i KQZ-së Denar Biba akuzoi kryetaren Lleshi se përdor postin e kreut të KQZ kundër interesave të opozitës. Z. Biba sëbashku me anëtaren e KQZ-së, Albana Shtylla dhanë edhe një deklaratë për shtyp në pushim të mbledhjes së djeshme. “Zotërinjtë e KQZ nuk morën vendim për ndarjen e mandateve dhe i ndani ju si në 2009. Së pari, të paktën në 2009 Arben Ristani pati guximin edhe e dërgoi vetë dhe mori përgjegjësinë e tij mirë apo keq. Së dyti, ajo që më shqetëson, është shtimi i popullsisë në disa qytete. Të gjithë po shkojnë drejt Kukësit. Kjo situatë e bën të pamundur ndarjen e mandateve me popullatën e Shqipërisë. Nëse do të aplikohej popullata e viti 2009 në 2013 do ishte një ndarje e pabarabartë”, – tha Biba.
Gjonçaj – Kosovrasti
Ndarja e mandateve shkaktoi debate në KQZ edhe mes përfaqësuesve politik të PD-së dhe PS-së. Genc Gjonçaj duke folur në emër të Partisë Socialiste akuzoi administratën për përdorim politik dhe tha se ndarja e mandateve duhet të bëhet në komisionin më të lartë të administrimit zgjedhor.“Zgjidhja ej çështjes nuk vjen nga Kuvendi por nga tavolina juaj. Jeni në kohën ligjore të jepni udhë këtij problemi pasi të bëhet transparenca nga dy anëtarët të KQZ-së. Ne gjykojnë që shkresa e nisur nga sekretarja e përgjithshme ka të bëjë me përdorimin politik të administratës. Nuk është rasti i parë që e themi, ju lutem ndalojeni që të shkojnë në zgjedhje në një klimë të qetë, besimi. Ju jeni qenë në detyrë, të paktën ta kishit bërë ju dhe jo sekretarja e përgjithshme”, – tha Gjonçaj. Në replikë me përfaqësuesin e majtë, Niazi Kosovrasti tha se pretendimet e anëtarëve të opozitës janë jashtë rendit të ditës dhe nuk kanë objekt të qartë se kujt i drejtohen. Sipas tij, palët duhet të zbatojnë rregullat e komisionit dhe Kodin Zgjedhor. “Më vjen shumë keq dhe prandaj fillojnë këto situata të marrin këto pamje. Duke dashur që para opinionit publik të paraqisni shqetësimet, por ka mënyrë të tjera për ti paraqitur shqetësimet. Tavolina juaj është për të respektuar këto rregulla, kodin zgjedhor. Të respektohen procedurat, aktet dhe të mos dilet jashtë kompetencave që përcakton tavolina juaj. Kjo nuk bëhet duke bërë debate politike në tavolinën tuaj. Debatet politike i bëjmë në”, tha përfaqësuesi ligjor i PD-së, Niazi Kosovrasti. Ai shkoi më tej duke bërë përgjegjës nënkryetarin e KQZ-së Denar Biba për procedurat e ndjekura nga ana e anëtarëve të majtë në komision. “Respektoni procedurat z. Biba, respektoni institucionin, i bëni mirë shkresat tuaja. I keni të gjitha mundësitë. Drejtojuni me shkrim zonjës, jo kësaj tavoline. Z. Biba nuk të falen ty këto. Janë gabime juridike të rënda, ju po e krijoni këtë situatë”, – u shpreh Kosovrasti.
KQZ miraton vendimin për ndarjen e 200 milionë lekëve partive
Në mbledhjen e ditës djeshme Komisioni Qendror i zgjedhjeve vendosi ndarjen e fondeve që partitë politike përfitojnë nga buxheti i shtetit për vitin 2013. Në total janë 200 milionë lekë që ndahen në bazë të numrit të mandateve të fituara në zgjedhjet e vitit 2009. Ndërkaq, KQZ miratoi edhe vendimin për “Miratimin e modelit të regjistrit të ankimeve zgjedhore për zgjedhjet e 23 qershorit. Të gjitha ankimet e mundshme të depozituara nga subjektet zgjedhore do të mbahen në një regjistër të posaçëm i cili është i vlefshëm vetëm për zgjedhjet e vitit 2013. Miratimin e modelit të kërkesës ankimore për ankimin në rrugë administrative të vendimeve të KZAZ dhe të KQZ. Në rast të ndonjë ankimi të mundshëm të subjekteve zgjedhore, kërkesa ankimore duhet të plotësohet sipas modelit të miratuar. Miratoi ndryshimet në udhëzimin për organizimin dhe funksionimin e zyrave rajonale zgjedhore. Sipas këtij ndryshimi Zyrat Rajonale Zgjedhore në 12 qarqet e vendit do të ngrihen në njësitë administrative që do të përcaktohen me vendim të KQZ-së. Miratoi detajimin buxhetit për institucionin e KQZ-së për vitin 2013”.
Debatet në KQZ mes kryetares Lefterie Lleshi dhe nënkryetarit Denar Biba
Denar Biba: Është hera e dytë që më mohoni të drejtën e fjalës. Nuk na mohon ti të drejtën ti drejtohemi qytetarëve.
Lefterie Lleshi: Ti drejtoheni qytetarëve sa herë të doni, por mos gënjeni në deklaratat që ju bëni.
Denar Biba: Na trego ligjin ku na ndalohet?
Lefterie Lleshi: Më falni, këtu mbledhjen e drejtoj unë. Ju në deklarimet që bëni me mediat zotëri (Denar Bibës), është zgjidhja juaj sesi i bëni, por mos gënjeni dhe të thoni fakte që nuk kanë të bëjnë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ndër faktet që ju keni thënë, unë publikisht do ti them medias dhe të shohë se nëse shkresat të cilat kryetarja e KQZ, i kundërfirmon nënkryetari apo jo, të gjitha, që nga momenti i konstituimit të këtij komisioni. Do shikoni që çdo shkresë e dalë nga kryetarja e komisionit nuk është kundër firmuar nga nënkryetari….
Denar Biba: Shkresën duhet ta kishe dërguar vetë.
Lefterie Leshi: Po, shkresën mund ta kisha dërguar edhe vetë. Por nuk ka asnjë rëndësi nga pikëpamja procedurale. Ti mos gënje.
Denar Biba: Ia ke heq fytyrën këtij institucioni…
Lefterie Lleshi: Po, po, ja po ia vë ti. Është sekretare e përgjithshme dhe me atë titull ka firmosur. Unë firmos me titullin e kryetares së komisionit. Por unë nuk jam si ti. Burracak je ti e jo unë. Hajde fol në tavolinë, jo të më flasësh mua rrugëve. I gënjen njerëzit. Taksapaguesit shqiptar na kanë mbledhur këtu z. Denar Biba të më sjellësh ti këtu shkresa që nuk kanë lidhje fare me KQZ. Neve na kanë mandatar të bëjmë punën tonë. Dy pika të rendit të ditës nuk kanë asnjë logjikë në lidhje me vendimmarrjet që doni të bëhet… je bërë zëdhënës i shtypit i KQZ që drejton gazetarët.
Denar Biba: Po përdor atë mikrofon…
Lefterie Lleshi: Po përdor mikrofonin në tavolinë. Ti po përdor 100 kamera çdo ditë jashtë këtij komisioni.
Denar Biba: Hape mikrofonin!
Lefterie Lleshi: Preferoj z. Biba të mos të të ndjek në asnjë deklaratë që bën për shtyp jashtë kësaj tavoline.
Denar Biba: Hape, hape, mikrofonin!
Lefterie Lleshi: Jo se nuk kam respekt për mediat por sepse ne jemi këtu për të vendosur procesin zgjedhor të ardhshëm.
Albana Shtylla: Nuk të dalin argumentet, nuk ia hedh me atë që thua ti se gjërat janë të shkruara.
Lefterie Lleshi: Kërko leje. Jemi për çështje jashtë rendit të ditës. Ato që kërkuat jua dhash përgjigjet.
Denar Biba: Fole ti, të dëgjuam ne, tani të flasim ne të na dëgjosh ti.
Lefterie Lleshi: Fjalën skandaloze e përdorni nga mëngjesi deri, në drekë, në darkë. Gjieni një fjalë tjetër të gjuhës shqipe për ta përdorur. Skandaloze e përdorni për bojë, skandaloze e përdorni për fletë, gjeni një fjalë tjetër më të ëmbël të gjuhës shqipe. Në lidhje me këtë sekretarja e Përgjithshme do të japë informacionin me shkrim.
Denar Biba: Jo, jo e dua tani unë. Më ke quajtur tre herë gënjeshtar.
Lefterie Lleshi: Më ke quajtur ti më parë mua. Frikacak je vetë!
Denar Biba: fakti që nuk guxon të më japësh informacion… tregon që je absolutisht frikacake.
Lefterie Lleshi: Po, u kënaqe? Tani rri.
Denar Biba: Por nuk do ma heqësh dot fjalën. Nuk ma heq dot.
Lefterie Lleshi: Nuk ta heq…
Fatmir Xhafaj, letër Nishanit: Po tentohet kontrolli politik në gjykatat administrative
Deputeti socialist Fatmir Xhafaj i ka dërguar një letër Presidentit të Republikës Bujar Nishani lidhur me zbatimin e gabuar, sipas tij, të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”. Xhafaj i drejtohet Presidentit, duke thënë “ju parashtroj shqetësimin e thellë lidhur me zbatimin e gabuar nga ana juaj të ligjit nr. 49 datë 3.5.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka marrë vendimin nr. 299/1, datë 30.11.2012 “Për procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë dhe të Apelit”. Ligji 49/2012 në Shtojcën e tij (pjesë e ligjit) “Për Organizimin e Testimit Kualifikues për Emërimin e Gjyqtarëve Administrativë të Shkallës së Parë dhe të Apelit” parashikon qartazi se testimi seleksionues me shkrim për gjyqtarët organizohet prej Shkollës së Magjistraturës. Ligji 49/2012 (pika a, neni 4) është shprehur qartë se organizimi i testimit është përgjegjësi dhe detyrë e Shkollës së Magjistraturës. Ligjvënësi ka përcaktuar këtë detyrim duke respektuar përgjegjësinë dhe përvojën e deritanishme të shfaqur nga ana e shkollës lidhur me testimet për pranimin dhe vlerësimin e studentëve të Shkollës së Magjistraturës. Vendimi i KLD-së është në shkelje të hapur të ligjit. Ligji nuk i ka dhënë në asnjë paragraf të tij të drejtën KLD-së të ngrejë një komision për fondin e pyetjeve të testimit. Kjo është një kompetencë ekskluzive e vet Shkollës së Magjistraturës ashtu siç ajo bën në veprimtarinë e saj të përhershme. Neni 6 i vendimit të KLD-së është në kundërshtim me ligjin, i cili ka parashikuar qartazi se “fondi i pyetjeve përgatitet nga Shkolla e Magjistraturës me ndihmën e institucioneve ndërkombëtare.” Për dijeni letra i është dërguar edhe Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ambasadës së SHBA-së, Prezencës së OSBE-së, Këshillit të Evropës, OPDAT-it dhe misionit Euralius III.





