Nisin “përplasjet” e para në PD/ Qetësi para stuhisë në selinë blu

Jetmir Olldashi

basha topalliPyetja që i ndan palët është nëse fitoi apo humbi opozita dhe veçanërisht Partia Demokratike nga zgjedhjet e 21 qershorit

Heshtje e thellë dhe një qetësi si ajo para stuhie duket situata në selinë e Partisë Demokratike. Lufta guerile sapo ka nisur dhe tek-tuk ka disa deklarata, të cilat paralajmërojnë një betejë të ashpër në ditët që vijnë. Burimet brenda kupolës së PD-së flasin për tri grupime që përfaqësojnë tri mendime të ndryshme lidhur me situatën paszgjedhore. Pyetja që i ndan palët është nëse fitoi apo humbi opozita dhe veçanërisht Partia Demokratike nga zgjedhjet e 21 qershorit?! Qëndrimi i parë është i grupimit të kryetarit Basha, i cili mendon se opozita shkurtoi distancën me shumicën dhe ka bërë hapa para për të fituar zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Një gjë e tillë u deklarua zyrtarisht nga vetë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një konferencë për shtyp, që mund ta quajmë si qëndrimi i selisë blu për zgjedhjet. Grupimi i dytë është ai i ish-zyrtarëve të lartë të PD-së, ku spikat Jozefina Topalli, e cila në një reagim të vetin e ka quajtur humbje dhe të rëndë rezultatin e 21 qershorit. Pas zonjës Topalli ka pasur edhe reagime si ai i ish-deputetit Fatos Hoxha dhe eksponentë të niveleve më të ulëta në degët lokale të Partisë Demokratike. Rrjetet sociale, por jo vetëm ato, janë bërë një lloj shfryrjeje e këtij grupimi, i cili artikulon se PD-ja ka humbur dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Në grupin e tretë bëjnë pjesë deputetët aktualë të grupit parlamentar dhe figura të larta në qeverisjen e demokratëve, si Genc ruli, Ridvan Bode etj., të cilët nuk pranojnë të prononcohen për atë se çfarë ka ndodhur me rezultatin e PD-së në 21 qershor. Ky grupim, sipas fjalëve që qarkullojnë pranë selisë blu, po pret rrjedhën e ngjarjeve për t’u bashkuar me fituesit e një beteje eventuale, ose për të mbushur boshllëkun që mund të krijohet në rast përplasjeje. Deklarata e ish-nënkryetares së PD-së dhe një figurë emblematike e ish-të përndjekurve politikë ka sjellë pështjellim dhe nxehje të situatës në “shtëpinë e lirisë”, siç u pëlqen ta quajnë demokratëve partinë e tyre. Në një deklaratë në profilin e saj, Topalli përgëzonte të rinjtë shkodranë për rezultatin e arritur, ndërsa shprehej e pikëlluar për rezultatin në nivel kombëtar. “Ne kemi humbur ne shumicen absolute te bashkive. Harta eshte pothuaj krejt mavi dhe si PD kemi 20%, nderkohe si koalicion jemi me minus 482 mije vota. PD ka nje beteje te veshtire perpara. Por PD duhet te shikoje me shume nga vetja”. Menjëherë reagoi kreu i PD-së Shkodër, Ramiz Çobaj, i cili e ka quajtur tërthorazi turiste deputeten demokrate. “Fitorja në Shkodër nuk erdhi as nga “ambasadoret shëtitës” të Razmës apo Gjirit të Lalëzit, por nga puna e jashtëzakonshme e strukturave të Partisë Demokratike dega Shkodër”. Por asgjë s’ka mbetur në cikliken e një ironie. Një tjetër shkodran, Romeo Gurakuqi, profesor i Universitetit Evropian të Tiranës, i është përgjigjur zonjës Topalli. Gurakuqi, si përfaqësues i të rinjve, si mbështetës i lidershipit të PD-së, pjesë e qarqeve të UET, i ka kërkuar Topallit të mos ngutet dhe të mbështesë kryetarin Basha në betejën e tij ndërkombëtare për të mos njohur zgjedhjet e 21 qershorit. “Rezultati ka qene i paracaktuem dhe kete Zonja Jozefina Topalli do te duhet ta kete pasur te qarte, si shumekush nga ne. Sot eshte koha qe Shqiperia opozitare te bashkohet, duke korrigjuar disa defekte dhe te mbroje rendin demokratik”. Pas këtij reagimi një tjetër zë ka dalë kundër linjës zyrtare. Ka qenë ish-deputeti demokrat Fatos Hoxha, i cili ka sulmuar në bllok kryetarin Basha dhe liderin historik të PD-së, Berisha. “Nëse gjërat nuk ndryshojnë me urgjencë, unë dhe çdo demokrat me ndjenja për PD-në do të duhet t’i themi, si Gjeneralit, ashtu dhe Marshallit, me soj sorollop, haram e paçi mbështetjen dhe sakrificën e demokratëve, që ua futët në dhe Partinë”. Ndërsa grupi i “ustallarëve” pret në heshtje, duket se situata në selinë blu pritet të jetë inkandeshente në muajt e verës. Lideri i selisë blu, Lulzim Basha, ka nisur një tur ndërkombëtar në Bruksel, duke denoncuar, sipas tij, deformimin e vullnetit të zgjedhësve. Statuti i Partisë Demokratike nuk sanksionon largimin e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, në rast humbjeje në zgjedhje lokale. Duket se beteja bëhet për të “prerë kokat” e mbështetësve të Bashës. Një tjetër pikëpyetje e madhe që mund të rezultojë përcaktuese në këtë betejë është qëndrimi i liderit historik Sali Berisha. Ish-kryeministri nuk u përfshi fare në fushatë, ndërsa i quajti zgjedhjet më të këqija të zhvilluara në historinë e vendit. Berisha i ka denoncuar zgjedhjet, ndërsa ende nuk ka një qëndrim publik të tij për rezultatin e zgjedhjeve, nëse PD-ja humbi apo fitoi. Ndërsa blogjet në internet, rrjetet sociale dhe shkrimet në shtypin e shkruar ziejnë, do të duhet ndoshta të dalë raporti zyrtar i OSBE/ODIHR-it, që palët të zhveshin shpatat. Atëherë me siguri do të shohim nëse lideri Basha do të “presë kokat” e kundërshtarëve të tij brenda partisë, për të ndjekur rrugën 25-vjeçare të politikës shqiptare apo do të zhvendosë dhe korrigjojë punën e rrethit të tij të ngushtë, duke u thënë demokratëve se cilët ishin faktorët e brendshëm të PD-së që dështuan në 21 qershor. Zgjedhjet e 2017-ës janë shumë afër, a do të jetë opozita e përgatitur dhe e njësuar?! Mbetet për t’u parë.

 

Berisha vazhdon denoncimin e zgjedhjeve të 21 qershorit

Ish-kryeministri Berisha vazhdon denoncimin e zgjedhjeve të 21 qershorit në çdo takim me ndërkombëtarët. Ish-shefi i selisë blu ka pasur një takim me personalitetin francez, profesorin Jaques Rupnik. “Theksova ne takim se problemi me madhor i Shqiperise jane sot lidhjet e rrezikshme e te pakundershtueshme te Edi Rames dhe qeveritarve me te larte te vendit me krimin, tashme te dokumentuara qarte, si ne rastin Frroku dhe raste te tjera”. Përveç situatës së përgjithshme zoti Berisha është ndalur në situatën aktuale duke e njohur mikun e tij dhe të shqiptarëve me rrjedhën e zgjedhjeve të sapo mbyllura për pushtetin vendor. “Ne keto zgjedhje, si kurre ndonjehere me pare, Edi Rama kandidoi zyrtarisht perfaqesuesit e botes se krimit, kriminele, vrases, trafikante droge, prostitucioni, pengmarres per dhjetera e dhjetera poste per kryetar dhe keshillare bashkie”. Deputeti demokrat e ka falënderuar zotin Rupnik për mbështetjen që i ka dhënë çështjes shqiptare në përgjithësi dhe asaj të Kosovës në veçanti.

 

Share it :