Artan Cena
Prokuroria e Lezhës ka çuar për gjykim Gjokë Gjinajn, i akuzuar se kishte marrë peng dhe kërkonte 20 mijë euro. Ivan B. dhe Momir Sh. kishin ardhur në Shqipëri që të martoheshin
Prokuroria e Lezhës ka përfunduar hetimin dhe ka dërguar për gjykim kërkesën ndaj shtetasit Gjokë Gjinaj, i akuzuar se ka rrëmbyer dy shtetas malazezë, me qëllim marrjen e një shumë prej 20 mijë euro në këmbim të lirimit të tyre. Ngjarja, e cila ka ndodhur në Shëngjin në 4 tetor 2013, kur dy qytetarët malazezë, Ivan B. dhe Momir SH. dhe kishin ardhur në Shqipëri për të takuar një grua shqiptare, me të cilën Ivani kishte menduar të njihej dhe të martohej. Por, ky takim ka dështuar dhe i akuzuari Gjinaj, i cili është prezantuar si “vëllai” i gruas me të cilin kishin menduar të takoheshin, i rrëmbeu dhe kërkoi shumën e parave në këmbim të lirimit. Pas rrëmbimit fillestar, i pandehuri Gjonaj ka liruar fillimisht Momirin, duke i kërkuar që të shkonte në Mal të Zi dhe të kthehej me shumën prej 20 mijë euro në këmbim të lirisë së kunatit të tij, Ivan. Pas kësaj Momir Sh., pasi shkon në Mal të Zi, njofton autoritetet policore atje për ngjarjen, të cilat vihen në kontakt me autoritetet shqiptare. Pasi u vonua kryerja e pagesës, i pandehuri, duke krijuar dyshimin se mund të ishin njoftuar autoritetet policore, e ka liruar edhe Ivan B., ndërkohë që është fshehur gjatë gjithë hetimit ndaj tij. Pak ditë më parë, Prokuroria e Lezhës dërgoi çështjen për gjykim, ndërkohë që në datën 25 qershor 2015, policia ka arritur të arrestojë të pandehurin, i akuzuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit, në rrethanë lehtësuese”.
Si u përgatit pengmarrja
Më datë 4 tetor 2013, rreth orës 04:04 Zyra e Interpol Tiranës ka marrë njoftim nga Interpol Podgorica me lëndë “Mbi rrëmbimin e mundshëm të shtetasit malazez Ivan B. Sipas informacionit, shtetasi Momir SH. Së bashku me kunatin e tij Ivan B. janë nisur për në territorin e Republikës së Shqipërisë me qëllimin për të takuar një vajzë. Ata udhëtonin me mjetin “Volkswagen Golf” me targa xxx090 dhe kanë mbërritur në Pika e Kalimit Kufitar të Hanit të Hotit rreth orës 09:00. Aty janë prezantuar me shtetasin Nikola B., i cili po i priste, pasi ky i fundit do t’i takonte me vajzën me të cilën supozohej që do të martohej. Pasi kanë udhëtuar disa kilometra kanë marrë kthesën djathtas në drejtim të Shëngjinit. Pas një distance të shkurtër janë ulur në një tavernë, vend në të cilin i priste një burrë, që u është prezantuar me emrin Edi. Së bashku me këtë të fundit ishte edhe një grua. Pasi ka qëndruar për disa momente shtetasi Nikola B. është ngritur nga tavolina dhe është nisur për në Tiranë. Pastaj në tavolinë kanë ardhur një burrë dhe një grua. Shtetasi “Edi” iu ka thënë shtetasve Momir Sh. dhe Ivan B. se nuk është kjo vajza me të cilën do të martohej shtetasi Ivan B., por është një shtetase tjetër, e cila ishte rreth 22-vjeçe. Shtetasi Ivan B. i ka thënë shtetasit “Edi” që ai nuk pranonte që të martohej më një vajzë kaq të re. Pas kësaj deklaratë shtetasit shqiptar janë revoltuar dhe shtetasi që ishte prezantuar si vëllai i vajzës që do të martohej, e ka akuzuar atë se ai kishte si qellim që ta trafikonte motrën e tij. Me pas i kanë kapur me forcë shtetasit Momir SH. dhe Ivan B, i kanë lidhur me pranga dhe i kanë dërguar në një ndërtesë. Më pas vëllai i vajzës që do të martohej, i ka thënë shtetasit “Edi” që ta lironte shtetasin Momir SH. me kusht që të shkonte në Malin e Zi dhe të sillte 20.000 euro, dhe vetëm atëherë do ta lironin shtetasin Ivan B. Në orën 22:15 të datës 10.03.2013 shtetasi Momir SH., i cili kishte arritur në Malin e Zi ka marrë një telefonate nga nr celular xxxxx958, dhe në celular i ka dalë shtetasi malazez Ivan B., i cili e ka pyetur nëse i kishin mbledhur akoma paratë. Pas disa minutash vëllai i shtetasit malazez Ivan B. ka marrë një telefonatë nga ky i fundit me numrin celular xxxxxx731, gjatë së cilës i ka kërkuar që të mos njoftojë policinë dhe të sjellë sa më shpejt paratë. Pas disa orësh meqë paratë këtë shtetas malazez nuk i dispononin, personat që mbanin peng shtetasin Ivan B. e kanë liruar këtë të fundit me kusht që ai të dorëzonte për një periudhë prej një javë shumën prej 10.000 euro. Është arritur të identifikohet shtetasi që ka përdorur numrin celular xxxxxx958. Dhe ai është shtetasi Gjokë Gjinaj.
Dënohet me 20 vite burg shqiptari, akuzohet për financim terrorizmi
Shqiptari 31-vjeçar Agron Hasbajrami është dënuar me 20 vjet burg nga një gjykatë amerikane. Hasbajrami, me banim në Bruklin të Nju Jorkut, akuzohet se financonte grupe terroriste. Hasbajrami u shpall fajtor nga gjykata amerikane më 26 qershor. Ai akuzohet për mbështetje me materiale të terroristëve. “Reuters” shkruan se një pjesë të marrëveshjes për t’u vetëshpallur fajtor, Hasbajrami pranoi që të dëbohej nga SHBA-të pas kryerjes së dënimit. Sipas hetimeve dhe dokumenteve që u paraqitën në gjyq, në shtator të vitit 2011, Hasbajrami tentoi që të udhëtonte në një pjesë të Pakistanit, ku gjenden grupe tribale dhe rebele për t’iu bashkuar grupeve militante atje. Gjithashtu, ai ka financuar grupe të caktuara terroriste në Pakistan dhe Afganistan me transferta parash, që shkonin deri në 1000 dollarë. Sipas faksimiles së Hasbajramit në faqen e FBIsë, publikuar më 26 qershor 2015, në ndjekje të qëllimit të tij për të marrë pjesë në xhihad, ai ka shkëmbyer mjaft mesazhe elektronike me pjesëtarë të grupeve terroriste, përgjegjëse për vrasjen e ushtarëve amerikanë në Lindjen e Mesme. Më 5 shtator 2011, Hasbajrami rezervoi një biletë pa kthim për në Turqi. Bazuar në përgjimet e postës elektronike të Hasbajramit, ai po tentonte që të shkonte në Pakistan. Por 31-vjeçari u arrestua në aeroportin ndërkombëtar “Xhon Kenedi”. Ndërkohë gjyqi ndaj tij ka vite që vijon. Një vit më Hasbajrami, i cili ishte vetëshpallur fajtor, e tërhoqi deklaratën dhe kjo bëri që gjyqi të rihapej së bashku me hetimet. Në shkurt të vitit 2015, gjykata refuzoi të gjitha kërkesat e Hasbajramit për t’u shpallur i pafajshëm, pasi dispononte të gjitha provat që e bënin atë fajtorë.
Pranga numëruesit, nuk pranoi që të kontrollohej
Një numërues në KZAZ-në numër 1 në Malësinë e Madhe është vënë në pranga mbrëmjen e dy ditëve më parë, pasi akuzohet se nuk ka pranuar që t’i nënshtrohet kontrollit dhe ka kundërshtuar edhe efektivët e policisë. Nga efektivët e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe është bërë arrestimi në flagrancë i Emirjon Hasajt, 26 vjeç, banues në Malësi e Madhe. Vënia e tij në pranga është bërë pasi gjatë kontrollit të ushtruar tek dera hyrëse në KZAZ-së numër 1, në Koplik, Malësi e Madhe, ku ky person, i cili ishte dhe numërues në KZAZ, nuk ka pranuar që punonjësit e Policisë të kryenin kontrollin fizik te tij, ku për pasojë ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë që kryenin detyrën. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës”, “Fyerja për shkak të detyrës”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Shkelje e rregullave të qarkullimit, 6 shoferë në pranga
Gjashtë persona janë ndaluar dje nga policia e Tiranës, pasi drejtonin mjetin e tyre në gjendje të dehur, ndërsa një tjetër është arrestuar pasi tentoi të korruptojë efektivin. Shtetasi Alfred Sabahi u ndalua fillimisht nga uniformat blu pasi bëri parakalim të gabuar, por pas kësaj, ai tentoi të korruptojë policin duke i dhënë 500 lekë. Për këtë, Sabahi është arrestuar, ndërsa në pranga janë vënë edhe shtetasit Klodian A., Matias M., Kristjan D., Fatlik T., Ardit M., dhe Eduard D., për drejtim mjeti në gjendje të dehur. Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit për procedim të mëtejshëm penal.




