Kështu e lexon raportin e OSBE/ODHIR-it, kryetari i Komsionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, Elmar Brok, i cili ka deklaruar se në fillim të javës së ardhshme do ta vendosë këtë çështje në rendin e ditës së punimeve të komisionit që kryeson, në Parlamentin Europian.
Brok mendon se ky raport është befasues dhe përbën fallsifikim të madh të zgjedhjeve. “Sikur gjysma e këtij raporti të jetë e vërtetë, atëherë duhet të themi që këto zgjedhje janë të fallsifikuara. Unë do ta vë këtë raport në rendin e ditës së të hënës së komisionit të punëve të jashtme”, tha kryetari Komisionit të Punëve te Jashtme të PE-së.
Ndërkohë, komisioneri për politikën e fqinjësisë dhe negociatave për zgjerimin, Johannes Hahn, preferon të prononcohet vetëm kur të jetë njohur me raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR.”Do të pres për raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR dhe pastaj do të bëjë komentet e mia”, u shpreh Hahn.




