Rritja e LSI-së në votat për këshillin bashkiak/ Braçe zhvlerëson numrat e Metës: Nuk më bëjnë përshtypje, s’janë tregues për forcën e partisë

Gëzim Saliu

meta-braceDeputeti i PS-së: Situata në Lazarat është pasojë e vonesës pafund të Prokurorisë dhe drejtësisë

Rritja në vota e Lëvizjes Socialiste për Integrim në krahasim me vitin 2011 si edhe me 2013-ën nuk mund të cilësohet si një tendencë për të treguar se kjo forcë politike ka mbështetje më të madhe në rang kombëtar. Kështu u shpreh dje deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe në një intervistë në “News 24”, ku i pyetur lidhur me rezultatet e LSI-së ai theksoi se vota për këshillin bashkiak nuk mund të jetë asnjëherë tregues për forcën e një partie. Kjo pasi sipas tij “lojërat” e partive të vogla me votat në këshill bëjnë që një pjesë e votave të partive kryesore të “kalojnë” tek ato, gjë e cila theksoi Braçe, nuk mund të ndodhë tek zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. “Të them të drejtën rezultatet për këshilltarë në zgjedhjet lokale nuk më surprizojnë dhe nuk më interesojnë fare pasi ato nuk kanë përmbajtje për të parë tendencën e forcave politike. Nuk më bën përshtypje si është renditur PS apo LSI. Këto të tjerat të voglat marrin nga partitë e mëdha vota. Mos krahasoni rezultatet për këshilltarë për të parë forcën e partive politike. Nuk mund të nxjerrësh asnjë konkluzion. PS është sot në Divjakë 28%, por janë 5 mijë vota që i kanë partitë e vogla që në zgjedhjet e përgjithshme as do kenë kurrë ndonjë votë. Nuk më krijon asnjë përshtypje ky rezultat”, – tha deputeti socialist. Lëvizja Socialiste për Integrim, megjithëse humbi 6 bashki në garën vendore, për të cilat pati dhe mosmarrëveshje me aleatin PS, po merr një numër të madhe votash në këshillat bashkiakë. Këto vota janë cilësuar nga përfaqësuesit e lartë të LSI-së si tregues të rritjes së mbështetjes së qytetarëve për forcën e drejtuar nga Meta.

 

Ngjarjet në Lazarat

Ndërkaq, duke komentuar ngjarjet në Lazarat, Braçe theksoi dje se theksoi se situata në këtë fshat është pasojë e vonesës pafund të prokurorisë dhe drejtësisë. “Po t’u referohesh të gjitha përplasjeve të policisë me bandat kriminale në Lazarat nuk ka një jetë të vetme të humbur nga bandat kriminale. Nuk ka ndodhur në një kohë kur ka qeverisur tjetër kush sepse nuk ka pasur veprim të shtetit ligjor mbi Lazaratin në kohë të ndryshme. Përpjekja e një viti më parë mesa duket nuk ka shkuar deri në fund. Ka bërë shumicën e punës por për shkak se drejtësia është vonuar pa fund prokuroria është vonuar pa fund. Vonesa e veprimit të organizuar e gjithë sistemit të drejtësisë jep pasojat e veta”, – u shpreh ligjvënësi i majtë. Ndërkaq ai theksoi se nuk do ketë sukses ndaj krimit të narkotrafikut nëse nuk sekuestrohen pasuritë e personave të përfshirë në të. “Nuk duhet të ketë sukses ndaj krimit të narkotrafikut nëse nuk do sekuestrohet deri në qindarkën e fundit pasuria e këtyre njerëzve. Nëse nuk ju sekuestrohen nga paratë deri tek pronat dhe gomat e makinave. Paratë i bëjnë këta njerëz trima për të sulmuar policinë e shtetit. Duhet një veprim më i koordinuar i gjitha institucioneve ligjzbatuese të shtetit. Grupet kriminale në Lazarat kane qenë të lidhura me narkotikët. Askush nuk ka prova që këta nuk janë marrë me droga të tjera të forta. Askush nuk mund ta thotë që e gjithë droga në Lazarat është asgjësuar. Mund të jetë fshehur”, – theksoi Braçe.

 

Incidentet në Fier/ Këshilltari i PLL, grushte numëruesit të PS-së, PD denoncon zhdukjen e fletëve të votimit

Në qarkun e Fierit janë shënuar 2 incidente gjatë numërimit ë fletëve të votimit. Në harkun e 3 orëve ngjarjet kanë ndodhur njëra pas tjetrës, ku fillimisht në Patos një vëzhgues i PD ka denoncuar zhdukjen e 7 fletëve të votimit për këshilltarët bashkiakë, në KZAZ nr. 59. Sipas Eduart Fasllisë, fillimisht ishin 8 fletë plus, më pas është kërkuar rakordimi dhe kanë dalë 7 fletë mangët. Si pasojë e parregullsisë së pretenduar nga PD, është mbyllur për disa orë procesi i numërimit, që ka rinisur paraditen e djeshme. “Momentin që i kërkova të më bënte rakordimin e fletëve të votimit, për të gjetur numrin e fletëve që mungonin, fletët që ndodheshin nëpër zarfe, me procesverbalin e dorëzimit nga QV të sasive totale të fletëve të votimit. Zotërinjtë nuk pranuan të bënin transparencë, thanë nuk të takon ty, këtë punë e dimë ne. Bëhet fjalë për 7 fletë votimi që i mungonin PD, në monitor dilnin 8 fletë më tepër”, – tha Fasllia. Ndërkohë po në Fier në KZAZ 57 në gjimnazin “Janaq Kilica”, kandidati për këshilltar i PLL, Alban Kajolli, së bashku me babanë dhe vëllanë e tij goditi me grushte numëruesin e PS-së, Roland Bylyshi. Këshilltari kërkoi të dinte arsyen e shpalljes së pavlefshme të një flete votimi. Pasi e ka parë parregullsinë, sipas policisë është konfliktuar deri në përplasje fizike me numëruesin. Si pasojë e përleshjes është plagosur lehtë 34-vjeçari Bylyshi, ndërsa janë dëmtuar monitorët dhe tavolinat e numërimit. Zyrtarisht policia e Fierit njofton së ka shpallur në kërkim Fatmir Kajollin 50 vjeç dhe Alban e Florim Kajollin, të tre nga Mbrostari i Fierit.

 

Pas aleancës/ FRD nuk kursen aleatët e rinj të majtë: Na u vodh vota në Gjirokastër

Fryma e Re Demokratike e drejtuar nga Bamir Topi denoncoi dje atë që e cilësoi si tjetërsim të votave në numërimin në Bashkinë e Gjirokastrës. Në aleancë me të majtët, FRD e degës së kësaj bashkie nuk nguroi të shprehte akuza si ndaj komisionerëve të majtë edhe ndaj atyre të djathtë. “Me shqetësim të thellë për deformimin e vullnetit politik të zgjedhësve të pasqyruar tek vota, Fryma e Re Demokratike, dega Gjirokastër, denoncon përpara opinionit publik rastet e përsëritura të tjetërsimit të votës. Në njërën nga tavolinat e numërimit vëzhguesi numëroi 19 (nëntëmbëdhjetë) vota dhe në procesverbal u shënuan 5 (pesë). Në një tavolinë tjetër, vëzhguesi numëroi në monitor 9 (nëntë) vota, ndërsa në procesverbal rezultojnë vetëm 2 (dy)”, – thuhej në deklaratën e Çezar Kotonit, kryetari të FRD dega Gjirokastër. Më tej ai theksoi se mungesa e transparencës për të deklaruar numrin e kutisë së votimit FRD po ia atribuon mostrajnimit teknik të komisionerëve dhe nivelit të tyre. “Deformimi i vullnetit politik të zgjedhësve detyrimisht do të sjellë pasoja. Shpresojmë që ky i Gjirokastrës të jetë një rast i izoluar. Fryma e Re Demokratike, duke dënuar çdo akt të deformimit të votës, shpreh keqardhje për çdo veprim të kësaj natyre dhe kërkon ndëshkimin ligjor të të gjithë përgjegjësve të këtyre akteve me pasoja të rënda për vullnetin demokratik”.

 

Ministrja për kryebashkiaken e Shkodrës/ Kumbaro i uron fitoren Ademit: Pres bashkëpunim për muzeun “Marubin” dhe teatrin “Migjeni”

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro i uroi dje fitoren kandidates së djathtë për Bashkinë e Shkodrës Voltana Ademi.  Në profilin e saj në Facebook, Kumbaro theksoi  se pret bashkëpunimin me kryebashkiaken e re të Shkodrës për projektet e muzeut “Marubi” si  edhe Teatri “Migjeni”. “Dhe tani që gara mbaroi, dua sinqerisht t’i uroj Voltanës, kryetares së re të Bashkisë së Shkodrës, mirëseardhjen në projektet tona të përbashkëta, sidomos në dy projektet madhore: Muzeu “Marubi” që tashmë ka filluar ndërtimin dhe Teatrin ‘Migjeni’ restaurimi i të cilit po pret nënshkrimin e Voltanës! Punë të mbarë të përbashkët në rrugën e Kulturës!”, shkruante ministrja Kumbaro.

 

Share it :