Më poshtë botojmë një tufë nga Rubairat e poetit persian, Omar Khajamit, nga përkthimet mjeshtërore të Fan Nolit
52-
Me vajzën në prënver’ e në lëndinë
Me këngën, me Llautën, me Dollinë
Dëfrenj: le të më shajnë; s’më ha malli!
Këtu e gjej Parajsën, Perëndinë.
-53-
Me Ver’ e Valle, me Huri – në pastë,
Te vija në lëndin’ u shtri – në pastë,
Dhe humbi fare Ferr’i zi – në pastë,
Dhe ja, Parajsa na u gdhi – në pastë.
-54-
Një kupë Verë, mor Saki – ta puth!
Vajzën e bukur si selvi – ta puth!
Atë gërshet si lak të zi ku kapet
I urti plak e djal’i ri – ta puth!
-55-
Nem kupën dhe këndo një melodi,
Me Engjëj dhe Bilbilë simfoni:
Se Vera qesh, këndon, kur rrjeth nga shishja
Dhe s’duhet pirë veç me brohori.
-56-
Me gjithë Trëndafijt’ Irami u shua,
Qelqi magjik Xhamshid u çduk në prrua,
Po prapë Vreshta Rrush rubin na nxjerr
Dhe kopshti lulëzon ku rrjeth një krua.
-57-
Shih, mijëra burbuqe lulëzojnë
Dhe erët mijëra përdhe rrëzojnë;
Dhe ditët që na sjellin Trëndafilin
Xhamshid e Kaj-Kobad na i çkallmojnë.
-58-
Po eni me Khajamin dhe ia shtroni
Dhe Kaj-Kobad e Kas-Khosrò harroni:
Rustemi le t’ju ftonjë në kushtrim
E Taji në zijefet, mos i dëgjoni.
-59-
Eja, mbush Kupën e në zjarr gëzimi
Vërvit çdo vrer e helm të zi pendimi:
Se Shkab’ e Kohës Jetën na shkurton,
Dhe shih se sa shpejton nga fluturimi.
-60-
E Dashur, mbushma Kupën që kthjellon
Të sotmen nga vreri q’ikën, tmerr q’afron:
Po nesër? nesër nofta fryra, humba
Në shqotën ku e djeshmja fluturon.
-61-
Na fryri dita, mor Saki: sill Verë!
Jetën s’e shohim përsëri: sill Verë!
Bota një her’ u mbyt në kataklizmë,
Ashtu u mbytshim me Dolli: sill Verë!
-62-
U bëra prapë djal’ i ri: sill Verë!
Kërcej me flag’ e lumëri: sill Verë!
S’ka gjë, në qoft’ e hidhur, mor Saki,
Si jeta ime në Persi: sill Verë!
-63-
Sakinjtë derdhin Ver’ e vala rrushi,
Në zemrat shuajn’ afsh’ e avull prushi:
Lavdi, o Zot, se dhe këtë ballsam
Që na shëroi e me shëndet na mbushi.
-64-
Si merimanga vallë pse ta tjerim
Perin e Jetës, kur pastaj e çtjerim?
C’do të fitojmë kur aspak s’e dimë
Frymën që marrim jasht’ a do ta nxjerrim?
-65-
Në Nishapur ose në Babilon,
Me Kupën që tharton e ëmbëlson,
Fletët e Jetës një nga një na bien
Dhe lëngu i saj pa reshtur na pikon.
-66-
Ah, mbushni Kupat! Zemra na thërret,
Se Koha nëpër këmbë po na shket:
E djeshmja vdiq, e nesërmja s’na gjen;
Ç’mërziti kur e sotmja ka lezet?
-67-
Ditën e shkuar fare e harro
Dhe për të nesërmen mos u çkallmo:
Gëzo një çast të lumtur, faqebardhë,
Dhe Jetën n’erë mos e çkatërro.
-68-
Për nesër mos u verdh sa pa e parë,
Të sotmen e gëzo, mor djal’ i mbarë:
Shpejt ikim nga ky Han e hasim shokët
Që shkuan shtatë mijë vjet më parë.
-69-
Me Buzët trëndafilen shtatselvi
Këndo e nat’ e ditë zbras Dolli:
Se nesër Vdekja fryn, të çthurr si lule
Dhe fletët t’i përmbjell në Dhe të zi.
-70-
Të shkuarat mos i kujto me lot
Dhe për të pritmet mos u loth më kot:
Sa kohë në luadhin je, kullot;
Nga drapr’ i Vdekjes nukë shpëton dot.
-71-
Buza që puth e Vera që po pi
Vërtet mbarojnë dhe ato si hi:
Po sot të paktën je një hi i gjallë,
Gëzohu sa s’kalon në Hiç të zi.
-72-
Sa kohë po vazhdon kjo Jet’ e ngratë
Për qafe kape Qiparisn’ e gjatë.
Se nesër Mëmë-Dheu do t’të kapë
Dhe posa të pushtoi s’të lëshon prapë.
-73-
Sa nga të dashurit mbi këtë bar
Që m’emëruan për trashëgimtar
I zbraznë Kupat rrotull nja dy herë
Dhe heshtn’ e zbritnë një nga një në varr.
-74-
Më shkuan shokët! Vdekja pa mëshirë
M’i shtrydhi një nga një si Rrush në Tirë:
Festuam, pim’ e biseduam bashkë,
Pastaj u shtrin’ e thanë: “Lamtumirë!”
-75-
Dhe ne, që sot dëfrejmë në lëndinë,
Ku pleqtë na bekuan me Dollinë,
Dhe ne në shtrat të dheut do të zbresim
Dhe do ta zbrazim vendin për risinë.
-76-
Si lot pikon nga Qiell’i mvrojtur shiu
Sis’ i jep lules si një çilimiu;
Nga varri bukën ia mëkon njeriu:
Bga pluhr’i tij kjo lul’e bukur mbiu.
-77-
M’i kuqi Trëndafil i çdo behari
Nga toka mbin që piu gjak Qesari:
Në gji të kopshtit manushaqja shket
Prej faqes Vajzës me ulli nga Varri.
-78-
Dhe kjo lëndin’ e njomë që po çel
Bregun e lumit ku tani po ngel,
Ah, pshtetu leht’ e but’ e mos e shkel,
Se s’di nga cila buz’ e bukur del.
-79-
Ah, Trëndafili me prënverën shkon
Vjeshta risisë fletët ia rrëzon:
Bilbili, që në degët i këndon,
Ikën – e kush e di ku fluturon?
-80-
Ah, pini dhe Khajamit shtjerini!
Profetët le të flasin, lërini!
Një gjë ësht’ e vërtetë: Lulja vdes,
Si lulëzon, – dhe profkat prejini!
-81-
Çdo shpresë që me flagë na përfshin
Shuhet e bëhet hi; a shkrepëtin
Mbi kum të shkretëtirës si dëbora
Një or’ a dy – dhe menjëherë shkrin.
-82-
Në Dhe, o shpirt, të mirat si për Mbret
Dhe gazet e dëfrimet plot lezet
S’të janë veç si ves’ e lulevet,
Që ndrit menatë dhe pastaj humbet.
-83-
Edhe ay që mbleth e shin flori
Edhe ay q’e heth, e derth si shi,
Kur vdesin nukë bëhen ar e mjaltë:
Po kalben, myken nënë Dhe të zi.
-84-
Te ky Karvan – Saraj faqekëmbyer,
Që netët edhe ditë ka për dyer,
Sulltanë pas sulltanëve u shtruan
Sa ish’ e thën’ – e iknë të pakthyer.
-85-
Ja, sot gas paske dhe shëndet: pastaj?
Ja, mot të patshim si simvjet: pastaj?
Ja, qofsh i lumtur një qint vjet: pastaj?
Ja, për çudi, dy qint si mbret: pastaj?
-86-
Dhe tre qint vjet të rrosh e plot me dritë,
Këtejza do të shkosh me lot një ditë,
Qofsh Mbret i lart’ a liparak i ngratë
Në trap do të mbarosh pa mot i mpitë.
-87-
S’banojnë veç luanë dhe zhapi
Në sallat ku Xhamshidi u shtri, u pi:
Bahrami, që me lak onagre kapte,
U lak, u kap në llom’ e pellgpusi.
-88-
Kështjella gjer në Qiell një herë ndriti
Dhe Mbretër e Qesarë brënda priti:
Përmbi gërmadha tani qyqja qan:
“Ku vajti, ah! ku? ku, ku zbriti?”
-89-
Nga mur’i Tusit Korbi po vë re
Kafkën e Kaj-Kavusit tej përdhe
Dhe kujës ia kërcet: Kaj, Kral i Ngratë,
Daullet dhe trumbetat ku m’i ke?
-90-
C’fitova nga të gjith’ andrallat? Hiç!
Dhe nga mundimet e vërdallat? Hiç!
Sa para bën se sot jam Yll e Dritë
Kur shuhem nesër, shkonj me prrallat? Hiç!




