Raporti paraprak/ OSBE/ODIHR: KQZ, vendime të politizuara. KE: Blerja e votës problemi i madh i zgjedhjeve

 

Gëzim Saliu

gloverRaporti: Toni i fushatës në përmirësim në krahasim me zgjedhjet e kaluara, ZAZ-të nuk kanë punuar në mënyrë efikase, sepse nuk iu dha materiali zgjedhor në kohën e duhur nga KQZ-ja

OSBE/ODIHR publikoi dje raportin paraprak të procesit të zgjedhjeve vendore në Shqipëri, ku theksoi se fushata dhe toni i saj ishin të qetë dhe në përmirësim nga vitet e kaluara. Por sipas raportit të ODIHR-it, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë disa vendime të politizuara që kanë ndikuar në minimin e procesit zgjedhor. “Pati një sjellje të qartë ndërmjet kandidatëve. Fushata e qetë. Toni i fushatës në përmirësim në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Komponenti më i rëndësishëm janë vetë zgjedhësit, të cilët duhet të kenë mundësi të votojnë në mënyrë të lirë dhe të jenë të sigurt që vota e tyre do të numërohet si duhet. Ne nuk mendojmë se të gjitha kërkesat u përmbushën. KQZ në përgjithësi ka funksionuar në mënyrë të hapur, por karakteri i politizuar i diskutimeve çoi në disa vendime të kundërligjshme. Zonat e administrimit zgjedhor nuk kanë punuar në mënyrë efikase sepse nuk iu dha materiali zgjedhor në kohën e duhur nga KQZ-ja. KQZ nuk pati të dhëna në kohë në faqen e saj”, – tha ambasadorja Glover. Më tej, ODIHR theksoi se ecuria e zgjedhjeve ishin pozitive, por sipas misioni janë vënë re edhe disa problematika gjatë procesit si votimi në grup apo grupe simpatizantësh në hyrje të qendrave të votimit, të cilët penguan apo ndikonin tek votuesit. “Zgjedhjet pozitive, por janë vënë re votime në grup dhe probleme procedurale. Janë vënë re grupe simpatizantësh në grup që kanë penguar apo kanë ndikuar në votimin e qytetarëve. Ekipi i ODIHR-it do të qëndrojë edhe 2 javë në terren për të ndjekur të gjithë procesin. Do të publikojmë raportin përfundimtarë pas rreth 2 muajsh. Do të përfshihen rekomandime për ta çuar procesin zgjedhor përpara”, – theksoi Glover.

 

Komisioni Evropian

Ndërkaq, pjesëmarrës në konferencën e ODIHR-it, kreu i delegacionit të Kongreseve të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale në KE, Stewart Dickson, shtroi tri problematika që dolën në pah gjatë procesit të zgjedhjeve: Problemet me listat zgjedhore, blerja e votës, përfshirja personale e figurave udhëheqëse politike në fushatë. Në këtë kontekst Dickson pohoi se akuzat për blerje votash do të analizohen me kujdes në raportin e tetorit në Strasburg. Do të parashtroj tre probleme që ne kemi hasur: 1- Listat e zgjedhësve, nuk është normale që përfshijnë 1 milion vetë që jetojnë jashtë Shqipërisë. Çështjet vendore ne mendojmë se duhet të vendosen nga shtetasit që jetojnë de fakto në ato bashki. 2- Frika e punonjësve të administratës se duhet të votonin të imponuar sepse mund të humbnin vendin e punës. Duhet të ketë një fushatë të ekuilibruar edhe për këtë. Apo blerja e votës një problem tjetër i hasur. 3- Përfshirja personale e figurave udhëheqëse, sidomos e dy forcave të mëdha politike në këto zgjedhje, ka bërë të ketë më shumë dalie të kandidatëve në këto zona. Ndaj, ne sugjerojmë që duhet të ketë një ekuilibrim të figurave në këtë proces. Raporti i kongresit do të diskutohet në Strasburg në vjeshtë”, – tha Dickson. Nga ana tjetër, ai nënvizoi se Shqipëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm gjatë viteve të fundit, duke i cilësuar zgjedhjet e 21 qershorit si një shembull të këtyre hapave. “Pjesëmarrja e grave dhe e komuniteteve ishte një shembull pozitiv, por ka shumë për t’u bërë në kuadrin ligjor. Fushata e paqme dhe e civilizuar. Ka qenë një fushatë normale për sa u përket standardeve evropiane”. Ndërkohë, pyetjes së gazetarëve në lidhje më denoncimet që ka pasur për blerje të votave dhe zgjatjes së procesit të numërimit, përfaqësuesit e OSBE/ODIHR iu përgjigjën duke pohuar: “Blerja e votave është një problem i ngritur nga dy partitë kryesore, por edhe nga kandidatët e dy forcave. Blerja e votës përfshin shpërndarjen e ndihmave apo marrjen dhe dhënia përsëri të kartave të identitetit qytetarëve. Ne japim komente për votimin dhe numërimin, por vendi e vendos vetë se çfarë forme përdor për numërimin. Por ne do ta shikojmë edhe procesin e numërimit. Zgjatja nuk është shumë e rëndësishme por më shumë e rëndësishme është besueshmëria dhe siguria”.

 

KQZ, thirrje partive: Emëroni komisionerët në vendet e numërimit të votave

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Lefterie Luzi, bëri thirrje dje ndaj forcave politike që të marrin masat e duhura për të emëruar komisionerët në Vendet e Numërimit të Votave (VNV). “Prioritare kemi numërimin e kutive të votimit dhe ky proces nuk mundet të pengohet dhe as të bllokohet. Nuk ka kuptim ta lëmë procesin pa komisionerë dhe kjo nuk duhet të ishte lënë për sot”, – tha Luzi gjatë mbledhjes së djeshme të KQZ-së. Kjo thirrje e Luzit erdhi pas shqetësimit të shprehur nga përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Genci Gjonçaj, i cili u ankua për vonesat në numërim, ku veçohet Qarku i Shkodrës, pasi komisionerët e VNV-ve të emëruar nga PD-ja, sipas të majtëve, nuk i përmbushin kriteret ligjore.

 

Shifrat deri në 80%, kandidatët që fituan thellë në zgjedhjet e 21 qershorit

Zgjedhjet vendore të 21 qershorit sollën edhe disa rezultate me fitore plebishitare, e cila në disa raste shkoi edhe në 80%. Kështu, në Skrapar, Pustec, Poliçan, Kurbin, Libohovë dhe Delvinë, zona të cilat njihen si bastione të së majtës, kandidatët e koalicionit Aleanca për Shqipërinë Evropiane morën një votë të fuqishme popullore. Fitorja më e madhe i takon kandidatit të së majtës në Skrapar, Nesim Spahiu, të propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, i cili mori 86.33 për qind të votave, ndërsa kundërshtari i tij i djathtë Hajredin Bakiasi vetëm 13.67 për qind të votave. Po në këto nivele ishte edhe gara në Kurbin, por në këto zgjedhje mungoi kandidati i opozitës e ndërsa pjesëmarrja ishte vetëm 22%. Ndërkaq, banorët e Bashkisë Pustec ia besuan votën në 80.97 për qind kandidatit të Partisë Socialiste, Edmond Themelko kundrejt Miallaq Apostollovskit të Partisë Demokratike me 19.03 për qind. Rezultat befasues sollën këto zgjedhje edhe për Adriatik Zotkajn të Aleancës për Shqipërinë Evropiane, që mori mandatin e pestë në Bashkinë e Poliçanit, me 72.55 për qind të votave të elektoratit, ndërsa kandidati i Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet siguroi vetëm 27.45 për qind të votave. Po ashtu rezultat të thellë u shënua edhe në Bashkinë e Libohovës në Gjirokastër, ku përfaqësuesja e të majtës Luiza Mandi fitoi me 72.23 për qind kundrejt 27.77 për qind të votave që mori kandidati i djathtë, Altin Çomo. Në të njëjtën linjë Bashkia e Delvinës shpalli fitues Rigels Balilin të Aleancës për Shqipërinë Evropiane me 72.80 për qind të votave përkundrejt Dhurim Alinanit të APPD me 27.20 për qind të votave.

 

Share it :