Kandidati i djathtë për kryebashkiak të Tiranës ka kërkuar të numërohet çdo votë e qytetarëve të Tiranës dhe të respektohet verdikti i sovranit. Halim Kosova në një deklaratë të bërë menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit tha se të dhënat e përfaqësuesve të Partisë Demokratike nga terreni flasin për fitore. ‘’Të dhënat e para që vijnë nga përfaqësuesit tanë flasin për një rezultat pozitiv në Tiranë. Fitorja jonë e përbashkët, e qytetarëve të Tiranës gjendet në kutitë e votimit. Kemi hyrë në një moment shumë të rëndësishëm të këtyre zgjedhjeve, që është numërimi. I kërkoj numëruesve tanë në Tiranë, burrave e grave, vajzave e djemve, të qëndrojnë, të ushtrojnë këtë përgjegjësi historike që kanë, për ta bërë zërin e qytetarëve të dëgjohet’’. Kandidati i djathtë garantoi komisionarët se është pranë tyre së bashku me forcën politike që e përfaqëson. Komisionerët sipas zotit Kosova duhet të numërojnë me qetësi çdo votë duke respektuar votën e qytetarëve të Tiranës. ‘’Jam këtu për të falenderuar qytetarët që morën pjesë në votime dhe të gjithë ata komisionerë e vëzhgues që punuan me përkushtim për të garantuar një proces të rregullt, pavarësisht përpjekjeve jo të vogla e jo të pakta për manipulim që u bënë në qendra të ndryshme votimi. Unë jam pranë jush, Partia Demokratike është pranë jush dhe mbarë qytetarët e Tiranë janë pranë jush, pasi ju kanë besuar vullnetin e tyre. Ne sëbashku nuk do të lejojmë asnjë përpjekje për të deformuar verdiktin e sovranit’’. Kandidati i PD-së për kryebashkiak përgëzoi komisionarët për rezistencën që kanë bërë kundër çdo manipulimi të mundshëm, të tentuar gjatë gjithë ditës nga kampi i majtë.
Voltana Ademi: Kemi fituar dukshëm dhe pastër
‘’Ka pasur një mbështetje të qartë mbarpopullore, Partia Demokratike ka triumfuar në Shkodër’’. Kjo ka qënë deklarata e parë e kandidates për kryebashkiake të Shkodrës Voltana Ademi menjëherë pas mbylljes së procesit zgjedhor. Ademi ka falënderuar qytetarët dhe u bëri thirrje komisionerëve të mbrojnë fitoren deri në fund. ‘Në Shkodër PD është dukshëm fituese, me fitore të pastër. Është e rëndësishme të mbrohet deri në fund vota e sovranit.Ka qënë dukshëm një mbështetje popullore.
EXIT POLL i Ora News dhe IPR Marketing
Në Tiranë, Erion Veliaj rritet nga sondazhi në sondazh edhe pse me pak pikë duke çimentuar fitoren e tij në bashkinë më të madhe në vend. Ai në këtë sondazh merr 51% të votave kundër 33.5% të kandidatit të djathtë, Halim Kosova. Erion Veliaj është rritur me 1 pikë nga hera e kaluar, ndërsa Halim Kosova ka mbetur po në vend. Të njëjtën përqindje ka ruajtur edhe kandidati i pavarur në Tiranë, Gjergj Bojaxhi i cili po bëhet tashmë një realitet në skenën politike shqiptare. Ai ka mbetur në kuotën e 11%, aq sa ishte dhe në sondazhin pararendës. Ndërkohë vijon Sazan Guri me 3.5%, Arben Tafaj dhe Dhimitër Muslia me nga 0.5%
Koalicioni i majtë në Tiranë vazhdon dhe thellon kryesimin me 64% të votave kundrejt 34% të koalicionit të djathtë. E majta ka shënuar rritje të lehtë nga sondazhet e para, respektivisht 1 pikë nga sondazhi i 3 qershorit dhe 4 pikë nga ai i 13 majit. Ndërsa e djathta ka mbetur në po ato kuota. APPD merr 34% të votave, aq sa sondazhin e kaluar të 3 qershorit. Partia Socialiste në Tiranë ka 48% të votave, PD merr 30% të votave dhe LSI merr 11% të votave.
Garë deri në kthesën e fundit premton Durrësi. Tashmë fushata atje ka arritur në kulm dhe që sondazhi nuk mund ta parashikojë fituesin, kjo është pak por e sigurtë. Vangjush Dako me Grida Dumën do të ndahen me votën e fundit. Në këtë sondazh kandidati i majtë merr 51% të votave kundrejt 49% të kandidates së djathtë. Për tu theksuar është se në sondazhin e parë të 13 majit rezultati ishte po ky që është edhe sot. Pas thellimit të diferencës në sondazhin e dytë ku zoti Dako merrte 54% të votave dhe Grida DUma 46%, në sondazhin e sotëm, loja ka nisur nga fillimi. Durrësi përveç surprizës së fituesit, është adrenalinë për të apasionuarit e zgjedhjeve.Përsa i përket koalicioneve, e majta ka shënuar rënie krahasuar me sondazhet e para. Ajo merr 54% të votave kur në sondazhin e parë merrte 57% dhe në të dytin 58.5% ndërsa e djathta është rritur me 4.5 pikë nga hera e fundit. APPD merr 45% të votave pas 41.5% të sondazhit të 13 majit dhe 40.5 të sondazhit të 3 qershorit. Partia Socialiste është partia e parë në Durrës me 39% të votave, PD e dyta po me 39% të votave dhe LSI me 10% të votave.




